Ministria e Kulturës, nis restaurimi i kalasë së Ali Pashës
Restaurimi i kalasë së gurtë në qytetin e Tepelenës është përfshirë së fundi në projektet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Iniciativa për kthimin në identitet të kështjellës së ndërtuar nga Ali pashë Tepelena parashikon shtrimin me kalldrëm të rrugës hyrëse për në kala, restaurimin e një prej kupolave kryesore të kështjellës, kthimin në identitet të disa prej fragmenteve të mureve të dëmtuara vitet e fundit etj. Gjithashtu, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, MKTRS-ja do të realizojë edhe një pastrim të përgjithshëm të mbeturinave urbane që janë depozituar në portat hyrëse apo rrugët e brendshme të kalasë. Për specialistët e monumenteve të kulturës këto janë ndërhyrje emergjente që do të kryhen në kështjellën e Tepelenës, duke e shndërruar atë në një vend të vizitueshëm për turistët. Gjithashtu specialistët janë duke përfunduar edhe disa projekte të tjera restaurimi për kalanë e gurtë të Tepelenës, që synojnë vijimin e projekteve restauruese në këtë kështjellë me vlera të veçanta historike dhe arkitektonike, duke bërë të mundur edhe tërheqjen e financimeve të tjera në të ardhmen. Sipas studiuesve, Ali pashë Tepelena e ndërtoi këtë kështjellë në kohën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës, rreth vitit 1819. Ajo është një nga ndërtimet e fundit mbrojtëse të Ali Pashës, sepse shumë shpejt filloi lufta midis ushtrive turke dhe Aliut, kështu që shumë pjesë që u përkisnin ndërtimeve të brendshme të kalasë, mbetën të papërfunduara.