Papandreu premton nënshtetësi dhe të drejtë vote për emigrantët
Albert Gjoka
ATHINË – Të gjithë emigrantët që kanë 5 vjet qëndrim legal në Greqi do të kenë mundësi që të marrin nënshtetësinë dhe të drejtën e votës në strukturat e pushtetit vendor. Po ashtu, fëmijët që lindin në territorin helen kanë të drejtën, nëse e duan, që ta marrin nënshtetësinë në vendin ku vijnë në jetë. Këto janë disa prej premtimeve që dha Jorgos Papandreu, i cili që sot do të jetë kreu i ri i qeverisë së Athinës. Në ndryshim nga kundërshtari i tij i Demokracisë së Re, Kostas Karamanlis, kryeministri i sapozgjedhur ofroi një paketë premtimesh për komunitetin e shtetasve të huaj në Greqi, të cilët përbëjnë 10 për qind të të gjithë popullsisë. Por, nuk kanë munguar edhe qëndrime raciste në këtë fushatë, si ato të Partisë Popullore LAOS, e cila është për përzënien e të gjithë emigrantëve nga Greqia. Në të njëjtën linjë me partinë fituese të zgjedhjeve ishte edhe Partia Komuniste e Paparigës, e cila paraqiti në programin e saj legalizim për të gjithë, përfshirë edhe sigurimet shëndetësore dhe shoqërore falas.
Papandreu për emigrantët
Pjesa më e madhe e komunitetit të të huajve që jetojnë në Greqi mbështetën Jorgos Papandreun e PASOK-ut në këto zgjedhje, pasi ai parashtroi në programin e tij zgjedhor disa pika për përmirësimin e jetës së tyre. Duke iu referuar platformës së partisë së majtë që erdhi në pushtet, të gjithë emigrantët do të legalizohen. Po ashtu, do t’u jepet nënshtetësia greke emigrantëve me mbi 5 vjet qëndrim të ligjshëm në territorin grek. Të njëjtin përfitim kanë edhe fëmijët që ndjekin shkollat në vendin fqinj, pasi të bëjnë tre vjet studime. Për herë të parë, kreu i një partie greke premtoi të drejtën për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur në strukturat e pushtetit vendor edhe për shtetasit e huaj. Ashtu si dhe në shumë vende të tjera të BE-së, Greqia po shkon në fazën e përfshirjes në strukturat e qeverisjes lokale edhe të emigrantëve të ligjshëm.
Programet e të tjerëve
Kostas Karamanlis, i cili po përgatitet të lërë pushtetin pas më shumë se 6 vjet qeverisjeje, nuk bëri asnjë premtim të dukshëm për komunitetin e madh të emigrantëve në Greqi. Më agresivi ishte kryetari i Partisë Popullore të ekstremit të djathtë, LAOS. Kreu i saj, Karaxhaferri, bëri apel që të largohen të gjithë emigrantët e paligjshëm, të përcaktohen kuotat e nevojshme të emigrantëve, për të cilat ka nevojë Greqia dhe të vendoset kuota për vendet e origjinës. Ai është treguar tejet kritik për fluksin e madh të emigrimit nga Shqipëria: “Nuk ka mundësi që 80 për qind e emigrantëve të jenë nga një vend fqinj”, - është shprehur kreu i LAOS-it, sipas të cilit, në vendin e tij jetojnë mbi 1 milion shqiptarë. Në ndryshim nga zoti Karaxhaferri, partia e ekstremit të majtë, e drejtuar nga Rika Papariga, ka të njëjtin qëndrim si Papandreu dhe propozon punë të qëndrushme me të drejta të barabarta si grekët dhe shërbim shëndetësor falas për emigrantët e ligjshëm.
Kritikat për Athinën
Raporti më i fundit i Komisionit Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës i Këshillit të Europës (ECRI), u tregua tejet kritik me mënyrën se si trajtohen shtetasit e huaj në Greqi. Diskriminimet në punë, pagat e ulëta, përjashtimi nga skemat e sigurimit social dhe shëndetësor ishin disa prej çështjeve të kritikueshme. Raportuesit theksojnë se nuk mungojnë as aktet e dhunshme raciale ndaj shqiptarëve apo shtetasve të tjerë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Sipas tyre, autorët e keqtrajtimeve të shtetasve të huaj nuk ndëshkohen sipas ligjit në fuqi nga Drejtësia greke. Të dhënat zyrtare flasin për një prani shumë të madhe të shqiptarëve në territorin fqinj; ato arrijnë në 5-7 për qind të të gjithë popullsisë në Greqi. Ndryshimi i parakohshëm i qeverisë në Athinë duket se ka ngjallur shpresa për komunitetin e emigrantëve; gjithmonë, nëse qeveria e re e drejtuar nga Papandreu do t’u përmbahet premtimeve.
Partia Demokracia e Re - kryetar Kosta Karamanlis
Nuk ka asnjë program dhe premtim për emigrantët
Partia Socialiste PASOK - kryetar Jorgo Papandreu
Legalizimin e emigrantëve
Dhënien e nënshtetësisë për ata që kanë mbi 5 vjet qëndrim të ligjshëm
Dhënien e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi
Dhënien e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve që mësojnë në shkollat greke, pasi të kenë kaluar një periudhe 3-vjeçare
Dhënien e të drejtës së votës dhe të zgjedhjes në organet e pushtetit vendor për çdo emigrant pas 5 vitesh qëndrimi të ligjshëm
Partia Popullore, LAOS - kryetar Jorgo Karaxhaferri
Të largohen të gjithë emigrantët e paligjshëm
Të përcaktohet numri i emigrantëve për të cilët ka nevojë Greqia sipas sektorëve. Ata duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta si grekët
Të vendoset kuotë për vendet e origjinës së emigrantëve
Partia Komuniste, KKE - kryetare Rika Papariga
Legalizim i të gjithë emigrantëve që ndodhen në Greqi
Thjeshtësim i procedurave të dhënies dhe rinovimit të lejes së qëndrimit, eliminimin e çdo detyrimi financiar dhe i burokracive
Lehtësim të procedurave për bashkimet familjare
Punë e qëndrueshme dhe të drejta të barabarta me grekët
Kurim shëndetësor falas për emigrantët
Papandreu mandatohet nga Presidenti për krijimin e qeverisë së re
Presidenti grek, Karolios Papulias, mandatoi dje pasdite udhëheqësin e PASOK-ut, Jorgos Papandreu, për formimin e qeverisë së re. Socialistët, të cilët fituan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kanë filluar bisedimet për formimin e kabinetit të ri. Sipas Kushtetutës greke, Papandreu duhet që qeverinë e tij ta formojë në një afat prej tri ditësh. "Nevojitet t'i bashkojmë forcat duke marrë parasysh atë që para nesh janë përgjegjësi të mëdha", - tha Papandreu gjatë hyrjes në godinën presidenciale. Presidenti Papulias i kërkoi Papandreut të përmbushë premtimet për ndryshimet rrënjësore dhe reformimin e vendit. Ndërkohë, kryeministri i deritanishëm grek, Kostas Karamanlis, i dorëzoi dorëheqjen e tij presidentit Papulias. Të gjithë ekspertët, mediat, por edhe politikanët në Athinë, thonë se gjatë 100 ditëve të para të drejtimit të qeverisë, kryeministri i ri duhet të marrë vendime të guximshme. Sipas së përditshmes greke, “Kathimerini”, të gjithë grekët presin që kryeministri i ri, i cili do të marrë detyrën në kulmin e një krize të thellë ekonomike, të jetë i suksesshëm". Rruga drejt reformës fiskale do të jetë e gjatë dhe plot të papritura. Lideri socialist duhet të çojë përpara reformat institucionale në çështje si sistemi zgjedhor, transparenca dhe financimi i partive politike". Po ashtu, probleme të mëdha ka Greqia në marrëdhëniet me fqinjët. Konflikti për zgjidhjen e emrit me Maqedoninë është një sfidë jo e lehtë. Ardhja e Papandreut në pushtet ka ngjallur shpresa se situata do të përmirësohet. Po ashtu, Athina ndodhet në raporte tensionuese edhe me autoritetet e Ankarasë në lidhje me çështjen e Qipros. Menjëherë pas fitimit të zgjedhjeve, kryetari i PASOK-ut është uruar nga presidenti amerikan, Barak Obama, nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi. Burime jozyrtare pohojnë se Papandreu ka marrë urime edhe nga drejtues partish politike në Shqipëri.
Karamanlis i jep fund drejtimit të partisë pas 12 vjetësh
ATHINË - Menjëherë pas fitores së PASOK-ut, kryeministri në detyrë, Kostas Karamanlis, dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokracia e Re. Karamanlis, 53 vjeç, nxori shpejt mësime nga humbja. "Rruga e vetme, e ndershme dhe e përgjegjshme për mua është të marr përsipër përgjegjësinë e kësaj humbjeje dhe të hartoj procedurën për të thirrur një kongres të jashtëzakonshëm të partisë brenda një muaji", - deklaroi ai në një deklaratë të shkurtër përpara shtypit. "Sigurisht, nuk do të jem kandidat" për Kryesinë e partisë, - shtoi ai. "Mora vendime të vështira dhe të domosdoshme, qytetarët nuk e miratuan planin tim për ta nxjerrë vendin nga kriza, e respektoj mendimin e tyre, janë ata që thonë fjalën e fundit", - theksoi kryeministri i deritanishëm. Karamanlis, në pushtet që prej pesë vjetësh në Greqi, e kishte pranuar më parë disfatën e së djathtës në një bisedë telefonike me Papandreun. Karamanlis, i zgjedhur në krye të Demokracisë së Re në vitin 1997, i cili e solli të djathtën në pushtet në vitin 2004, pas 20 vitesh qeverisjeje pothuajse të pandërprerë të socialistëve, i thirri këto zgjedhje të parakohshme në mes të mandatit, në përpjekje për të siguruar një konsensus të gjerë për marrjen e masave të politikës së rreptë buxhetore.
REZULTATET
PASOK 43.93%
Nea Demokracia 33.48%
Partia Komuniste 7.54%
Partia e Majtë Radikale 4.6%
LAOS 5.63%
Partia e Gjelbër Ekologjike 2.53 përqind
Numri i vendeve në Parlamentin grek – 300
6 Tetor 2009