Bushati: Vizat, qeveria po fsheh dështimin duke shpifur ndaj opozitës
Partia Socialiste ka vlerësuar qëndrimin inkurajues të Parlamentit Europian për procesin e liberalizimit të vizave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Selia rozë, nga ana tjetër, i ka kujtuar qeverisë shqiptare që të përmbushë detyrimet e saj që kërkohen nga faktori ndërkombëtar për procesin e liberalizimit të vizave. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, tha se qeveria nuk duhet ta fshehë dështimin e saj duke u përqendruar në retorikë, aq më tepër duke bërë akuza të padrejta në drejtim të opozitës. “Diskutimet e këtyre ditëve ndërmjet institucioneve të BE-së, përkatësisht Komisionit Europian, Këshillit dhe Parlamentit Europian po evidentojnë edhe njëherë tjetër para opinionit publik faktin se qeveria ka dështuar në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me heqjen e regjimit të vizave, duke dëshmuar, për fat të keq, se Shqipëria do të jetë vendi i fundit në rajon që do të mund të përfitojë nga heqja e regjimit të vizave. Qeveria nuk mund t’i fshehë dështimet e saj para shqiptarëve duke u përqendruar në retorikë, duke e akuzuar opozitën padrejtësisht, pasi beteja jonë për votën dhe protestat popullore në mbrojte të saj janë një vlerë e shtuar për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të vendit”, - tha Bushati. Sipas tij, qeveria vazhdon të sillet me papërgjegjshmëri duke i ofruar opinionit publik shumë pak shpjegime në lidhje me këtë proces. Deputeti socialist kërkoi nga qeveria që të përmbushë disa detyrime kryesore. “Për të dalë nga kjo situatë e papranueshme, që rëndon në radhë të parë mbi qytetarët shqiptarë, PS-ja i kërkon qeverisë që të miratojë sa më shpejt Strategjinë e përditësuar dhe Planin e Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve; të sigurojë bashkëpunimin e agjencive që operojnë në kufi, të tilla si shërbimi doganor, policor dhe kontrolli sanitar e fitosanitar; të sigurojë zbatimin e programit antikorrupsion për Policinë e Kufirit dhe Migracionit; të krijojë Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare; të intensifikojë instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, - tha Bushati.
6 Tetor 2009