E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mbrojtjes realizon blerjen e 5 helikopterëve francezë- version ushtarak

Nënshkruhet kontrata me kompaninë EUROKOPTER, pas një procedure transparente dhe të plotë prokurimi. Nëpërmjet këtij projekti, nga më të mëdhenjtë e Ushtrisë shqiptare, Shqipëria do të hedh një hap tjetër të rëndësishëm në plotësimin e standardeve të NATO-s dhe modernizimin e Forcave të saj të Armatosura.   Në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni e veçantë me rastin e nënshkrimit të kontratës për blerjen e pesë helikopterëve tip AS 532 AL COUGAR, të cilët do të futen në përdorim në strukturën e forcave tona ajrore përgjatë 3-4 viteve të ardhshëm.    Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes Arben Imami, zv/ministri i Mbrojtjes Arjan Starova, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral brigade Maksim Malaj, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ambasdoria e Francës në Tiranë Maryse Daviet, ambasadori i Gjermanisë Bernd Borchardt, zv/presidenti i kompanisë franceze EUROKOPTER z. Thomas Hein, si dhe përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie.      Ministri i Mbrojtjes Arben Imami e vlerësoi nënshkrimin e kësaj kontrate si një moment shumë të rëndësishëm për Forcat e Armatosura Shqiptare dhe  veçanërisht për Brigadën Ajrore. Forcat tona të Armatosura, nënvizoi Ministri Imami, janë në rrugën e modernizimit dhe po shënojnë arritje të reja në përmbushjen e standardeve dhe të ndërveprimit me NATO-n. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe zv/presidenti i kompanisë EUROKOPTER, z. Thomas Hein.Kontrata u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe zv/presidenti i kompanisë franceze EUROKOPTER, Thomas Hein.Nënshkrimi i kësaj kontrate u finalizua pas një procedure transparente dhe të plotë prokurimi, si dhe u pasua nga negocime midis ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së njohur EUROKOPTER. Helikopterët e tipit AS 532 AL COUGAR janë një version ushtarak i familjes “Super Puma”. Vlera e kësaj kontrate kap shifrën prej 78. 633 288 euro. Kontrata përfundon në vitin 2013 me mbërritjen e helikopterit të fundit. Ky është një nga projektet më të mëdha të FA Shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes në këto 30 vitet e fundit. Nëpërmjet këtij projekti Shqipëria do të hedh një hap tjetër të rëndësishëm në plotësimin e standardeve të NATO-s dhe modernizimin e Forcave të saj të Armatosura. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›