Topalli: “Falënderojmë Çekinë për ndihmën e dhënë për integrimin”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim Presidentin e Republikës së Çekisë, Vaslav Klaus. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Çekia i ka dhënë Shqipërisë në procesin integrues e në veçanti në ratifikimin e MSA-së dhe Protokollit të NATO-s. Nga ana e tij, presidenti Klaus përgëzoi kryetaren e Kuvendit për rizgjedhjen e saj në drejtimin e Parlamentit shqiptar, si dhe i uroi qeverisë “Berisha” suksese në vijimin e reformave për integrimin europian të vendit. Presidenti çek tha se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në shumë fusha, duke vënë theksin tek ndryshimet në infrastrukturë dhe në reformat e rritjes ekonomike. Duke i bërë një paraqitje të shkurtër të zhvillimeve politike në vend Kryetarja e Kuvendit theksoi se zgjedhjet e 28 qershorit plotësuan standardet e OSBE-së dhe u kryen në mënyrën më transparente, mundësuar nga një teknologji e nivelit të lartë elektronik. Ajo vijoi se për herë të parë, Shqipëria po qeveriset nga një koalicion i zgjeruar mes partive të djathta dhe atyre të majta, e angazhuar për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në vijim biseda u përqendrua në bashkëpunimin mes Shqipërisë e Çekisë në fusha të zhvillimit ekonomik, veçanërisht në sektorin energjetik e turizmit. Kryetarja e Kuvendit tha: “Qeveria ka ndërmarrë një sërë reformash që nxisin dhe mbështesin investimet e huaja në vend, dhe në këtë kuadër, kryeministri Berisha me doktrinën e tij ekonomike, ka mundësuar që 10% e GDP-së të shkojë vetëm për investime”.
6 Tetor 2009