E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërtimet publike duhet të ndryshojnë

Në Shqipëri ka ndikuar influenca partiake, sidomos ajo e periudhës komuniste, në lidhje me emërtimet e universiteteve, shkollave të mesme e tetëvjeçare, rrugëve dhe shesheve, institucioneve shtetërore dhe kulturore e të tjera. Këto emërtime duhet të fillojnë të ndryshohen, në rast se duam me të vërtetë një Shqipëri demokratike, pa dallime klasore; duhet t’i hapet rruga edhe vlerësimit të figurave të shquara nacionaliste. Në historinë e saj kanë kontribuar si komunistët, ashtu edhe nacionalistët. Historia e këtij vendi e vërteton një gjë të tillë.

Figura e Ismail Qemalit nuk është ajo që duhet të japë shembullin në këtë drejtim dhe, si rrjedhojë, nuk duhet të jetë ajo e para që duhet ndryshuar. Nuk dua të hyj në diskutim me argumentet e paraqitura nga rektori i këtij universiteti, por dua të theksoj se Ismail Qemali ka qenë, mbetet dhe do të jetë idhulli dhe nderi i këtij kombi. Ndaj, si i tillë, nuk duhet prekur. Por mbetet fakt se emërtimet në Shqipëri mbizotërohen në mënyrë të plotë nga ideologjia komuniste, për të cilën pothuajse të gjithë janë deklaruar kundër.

Le të marrim si shembull bulevardin e Lanës, nga shëtitorja “Dëshmorët e Kombit” dhe deri tek ura e Lanës në rrugën e Kavajës. Me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që para dhjetë vjetësh ka marrë emërtimin “Gjergj Fishta”. Për këtë edhe sot në fasadën e njërit prej pallateve të Shallvareve ekziston tabela me emërtimin bulevardi “Gjergj Fishta”. Por, për çudi, nuk e di se me ç’urdhër, të ndonjë kryetari miop njësie bashkiake apo një këshilltari fanatik të komunizmit, sot në hyrje të këtij bulevardi, është vënë një tabelë, ku shkruhet bulevardi “Zhane D’Ark” (Më falni, por e kam shkruar ashtu si e ka tabela), kur me këtë emërtim quhet vetëm pjesa lindore e tij.. Unë nuk di që kjo revolucionare franceze të ketë dhënë ndonjë kontribut në favor të Shqipërisë, për t’u përjetësuar me emrin e njërit prej bulevardeve kryesore. Me sa di unë, kontributi i vetëm i saj është propaganda komuniste për të treguar luftën që gjoja vegjëlia i paska bërë klasës feudale apo borgjeze.

Le të ecim më tutje. Një rrugë tjetër në Tiranën e Re mban emrin “Komuna e Parisit”.

Po kjo komunë, ç’kontribut ka dhënë në historinë e vendit tonë? Përveç se pararendëse e regjimit totalitar komunist të vendosur, nuk e di të ketë kontribut tjetër. Në qoftë se ky kontribut vazhdon të konsiderohet prioritar, atëherë edhe unë do të isha dakord. Por, me sa di unë, komunizmin e kanë dënuar si një regjim gjakatar si demokratët, ashtu edhe socialistët. Atëherë, përse ruhet ende një emërtim i tillë?

Të tillë shembuj janë me qindra në vendin tonë. Objektet e ndryshme janë mbushur me emërtime që prejardhjen e tyre e kanë nga periudha komuniste. E keqja është se nuk po merret asnjë masë për të ndryshuar këto mentalitete të ideologjisë mesjetare të përmbysur në vitin ‘90. Për më tepër, ka akoma tendenca për t’i ringjallur ato. Le të marrim si shembull Këshillin e qarkut Durrës, që i dha emrin e Nako Spirut sheshit kryesor të qytetit. Çfarë kontributi ka dhënë për Durrësin ky individ? Kush ka dhënë më tepër për këtë qytet, Nako Spiru apo Abaz Kupi që ishte organizatori i rezistencës antifashiste më 1939? Përse emri i Abaz Kupit është hedhur në koshin e harresës? Mos vallë se Nako Spiru ishte komunist dhe Abaz Kupi legalist?

Le të bëjmë edhe një krahasim tjetër. Përse për Perlat Rexhepin janë mbushur rrugët, sheshet, shkollat dhe nuk e di se çfarë tjetër me emrin e tij, kur për Hysni Lepenicën nuk figuron asgjë? A nuk u vranë të dy në përpjekje me armikun e përbashkët? Madje, Hysni Lepenica u vra së bashku me 35 burra trima të tjerë, një betejë e ngjashme me Termopilet e dikurshme. Më thoni një betejë tjetër të luftës për liri, ku të kenë rënë kaq dëshmorë dhe unë do t’ju jap të drejtë. Atëherë, përsëri, mos vallë pse Perlat Rexhepi ishte komunist dhe Hysni Lepenica ballist?

Shembuj të tillë ka edhe me dekorimet apo shpalljet “Qytetar Nderi”. Puna ka arritur deri aty, sa ato ta humbasin vlerën e tyre. Sot po flitet shumë për hapjen e dosjeve dhe pastrimin e administratës shtetërore nga personat përgjegjës të diktaturës komuniste. Por, në fakt, nuk po shohim asnjë hap në këtë drejtim. Për më tepër shohim se personat përgjegjës të krimeve komuniste të dekorohen apo të shpallen ‘Qytetarë Nderi’.

Këto ditë u kremtua 20-vjetori i varjes së poetit Havzi Nela, më 10 gusht 1988. Është bërë i njohur roli i ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë në atë kohë, zotit Fehmi Abdiu, në këtë ekzekutim makabër. Por, për ironi të fatit ky kriminel shpërblehet nga ish-presidenti, Alfred Moisiu, me urdhrin “Naim Frashëri”. A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës të dekorohen kriminelët? Për më tepër ky sadist vazhdon të gëzojë ende një detyrë të lartë në Gjykatën Kushtetuese. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për bashkëpunëtorët e tij, Njazi Jaho, Skënder Breca, Fatmira Laskaj e të tjerë, të cilët janë dekoruar duke patur në ndërgjegjen e tyre jetën e disa martirëve të luftës kundër komunizmit.

I theksova këto, se, nëse ka një nismë për korrigjimin e tyre dhe e cilësoj se duhet të ketë një nismë të tillë, nuk më duket e drejtë që për këtë qëllim të përdoret emri i Universitetit të Vlorës. Një gjë e tillë bëhet duke zhvilluar debate të hapura dhe duke nxjerrë dekrete të posaçme dhe jo me iniciativa të shtatë apo tetë personave, qofshin ata edhe senatorë apo personalitete të shquara të jetës shoqërore, arsimore apo kulturore të vendit tonë. Kjo edhe për faktin se sot, duke përfituar nga rasti, po flasin edhe shumë prej atyre sharlatanëve që në mendjen dhe ndërgjegjen e tyre, kanë ende figurën e diktatorit të përmbysur dhe që në logjikën e tyre do të donin që emri i Ismail Qemalit të fshihej përgjithmonë nga historia e vendit.

Vendi ynë po aspiron për t’u futur në Bashkimin Evropian. Dua t’i bëjë të ditur presidentit, kryetares së parlamentit dhe kryeministrit se për të arritur objektivin e mësipërm duhet të shkëputen nga mentaliteti komunist. Me këtë mentalitet nuk mund të shkohet në Evropë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›