E Diel, 1 Nëntor 2026

Naser Avdiut nga “Kroi i Vitakut” i rindërtohet shtëpia

Pas 13 vjetësh jetese me qira në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës, familja e Naser Avdiut tashmë ka një shtëpi. Si shumë qytetarë të lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, edhe Avdiut i është rindërtuar shtëpia. Rindërtimin e kësaj shtëpie e ka mundësuar ndërmarrja “Trepça”, ku Avdiu kishte punuar disa vite, transmeton KTV.

Edhe Rexhepit i është rindërtuar shtëpia në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”. Kreu i Mitrovicës, Avni Kastrati, theksoi se rindërtimi në këtë pjesë të Mitrovicës nuk do të ndalet deri në ndërtimin e të gjitha shtëpive, të cilat u dogjën e u shkatërruan. Deri tashti, në veri të Mitrovicës janë rindërtuar 200 shtëpi të qytetarëve shqiptarë, 50 prej të cilave në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”. Rindërtimi i shtëpive në këtë pjesë ishte përcjellë disa herë me incidente, ku grupe të ndryshme serbësh kishin tentuar t’i ndalnin punimet, me qëllim të pengimit të kthimit të shqiptarëve në këtë lagje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›