Shokut tim të fëmijërisë, muzikantit “vlonjat pe Korçe”
Kemi ende shumë vjet për të jetuar, Mishel, mos u lësho!...
Gjatë viteve ’50-’60, jeta kulturore-artistike e Vlorës përjetoi një hop sasior e cilësor të panjohur ndonjëherë përpara. Lufta i kishte lënë qytetit bregdetar, sikurse gjithë vendit, plagë që duheshin mjekuar, të cilat, ndonëse gjetën një farë karari, nuk u shëruan dot as gjatë dy dhjetëvjeçarëve që e ndoqën, as më vonë, deri që dha shpirt diktatura komuniste. Gjithsesi, shfaqja e ndonjë turisti gjerman në Plazhin e Vjetër ose “te Gurrjet” e Ujit të Ftohtë, u kujtoi njerëzve se jeta nuk ishte vetëm luftë, as vetëm rindërtim, punë për të për të mbyllur plagët e luftës. Jeta i kërkonte të gjitha: edhe ndërtimin, edhe shëndoshjen ekonomike, edhe dasmat, edhe miqësitë, edhe shoqëritë, edhe këngën edhe skenën e teatrit a të estradës.
Tamam në ato vite (1952), lufta e klasave hodhi në Vlorë vëllain e madh të Mishelit, Xhimin (Dhimitër Lako), i cili la Korçën, për t’u punësuar në arsim fshatrave të Vlorës. Ishte periudha e vendosjes së terrorit komunist, çka solli edhe mjaft lëvizje demografike të detyruara. Në Shqipëri u shfaq dukuria e largimit të njerëzve prej vendlindjes, për të fshehur sadopak kleçkat në biografi. Kjo dukuri, nga ana e familjeve të deklasuara, u bë “modusi” më i pranueshëm për të mbijetuar. Ashtu bëri edhe Xhimi, djali i madh i tregtarit dhe ekonomistit korçar të shkollës franceze, Sotir Lakos, mbytur në baltovinat e Vloçishtit më 1947 si i burgosur politik. (Për të treguar se sa i rëndë ra drapri komunist mbi familjet me tradita të njohura atdhetare, ia vlen të shënoj kalimthi se Sotir Lako ishte nipi i rilindësit Anastas Lakçe, i cili kishte hapur në Korçë të parën shkollë për djem.)
Dora-dorës, Xhimi do të shpërngulte në Vlorë edhe të ëmën, zonjën Margaritë, nga familja e njohur korçare e Sugarëve, edhe të vëllain, Mishelin. Rasti fatlum më bashkoi edhe një herë në Vlorë me Mishelin, shokun tim korçar të fëmijërisë, për të përthithur me një dendësi të pazakontë jetësore vitet më të mira të rinisë sonë të parë. Nuk do t’i harroj deri sa të kem frymë, mbrëmjet e mrekullueshme te Gurët, pranë Turizmit të Skelës, kur tingujt e fizarmonikës së Mishelit, mandolina e Daut Shtinos dhe zëri i tij prej tenori, nxirrnin prej kabinave marinarët e huaj të anijeve ankoruar në Portin e Vlorës, të cilët na duartrokisnin që nga kuverta e mjetit lundrues, pa pasur mundësinë të na afroheshin. Aq më mirë, si për ata, ashtu edhe për ne. Përndryshe... Por, të rinj, ç’pyet!
Ato vite, Misheli, amator dhe autodidakt, iu përkushtua një pune të shumëfishtë, sa në dobi të qytetit, aq edhe për arsimimin e vet. Me fizarmonikë në krahë, atë do ta gjeje në Klubin e Bashkimeve Profesionale a në ndërmarrjet e ndryshme të Vlorës, duke u marrë me grupet artistike amatore; prej andej, në mjediset e Pallatit të Kulturës ose të Estradës, në prova me orkestrinën e sapoformuar dhe me këngëtarët. Ndonëse ende amator, muzikanti i ri ishte edhe instrumentist (fizarmonicist a pianist), edhe orkestrues, edhe drejtues orkestre... Mbrëmjeve, mbyllur në dhomën e vetme që autoritet komuniste vendore i kishin caktuar familjes korçare të deklasuar në një shtëpi të Muradijes, Misheli përgatitej për formimin e vet profesional, duke kryer me korrespondencë njëherësh Institutin e Lartë të Arteve dhe Fakultetin e Matematikës në Universitetin e Tiranës.
“Po matematikën ç’e do? – e pyeta një ditë. – Ti po profilizohesh si muzikant, kurse matematikën nuk po e mbarojnë dot studentët e rregullt.” M’u përgjigj gjithë gjallëri, me këmbë e me duar, siç përpiqet të flasë edhe sot, ndonëse në prag të tetëdhjetave: “Ta marrin vesh “këta” se ne nuk kemi vdekur. Kemi qëndruar dhe qëndrojmë gjithnjë sipër tyre”.
Mirëpo, edhe se me korrespondencë, smirëzinjtë, intrigantët ose të paditurit që mbijetonin falë letrave anonime, ia gjetën anën ta përjashtonin nga Instituti i Lartë i Arteve. U desh ndërhyrja dashamirëse e Mantho Balës, ish zëvendësministër i Arsimit dhe i Kulturës, i cili ia njihte dhe ia vlerësonte aftësitë Mishelit, që ky të mbaronte Konservatorin më 1962, ndërsa ishte diplomuar një vit përpara për matematikë.
Një kompozitor i njohur, autoritet i padiskutueshëm i muzikës shqiptare, anëtar i komisionit shtetëror për diplomimin e studentëve, pasi Misheli mbaroi provimin, doli përjashta, e përgëzoi muzikantin “vlonjat pe Korçe” dhe i tha faqe studentëve të tjerë që prisnin në korridor: “Për mua dhe për gjithë komisionin, e meriton notën më të lartë, dhjetën. Por komisioni vendosi të të japë nëntë, pasi... je student me korrespondencë!” Ata që dëgjuan, thoshin asohere se profesori i nderuar, ndërsa fliste me brengë në zemër përpara atij që kishte shkëlqyer në të gjitha provimet, vështronte përtokë, thua se po shlyente një faj. Po ç’të bënte kompozitori me emër! A mund t’i vihej dhjetë birit të “armikut”, ndërsa studentët e rregullt ishin bij të nomenklaturës së lartë komuniste?
Vlonjatët e thjeshtë e kanë dashur dhe e kanë nderuar përherë muzikantin e tyre që, së bashku me Themistokli Monen, drejtuesin e bandës dhe të korit të Shtëpisë së Kulturës, i dhanë partiturës muzikore qytetarinë në Vlorë. Misheli thotë se nuk është ndier kurrë i huaj mes vlonjatësh, as atëherë kur jetonte në një dhomë të vetme, veti i tretë. Përkundrazi, me kalimin e kohës, ai u ndje qytetar i dyfishte: korçar, për nga prejardhja familjare, vlonjat për shkak “të dyzet kovave me ujë” që piu në Vlorë.
Mirëpo, a mund të shpëtonte djali “i armikut” pa u lagur prej rrebesheve të luftës së klasave, që herë reshtnin përkohësisht e herë dendësoheshin për të goditur me gjithë fuqinë e tyre të verbër? Viti 1962 e bashkoi përjetësisht Mishelin me bukuroshen shkodrane, Dorotean, bijën e Cin (Augustin) Serreqit, pushkatuar më 1948, pas një farse gjyqësore për Kryengritjen e Postribës (1947), për të cilën viktima e pafajshme e fisit të njohur të Serreqëve as dinte, as pranoi gjë prej gjëje. Disa vjet pas martese, Dorotean e pushuan nga puna “gjeneralët e dosjeve”, të cilët sot kanë guximin të na qëndrojnë pranë, të na japin mend, të na përshëndesin e të na shohin në sy, thua se ato çka kanë ndodhur me ne ishin “...edhe ca gabime...” që kalohen me një aspirinë, si dhimbja e kokës.
Kaq duhej, domethënë përjashtimi i Doroteas nga arsimi, që familja e sapokrijuar e Mishel Lakos të mos gjente asnjë çast qetësie. E dëshpëruar, Dorotea nuk reshti së u përplasuri me shefat e kuadrit, për t’u rikthyer sërish në arsim, por pa dobi, ndonëse këtë të drejtë ia jepte përvoja e saj trembëdhjetëvjeçare si arsimtare e pasionuar dhe e përkushtuar në detyrë.
“Fajin” e imagjinuar të gjyshërve, s’do mend, do ta vuante edhe brezi i dytë i familjeve të goditura. Fëmijët e çiftit Lako, Alfredi dhe Jola, do të mbanin damkën e të deklasuarve dhe nuk do të merrnin dot një të drejtë studimi për t’u arsimuar në shkolla të larta. Vetëm shembja e diktaturës komuniste do t’u hapte rrugë atyre të zinin vendin e merituar në shoqëri. Pas viteve ’90, Alfredi arriti të realizonte dy diploma, një në Shqipëri (inxhinieri hidraulike) dhe një në Francë për probleme të mjedisit. Vajza, për veterinari.
Misheli doli në pension më 1990, pesë vjet mbasi kishte mbushur moshën e pensionit, duke i dhënë Vlorës edhe pesë vite të tjera kontribute në dobi të jetës kulturore. Sot jeton në Tiranë, duke gëzuar një “prag pleqërie” të qetë, por, fatkeqësisht, i tërhequr nga pasionet që e mbajtën gjallë një jetë të tërë, çka na vret në shpirt edhe ne, shokët e tij, me të cilët ai ndau çaste të rënda, por edhe të gëzueshme, të papërsëritshme.
është ky shkaku që më nxiti t’i vihem këtij shkrimi modest dhe që më shtyu t’i drejtohem publikisht mikut tim: Kemi ende vite për të jetuar, Mishel, mos u lësho! Fizarmonikën do ta ngarkojmë ne në kurriz; ti eja të na mbushësh me këngë e me melodi.