E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mbrojtjes sqaron menaxhimin e Pronave te FA

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Socialiste për menaxhimin e pronave të Forcave të Armatosura. Në një deklaratë për mediat Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri i ka quajtuar akuzat e PS-së krejtësisht të pabaza dhe ka sqaruar opinionin publik për këtë çështje.
Sipas tij plani i Përhapjes dhe i Vendosjes së Forcave të Armatosura është një dokument strategjik i miratuar me dekret nga Presidenti i Republikës, i cili përcakton koordinatat gjeografike të vendosjes së strukturave të Forcave të Armatosura.
“Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, ky Plan është rishikuar periodikisht në përputhje me planet afat-mesme dhe afatgjata të zhvillimit të Forcave të Armatosura. Me Planin e Përhapjes të miratuar së fundmi nga Presidenti i Republikës, janë përcaktuar pronat e nevojshme për realizimin e misionit dhe detyrave kushtetuese të Forcave të Armatosura”- deklaroi Kulluri i cili sqaroi se:

- Ish-Shkolla e Bashkuar është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes të Forcave të Armatosura, për më tepër që në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, po investohet për rikonstruksionin e sheshit të këtij kompleksi, ndërtimin e Muzeut dhe të Arkivit të Forcave të Armatosura;
- Spitali Ushtarak është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes të FA;
- Baza e Bishtit të Pallës është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes së FA;
- Ish Shkolla e Marinës në Vlorë, e cila nuk përdorej dhe ka qenë jashtë Planit të Përhapjes, i është dhënë në përdorim për shtatë vjet Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”;
- Për tunelin e Porto Palermos ka një kërkesë nga Ministria e Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, e cila është duke u shqyrtuar, për ta kthyer atë në muze të Luftës së Ftohtë, ku do të sistemohet edhe nëndetësja që është në administrim të MTKRS-së.

Më tej sekretari Kulluri shtoi se për të gjitha pronat e tjera që kanë qenë jashtë Planit të Përhapjes së Forcave të Armatosura, është bërë një punë voluminoze për inventarizimin, regjistrimin dhe përcjelljen e tyre pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes për privatizim me të drejtë nga ish pronarët apo nëpërmjet ankandeve të hapura publike për subjektet dhe individët e interesuar.
“Ashtu siç edhe një numër i konsiderueshëm i pronave që nuk përdoren nga Forcat e Armatosura, i janë transferuar me vendime të Këshillit të Ministrave për nevoja të motivuara, pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera publike. E përsërisim edhe një herë që Ministria e Mbrojtjes nuk bën privatizime, por përgatit dhe dorëzon pranë Ministrisë së Ekonomisë pronat e tepërta për privatizim në bazë të legjislacionit në fuqi. Po ashtu i këshillojmë deputetët e opozitës të konsultojnë praktikat e njëjta apo të ngjashme, që përdorin Ministritë e Mbrojtjes të vendeve partnere në kuadër të ristrukturimit të tyre”- përfundoi ai.

Deputetët e Partisë Socialiste pasi morën përgjigje të argumentuara mbi pretendimet që kishin ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për përgjime dhe trafik armësh, dolën të enjten me një tjetër pretendim. Sipas deputetit socialist Braçe, Ministria e Mbrojtjes këtë herë ka nxjerrë neë shitje pronat e ushtrisë shqiptare duke e cilësuar operacionin si të korruptuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›