Ministria e Mjedisit ka ndërprerë ndërtimin e plazhit në Liqenin e Batllavës

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka ndërprerë punimet në plazhin, i cili është duke u ndërtuar në Batllavë nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Podujevës. Inspektorët e Ministrisë kanë ndaluar punimet, ngaqë, më 24 prill, kryeministri Hashim Thaçi e ka shpallur këtë liqe zonë të mbrojtur ujore, ku ndalohen aktivitetet e lira, si plazhi dhe noti, transmeton KTV.
Ndalja e punimeve, megjithatë, sipas menaxherit të këtij projekti, Bedri Sylejmani, u bë në kohën kur ato ishin në përfundim e sipër. Ai thotë se e kishte njoftuar Ministrinë me kërkesë të Komisionit Evropian për projektin qysh në muajin shkurt.
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka thënë se është kompetencë e Komunës së Podujevës që të kujdeset për rregulloret në fuqi. Kjo e fundit, ndërkaq, sipas Sylejmanit, ka filluar punët në nxjerrjen e lejeve për ndikim në mjedis. Me Ligjin e ri për ujëra, Ministria e Mjedisit dhe e Shëndetësisë, me anë të një vendimi të ri, krijojnë zonat për larje në liqe. Deri atëherë, me vendim të kryeministrit, pos notit, ndalohet edhe përdorimi i barkave me motorë./Indeksonline/