Ministria e Financave padit ish-të përndjekurit: Na ktheni lekët, kemi bërë gabime në shpërndarje
Ministria e Financave, si institucioni që ka lëvruar lekët e dëmshpërblimeve për ish- të burgosurit politikë, ka konstatuar se janë kryer gabime, ndaj ka hedhur në gjyq persona që kanë kaluar vite në tëra në burgje, apo familjarë të tyre.
Dikasteri i Financave kërkon prej tyre të kthejnë lekët e përfituara nga kësti i parë apo i dytë, pasi sikurse thuhet në padi, i kanë marrë në mënyrë të padrejtë.
Gjithashtu, kërkohet bllokimi i të gjitha llogarive të hapura në emrat e përfituesve.
Të paditurit e parë nga Ministria e Financave dhe Sektori i Pagesave dhe Dëmshpërblimeve të ish-të dënuarve politik të regjimit komunist, janë Gegë Prelaj, Marie Prela dhe Pashkë Prela. Objekti i padisë, është kthimi i vlerës së përgjithshme prej 550 311 lekë.
Spiro Rovaniku, sipas objektit të kërkesë-padisë së ngritur nga Ministria e Financave, duhet të kthejë vlerën prej 126247 lekë.
Për ish- të përndjekurin Xhevdet Rina, ministria kërkon nga gjykata ta detyrojë të kthejë vlerën e përgjithshme prej 550,311 lekësh, vlerë kjo sipas saj, e përfituar padrejtësisht në dhënien e këstit të parë.
Edhe në këtë rast, kërkohet bllokimi i të gjitha llogarive të hapura në emër të të paditurit, duke bërë sekuestron konservative të tyre, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes nga gjykata./A.XH