E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, krenar për bojkotin dhe se po u bllokon vizat shqiptarëve

E keqja ka dalë mbi ujë dhe s’ka frikë të shfaqet, megjithë temperaturat e larta të stinës. Edi Ramës s’i skuqet fytyra dhe buzëqesh para shqiptarëve, teksa u deklaron se është krenar se po u rikthen atyre bojkotin dhe se po punon çdo ditë kundër heqjes së vizave

Pas iu skuqur surrati dhe pa fijen e turpit Edi Rama tha dje para opinionit publik se është i gatshëm t’i rikthehet protestave dhe bojkotit parlamentar. Mungesa e korrelacionit politik të lidershipit të opozitës dhe vënia në provë e ekzistencës së tij politike, në kushtet kur është thuajse i skarcuar dhe aktualisht luan rolin e një karikature politike, Edvini është kthyer tërësisht në një figurë komike, ku askush s’po e konsideron më si oponencë reale në kaskierën politike.
Demonstrimi i qëndrimeve të tij kokëforta ekstra realitetit, shkel kryesisht direktivat e ndërkombëtarëve dhe sugjerimet e tyre, për shtrirjen e dialogut dhe kapërcimin e ngërçit politik. Me një fjalim jashtë çdo lloj sensi të natyrës politike dhe me fraza ironike drejtuar gazetarëve, të cilët në rastin konkret sipas tij janë provokatorë, Rama nuk hoqi asnjë presje nga fletushka e firmosur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist dhe e lexuar rrufeshëm në seancën e fundit plenare nga Gramoz Ruçi.
Tendenca e socialistëve është e qartë, Edvini promovoi rëndom tezën e rikthimit te bojkoti dhe protestat, madje zellshëm dhe turpërisht në sytë e të gjithëve, përcolli frazën se ndjehej krenar për këtë. Më keq akoma, deklarata e Edvinit vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e Bashkimit Evropian prej muajsh të tërë kërkojnë lënien mënjanë të mërive personale të liderëve të politikës dhe kapërcimin e ngërçit të tejzgjatur.
Tej realitetit dhe me qëndrime denatyraliste, Edi Rama s’mposht dot sëmundjen e hershme, ethet e së cilës startuan që një vit më parë, me atë humbje spektakolare të zgjedhjeve të 28 qershorit. E nga këtu, mos kapërdija e përgjegjësive që i takon nga humbja e procesit elektoral, Edi Rama i shpëtoi gjyqit publik të socialistëve, përmes ndryshimit të statutit të partisë dhe grupit lobues të ndërtuar me shumë zgjuarsi në kryesinë e partisë më të madhe në opozitë. Për koherencë, mjafton të kujtojmë se vetëm gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentar Partia Socialiste arriti të mbledhë dhe të përfaqësohet në Kuvend prej më shumë se 23 ligjvënësve miliarderë, të cilët veç shumave të majme financiare që kanë arritur të konsolidojmë s’kanë as formimin më minimal intelektual.
Të “fortët e politikës”, i duhen Edvinit, i duhen për arsyen e vetme pasi ata janë një krah i ngrohtë i ekzistencës së tij politike. Një krah suportues për mbijetesën në momentet më të vështira të karrierës, i ka siguruar plotësisht të qëndrojë pa u shqetësuar në krye të PS-së dhe për të tej, ta përdorë atë si nyjë kryesore të interesave të tij personale. Kësisoj, është fare i kuptueshëm fakti se vërdallisja e Edvinit vjen si rezultat i çorbnisjes së Partisë Socialiste, ndaj së cilës ai mund të bëjë ç’të dojë pa u shqetësuar për ngritjen e zërave kundër, për sa kohë “të fortët” e politikës opozitare ua kanë mbyllur gojën përmes kërcënimeve nga më të pazakontat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›