E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrenjtimi i euros, kostoja e ndërtimit mbetet e lartë por ulen investimet



Forcimi i euros gjatë muajit të fundit ka dhënë ndikimet e tij në sektorët e ekonomisë, sidomos në ato që të gjithë transaksionet i bëjnë në monedhën e përbashkët evropiane. Një prej sektorëve më të prekur nga kjo rritje është ai i ndërtimit, i cili me gjithë rënien e kërkesës për blerje, kjo si rrjedhojë e shtrëngimit të kreditimit nga bankat private, përsëri nuk i ka ulur çmimet. Sipas Bankës së Shqipërisë, në sektorin e ndërtimit çmimet e shitjeve vazhdojnë të ruajnë akoma trendin rritës, pasi arsye kryesore është forcimi i monedhës evropiane me të cilën ky treg kryen shit-blerjet. Edhe specialistët e këtij sektori flasin për një mosrënie të çmimeve të shitjes në sektorin e ndërtimit me gjithë krizën ekonomike. Ata e lidhin këtë çështje me dy faktorë kryesorë, i pari është shtrenjtimi i kostos dhe materialeve të ndërtimit në tregun ndërkombëtar, dhe faktori i dytë është euroja që vazhdon të mbajë pozita të forta në tregun valutor vendas. Por nga ana tjetër, ndërtuesit pranojnë rënien e investimeve në sektorin e ndërtimit, e cila është shenjë e qartë e prekjes së këtij sektori kyç të ekonomisë nga kriza.

Investimet

Ekonomia shqiptare është duke paguar një kosto të konsiderueshme të shtrenjtimit të euros, për shkak të efekteve të saj jo thjesht te këstet më të shtrenjta mujore që paguajnë qytetarët. Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se vlerësime të kryera nga Ministria e Financave dhe ajo Ekonomisë kanë treguar se ekonomia shqiptare ka pësuar një humbje prej më shumë se 60-70 milionë dollarësh tetë muajt e parë, për shkak të ndikimit tek investimet private të shtrenjtimit të euros. Të dhënat saktësojnë se investimet private në Shqipëri, të cilat janë pjesa themelore e zhvillimit ekonomik, kanë vuajtur zhvlerësimin e lekut. Pavarësisht vështirësive për vlerësime të tilla, sidomos kur situata është e luhatshme, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kanë bërë të dukshme peshën e shtrenjtimit të euros. Në anën tjetër, ekonomia po vuan edhe rëndimin e buxhetit të shtetit, i cili është detyruar të ketë barrë më të madhe të borxhit, për shkak të faktit se pagesat bëhen në euro. Vlerësimet tregojnë se kostoja shtesë që do të paguhet nga buxheti i shtetit është rreth 150 milionë dollarë.

Deficiti buxhetor

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shtesa e stokut të borxhit deri në fund të këtij viti parashikohet të arrijë në 77.9 miliardë lekë duke përfshirë këtu ndikimin e kursit të këmbimit prej 15.5 miliardë lekësh, pasi 51.9 për qind e totalit të borxhit të Shqipërisë është në euro, 6.8% në dollarë dhe pjesa tjetër në monedha të ndryshme. Ministria e Financave kishte parashikuar për shlyerjen e borxhit këtë vit një kurs këmbimi të euros me 131 lekë, ndërkohë që aktualisht monedha e eurozonës shkëmbehet me 135 lekë. Krahasuar me shkëmbimet që qeveria ka bërë vitin e kaluar, euro është forcuar me rreth 8 lekë. Rritja e ndjeshme e euros me rreth 10 për qind gjatë këtij viti ka qenë me pasoja për ekonominë tonë. Nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare janë prekur qytetarët që kanë marrë kredi në valutë dhe që të ardhurat i kanë në lekë. Gjithashtu, një super-euro përkthehet me shtrenjtim të importeve dhe rrjedhimisht me rritje të çmimeve të mallrave të konsumit. Pavarësisht këtyre ekonomia shqiptare shfaqet elastike dhe vazhdon të ketë rritje, ndonëse të ngadalësuar. E dhëna më e keqe është se investimet private po ndikohen dhe pritet që tani të vazhdojnë të ndikohen.

Çmimet e karburanteve, vijon ulja në tregun vendas të pakicës

Çmimet mesatare të karburanteve kanë shkuar drejt uljes gjatë muajit të fundit. Nga vëzhgimet e kryera në pika të ndryshme të tregtimit të karburanteve në kryeqytet, në krahasim me një muaj më parë, çmimet e karburanteve kryesore janë ulur nga 4-6 lekë për litër. Kështu, dje më 5 tetor, në pikat e tregtimit të karburanteve, një litër naftë u shit mesatarisht me 120 lekë, një litër Euro Diezel me 124 lekë dhe një litër benzinë me 126 lekë, ndërsa para një muaji çmimet e këtyre karburanteve ishin respektivisht 126 lekë për litër, 129 lekë dhe 130 lekë për litër. Ulja e çmimeve të karburanteve është me e dukshme në krahasim me një vit më parë, pasi ka shkuar në masën 20-25 lekë për litër. Në të njëjtën ditë të një viti më parë, një litër naftë është shitur mesatarisht me 145 lekë, një litër Euro Diezel me 150 lekë dhe një litër benzinë me 147 lekë. Sipas specialistëve, ulja e çmimeve të karburanteve është e lidhur me konjukturat në tregun ndërkombëtar, që ndikojnë drejtpërsëdrejti edhe në tregun vendas. Dje më 5 tetor në tregun ndërkombëtar një fuçi nafte u shit me 69 dollarë, ndërkohë që ky çmim ishte më i lartë një muaj më parë.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›