Ministria e Kulturës, në rrjetin global të këshillave të artit
Ministria jonë e Kulturës bëhet anëtare e rrjetit global të këshillave të artit dhe ministrive të kulturës nga e gjithë bota. Lajmin e bëri të ditur dje zyra për shtyp e MTKRS-së në të cilën thuhet se në “fillim të nëntorit IFACCA (International Federation of Arts Councils and Culture Agencies) pranoi si anëtare të sajën, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë”. Ky lajm erdhi fill pas pjesëmarrjes si delegatë të përfaqësuesve të MTKRS-së, shefit të kabinetit Flamur Shehu dhe drejtores së Rinisë, Migena Reçit, në Samitin e Katërt Botëror të Arteve dhe Kulturës, të mbajtur në Afrikën e Jugut , më 21 shtator 2009.
IFACCA është një network global i këshillave të artit dhe ministrive të kulturës nga e gjithë bota. Ajo është krijuar në vitin 2000 dhe objektiva e këtij institucioni global me shumë peshë në kulturën e shekullit të 21-të, është forcimi i kapacitetit të artit dhe agjencive kulturore kombëtare për t’u ndeshur me sfidat dhe shanset e globalizimit dhe ndryshimeve teknologjike nëpërmjet përmirësimit të aksesit të njohjes rreth praktikave më të mira në mbështetjen publike për artin dhe kulturën, përmirësimin e menaxhimit dhe shkëmbimin e përvojave dhe ideve në këtë fushë. Nxitja e projekteve bashkëpunuese në rang global, vetëdija e promovimit është një pjesë e rolit të kësaj federate, duke inkurajuar në të njëjtën kohë mbështetje për praktikat artistike dhe diversitetin kulturor; promovimin e talenteve, krijuesve dhe vlerës së krijimtarisë në komunitet. Stimulimi i dialogut dhe debatit në çështjet multilaterale, është një tjetër aspekt i aktivitetit. IFACCA është një organizatë që ofron mbështetje publike për artet në rang ndërkombëtar dhe kombëtar. Deri tani, kjo organizatë ka siguruar bashkëpunimin e donatorëve të fuqishëm në art dhe kulturë, të tillë si National Endowment For Arts, British Council, Commonwealth Foundation, Rockfeller Foundation, Asia-Europe Foundation etj.
Re. Ku.