Ministria e Financave pranon krizën e biznesit, humbjet 160 milionë dollarë
Ervin KOÇI
Kriza ekonomike ka prekur biznesin shqiptar, gjë e cila tashmë është pranuar dhe nga dikasteri i Ministrisë së Financave në një relacion të fundit që ka shoqëruar buxhetin e vitit 2009. Ekspertë të Ministrisë së Financave parashikojnë një rënie të normës së fitimit te bizneset, me rreth 160 milionë dollarë. Për pasojë pritet që të ketë një ulje në nivelin e të ardhurave nga taksat që biznesi i paguan shtetit deri në masën 10 për qind e tatim-fitimit. Ministria e shpjegon rënien me efektet që mund të ketë dhënë kriza e financimeve dhe rënia e aktivitetit për shkak të likuiditeteve. Megjithatë, në krahasim me vitin 2008, parashikohet një rritje e të ardhurave me rreth 7.3 për qind. Pavarësisht deklaratave optimiste për rritje të qëndrueshme ekonomike, pasojat e krizës do të jenë të konsiderueshme për aktivitetin privat në vend. Rishikimi i buxhetit 2009, duke ulur të ardhurat dhe rritur shpenzimet, erdhi si pasojë e luhatjeve të stabilitetit ekonomik, si rrjedhim, qeveria ndërhyri për të minimizuar efektet. Megjithatë, efekti negativ mbi operatorët ekonomikë në treg do të jetë i pashmangshëm.
Fitimet në rënie
Më pak fitime për bizneset do të sjellë më pak kurajë dhe optimizëm për të investuar. Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave gjykojnë se Shqipëria e kaloi me sukses raundin e parë të krizës dhe se tani pritet me qetësi efekti i valës së dytë. Shumë biznese dëshmojnë se aktiviteti i tyre nuk është më si më parë, kur kriza ende nuk kishte mbërritur. Pavarësisht kësaj, për administratën tatimore pak rëndësi ka gjendja ku ndodhet biznesi sesa plani që duhet të përmbushin. Bizneset ankohen se tatimet u kërkojnë vendosjen e së njëjtës xhiro si në 2008, duke tentuar marrjen e normës së fitimit sipas parashikimit të bërë në fillim të vitit 2009, kur ende kriza nuk i kishte dhënë pasojat negative. Tani kushtet kanë ndryshuar dhe biznesi fiton më pak se një vit më parë. Këtë fakt e pranon dhe vet Ministria e Financave me parashikimin rreth arkëtimit të taksës tatim-fitim. "Të ardhurat në buxhetin e rishikuar 2009 për tatim fitimin janë 1.4 miliardë më pak se në buxhetin fillestar për vitin 2009", thuhet në relacionin që shoqëron buxhetin e ri 2009, përgatitur nga ministria dhe miratuar këtë javë nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Ndryshe duket niveli i të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar, me normë arkëtimi 19.4 miliardë lekë, me një rritje prej 7.3 përqindësh.
Tatimet
Në tetë muajt e parë të vitit 2009, administrata tatimore kishte mbledhur rreth 5.5 milionë dollarë më pak nga tatim-fitimi, si pasojë e rendimentit të ulët të kompanive private. Qeveria vendosi uljen drastike të tatimit mbi fitimin në vitin 2007, duke aluduar se në këtë mënyrë do të nxitej transferimi i aktiviteteve prodhuese nga vendet perëndimore, ku tatimi mbi fitimin është 30-50 për qind. Që nga 1 janari 2008, tatimfitimi në Shqipëri u caktua 10 për qind. Qeveria i kompensoi humbjet nga ulja e tatimfitimit, duke rritur taksën e ndotjes për makinat e përdorura që importohen në vend. Skema e re ndihmoi disa biznese të konsoliduara të shtojnë fitimet e realizuara në Shqipëri dhe që transferohen në vendet e origjinës së investimeve. Tatimi mbi fitimin është një taksë që përgjithësisht paguhet nga bizneset e konsoliduara dhe ndërkombëtare, për shkak se bizneset vendëse raportojnë zakonisht fitime të ulëta ose humbje financiare.
6 Tetor 2009