E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prostitucioni, pranga tre grave të divorcuara

OPERACIONI/ Policia bëri të ditur se njëra prej prostitutave shfrytëzohej përmes kërcënimeve. Arrestohet edhe 51-vjeçari që kishte vënë në shërbim për klientelën banesën e tij



ELBASAN - Kanë përfunduar në pranga 4 vetë për kryerjen e veprave penale të "shfrytëzimit" dhe "ushtrimit të prostitucionit" në qendër të qytetit të Elbasanit. Burimet nga policia bëjnë të ditur se një shtetas ka kthyer në bazë për ushtrimin e prostitucionit shtëpinë e tij duke përdorur si prostituta tre gra të divorcuara.


Operacioni për kapjen në flagrancë të grave dhe personit që dyshohet se ka marrë me qira banesën, është quajtur "Shatërvani" për shkak të një shatërvani në afërsi të banesës ku janë zbuluar prostitutat.


Drejtori i Policisë së Elbasanit, Sajmir Muça, tha në një deklaratë për shtyp se janë arrestuar në flagrancë shtetasit Engjëll Shaqiri, 51 vjeç, me banim në lagjen "Kongresi i Elbasanit" i divorcuar, V.V., lindur e banuese në Bujqës të Elbasanit, B.Ç. 56 vjeçe, banore po në Bujqës, e divorcuar dhe A.K. banuese në Lushnjë, e divorcuar.


Arrestimi i katër shtetasve u bë pasi në banesën e shtetasit Engjëll Shaqiri në lagjen "Aqif Pasha" të qytetit të Elbasanit kanë konsumuar respektivisht veprat penale të "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese", "mbajtjes së lokaleve për prostitucion" dhe "ushtrim prostitucioni".


Mësohet se agjentët e kanë vëzhguar prej kohësh banesën dhe qarkullimin e shtetasve nga kjo shtëpi. Sinjalizimet kanë ardhur nga banorë të zonës në polici dhe më pas agjentët kanë bërë detyrën e tyre deri në finalizimin e plotë të operacionit të koduar. Sipas të dhënave, operacioni është kryer në kushtet e flagrancës.


Klientët e tre femrave prostituta ishin të moshave të ndryshme po kryesisht mbi 40 vjeç. Vlera që duhet të paguanin klientët ishte sipas rastit, nga 1 000 - 5 000 lekë të reja sipas vlerësimit që i bënin klientet buxhetit të klientëve të tyre.


Paratë ndaheshin me pronarin e shtëpisë.
Dyshohet se shtëpia përdorej prej vitesh për prostitucion, të paktën sipas dëshmisë së fqinjëve që shikonin lëvizje të dyshimta. Mësohet se gratë në gjendje të vështirë ekonomike kryesisht nga fshatrat dhe pa të ardhura kanë gjetur këtë mënyrë për të bërë para.


Nëna me fëmijë ato kanë menduar të nxjerrin sado pak me profesionin më të vjetër në botë. Mësohet se policia ka ngritur edhe akuzën e shfrytëzimit në rrethana rënduese pasi një prej grave mbahej në këtë aktivitet nëpërmjet kërcënimeve. Sipas drejtorit të policies., Sajmir Muça, për arrestimin e shtetasve janë përdorur metoda speciale hetimi dhe është bashkëpunuar me prokurorinë e rrethit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›