E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme: Sna njoftuan ndaj dhe nuk reaguam për shqiptarët që ndodhen në kamp

ministriaNuk i kanë kërkuar ndihmë ambasadës shqiptare në Paris ndaj dhe askush nuk ka lëvizur gishtin për tu ardhur në ndihmë 50 shqiptarëve që mbahen të ndaluar në kampin e Coquelles-ës (Calais), të Francës.

Së paku këtë thotë deklarata për shtyp e Ministrisë së Jashtme mbi ndalimin dhe keqtrajtimin e dhjetëra shqiptarëve në Francë. Ministria e Punëve të Jashtme sqaron se deri në këto momente, ambasadës shqiptare në Paris nuk i është kërkuar asnjë ndihmë. Ambasada shqiptare e ka për detyrë të interesohet për çdo rast të shkeljes së të drejtave të shtetasve shqiptarë që gjenden përkohësisht në Francë dhe angazhohet seriozisht për tu ardhur në ndihmë atyre, siç edhe ka ndodhur vazhdimisht, thuhet në deklaratën që rreket të përgënjeshtrojë lajmin e publikuar pas denoncimit të një prej shqiptarëve që mbahet në këtë kamp.

Për Ministrinë e Jashtme bëhet fjalë për 25 shtetas shqiptarë, dhe jo 50.

Po kështu, deklarata për shtyp thotë se ambasada shqiptare nuk ka ndërhyrë pasi nuk u është kërkuar ndihmë, por krejt të kundërtën thotë Aldrin Kuqi, i cili denoncoi ngjarjen e keqtrajtimit për disa ditë më radhë të shqiptarëve në kampin francez.

Ministria e Jashtme bën të ditur se shtetasit shqiptarë janë ndaluar nga policia franceze për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit.

Sipas informacionit të dhënë, disave prej këtyre personave iu ka mbërritur pasaporta biometrike në qendrat e ndalimit pasi janë ndaluar dhe, për rrjedhojë, ata nuk do të mund të lirohen menjëherë por, gjithmonë sipas procedurave të shtetit francez, vetëm pasi të merret një vendim nga gjykatësi francez i çështjes.

Ndërsa sa i përket Aldrin Kuqit, i cili ishte dhe personi që denoncoi mbajtjen dhe keqtrajtimin e 50 shqiptarëve, bëhet e ditur se ai është ndaluar nga autoritetet franceze më 6 qershor 2013 dhe pritet të dalë shumë shpejt përpara gjykatës franceze./l.ç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›