E Diel, 1 Nëntor 2026

Gashi: Si përdhunuan gruan shtatzënë vëllezërit Buzani



“Vëllezërit Buzani përdhunuan një grua shtatzënë gjatë kohës së rrëmujave në Cërrik”. Ky ka qenë deklarimi i dhënë para policisë nga i pandehuri Entel Gashi, ndërkohë që seancën e djeshme është përpjekur të mohojë para trupës gjyqësore përfshirjen e tij në ngjarjet e rënda të ndodhura në Cërrik apo dijenitë që ka pasur mbi çfarë ka ndodhur. Në procesverbalin e vitit 2007, i pandehuri shprehej se “ditën e ngjarjes takova vëllezërit Toska dhe Buzani. Ata më thanë se po vinte Garda për të sulmuar qytetin dhe se ne duhet të bëheshim gati për t’iu përgjigjur atyre. U nisëm me makinë për në qendër të qytetit dhe sapo hymë, pamë që shumë njerëz të armatosur ishin ngjitur mbi tarracat e shtëpive. Atje hipëm edhe ne dhe u bëmë gati për të pritur gardistët. Vetëm pak çaste më vonë, në qytet u fut një tank dhe njëri nga vëllezërit Toska qëlloi me kundra-tank duke e djegur atë, ndërkohë që ne vazhdonim të qëllonim mbi forcat e Gardës. Pasi zbritëm nga tarracat, pamë një makinë policie dhe një njeri të plagosur aty, e ndoqëm nga pas dhe e vramë. Bashkë me Alban Toskën, vramë dhe dy policë të tjerë, të cilët ishin të plagosur duke u zvarritur në tokë. Unë pashë edhe vëllezërit Buzani që vranë një person tjetër”. Gjatë marrjes së tij në pyetje nga organi i prokurorisë, i pandehuri pretendonte se Meti Bozin e kishte parë në qendër të qytetit që po u fliste njerëzve duke i thënë që të mobilizoheshin për të mbrojtur qytetin e tyre. Pas minuta më pas, ai, Gashi, kishte shkuar bashkë me vëllezërit Toska dhe Buzani në një postbllok dhe kishin qëndruar aty duke kontrolluar makinat që hynin në qytet. “Ndalonim makinat dhe i merrnim lekët. Në një moment pamë një fugon të kuq që i afrohej postbllokut. Aty ishte një femër shtatzënë. E morëm dhe e futëm në një barakë që ishte aty afër dhe Bujar Buzani bashkë me një nga vëllezërit Toska e përdhunuan atë”, - ka mbyllur deklarimet e dhëna përpara organit të akuzës i pandehuri Gashi në vitin 2007. Përgjatë deklarimeve të dhëna në seancën e djeshme, Gashi është shprehur se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në Cërrik, nuk ka marrë pjesë në ngjarje dhe nuk njeh asnjë nga të pandehurit, si dhe nuk ka plagosur apo vrarë ditën kur ka ndodhur sulmi ndaj Policisë së Elbasani dhe gardistëve. Por, në momentin që i pandehuri Gashi ka përfunduar deklarimet e tij, menjëherë ka reaguar prokurori i çështjes, i cili u ka kërkuar togave të zeza të lexojë deklarimet e dhëna para policisë nga ky i pandehur. Sipas prokurorit, Gashi ka rrëfyer para policisë se jo vetëm që ka qenë pjesë e personave që kanë marrë pjesë në ngjarjet e dhunshme të Cërrikut, por edhe ka qenë një ndër personat që ka qëlluar kundër gardistëve dhe policisë. Madje, përfaqësuesi i akuzës ka lexuar të plota deklarimet e dhëna prej Gashit në polici pas arrestimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›