E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshtetësia për fëmijët e emigrantëve, dokumentet që kërkohen



Autoritetet greke vijojnë me procesin e dhënies së nënshtetësisë, ku në fokusin kryesor janë edhe fëmijët që arrijnë moshën 18 vjeç dhe kanë jetuar dhe janë arsimuar për shumë vjet në vendin e tyre. Gazeta “Albania” sjell gjithë dokumentacionin që kërkohet për të përmbyllur procesin dhe kategoritë që përfitojnë nga marrja e nënshtetësisë. (Në tabelën e mëposhtme janë të listuara të gjitha kërkesat që parashtron aplikimi për natyralizim). Në një intervistë dhënë gazetës shqiptare në Athinë, “Tribuna”, Sekretari i Përgjithshëm i Politikave të Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, Andreas Takis, ka dhënë detaje të punës së bërë deri më tani, ku janë të përfshira një sërë institucionesh. Zoti Takis, i cili vjen në këtë detyrë nga eksperienca e punës në institucionin e Avokatit të Popullit, thotë se janë të angazhuar që të gjithë në mënyrë që lejet e qëndrimit të jepen në një kohë optimale.

Masat për nënshtetësinë

Prej disa kohësh kanë filluar që të aplikojnë, jo vetëm fëmijët që kanë lindur në Greqi, por edhe brezi i parë i fëmijëve që erdhën në Greqi me prindër e që tani janë të moshës 25-28 vjeç dhe i përmbushin kushtet e marrjes së nënshtetësisë. Zoti Takis thotë se janë kryesisht ata që i afrohen moshës së maturisë, (18 vjeç) apo e kanë arritur atë dhe që objektivisht kanë ankthin më të madh për të ardhmen e tyre.
“Kemi bërë gjithë parapërgatitjen e nevojshme njerëzore dhe logjistike, kemi zhvilluar takime të njëpasnjëshme me ministritë që janë të përfshira në këtë proces, për të përshpejtuar dhënien e dokumenteve të nevojshme”, - thotë përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme për politikat e emigracionit. Sipas tij, “në Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit është kërkuar që të mos vonohet dhënia e vërtetimit të mosdeportimit; në Ministrinë e Drejtësisë, dëshmitë e penalitetit, megjithëse këtu parashikohen vonesa pasi do të jenë një numër i madh njerëzish që duan të marrin dokumentin brenda një kohe të shkurtër. Në Ministrinë e Arsimit që të garantojmë një tip unik vërtetimi për kohën e kryerjes së studimeve. Për shmangien e vonesave që burojnë nga paqartësitë e nëpunësve mbi procedurat është krijuar një zyrë ndihme ku nëpunësit japin sqarime për pyetje të ndryshme, me qëllimin që të jepet përgjigje në kohë sa më të shkurtër.

E drejta e votës
Zoti Takis e konsideron fitore dhënien e të drejtës së votës për emigrantët, e cila ishte një fitore e arritur mbi bazën e realitetit të jetesës së përbashkët dhe interesave të përbashkëta midis vendasve dhe emigrantëve. Sipas tij, me ketë vendim që është marrë tashmë, emigrantët do të jetën pjesë reale e jetës politike, social-ekonomike dhe kulturore greke: “Emigrantët do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta”, - thotë përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme në Athinë.

Vështirësi në proces
Largimet e punonjësve sezonalë dhe reduktimet e administratës publike në Greqi, gjatë periudhës së krizës ka vënë në vështirësi përshpejtimin e procedurave të dhënies së nënshtetësisë për emigrantët e huaj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ka rëndësi që procesi nuk ka ndërprerje, por vetëm vonesa. Sekretari i Përgjithshëm i Politikës së Emigracionit të Ministrinë e Brendshme, Takis pohon se në qendër të vëmendjes janë fëmijët që kanë arritur moshën e maturuar, të cilët përgatiten për të hyrë në tregun e punës. Një tjetër problem që del rrugës është zbatimi i ligjit të ri nga administrata, së cilës do ti duhet jo pak kohë për ta përvetësuar dhe zbatuar në praktikë.

DOKUMENTET QË DUHEN PËR NËNSHTETËSINË

1- Kërkesë dhe deklaratë regjistrimi në regjistrin e banorëve të bashkisë në vendbanimin ku qëndron në mënyrë të përhershme familja

2- Certifikatë lindjeje e fëmijës

3- Certifikatë martese e prindërve (nëse ekziston )

4- Fotokopje e legalizuar e totullit të vlefshëm të qëndrimit të prindërve

5- Vërtetim për kohën e qëndrimit të ligjshëm të prindërve në Greqi, ku të rezultojë se kanë të paktën pesë vjet qëndrim të ligjshëm dhe të vazhdueshëm

6- Fotokopje e legalizuar e pasaportës së prindërve

7- Taksë (paravoli ) 100 euro që paguhet në shërbimin financiar të bashkisë së vendbanimit

8- Vërtetim për kohën e ndjekjes së shkollës nga drejtoria rajonale arsimore, për rastet ku aplikimi për marrjen e nënshtetësisë bëhet mbi bazën e dispozitës që përcakton se fëmija duhet të ketë kryer me sukses të paktën gjashtë klasë të shkollës greke

PËR FËMIJËT NË MOSHË MADHORE

Për fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi dhe në momentin e publikimit të ligjit janë 18 vjeç, parashikohet procedurë e posaçme. Për këtë kategori fëmijësh kërkohet që të kenë një banim të vazhdueshëm e të ligjshëm prej shtatë vjetësh në Greqi. Ky qëndrim duhet të vërtetohet zyrtarisht

Si veprohet kur rrëzohet aplikimi i nënshtetësisë

Në rastet kur ju aplikoni për nënshtetësinë greke dhe rrëzohet nga autoritetet, atëherë ka edhe një mundësi tjetër për çdo aplikant. Ai mund të ankohet pranë Këshillit të Nënshtetësisë që shqyrton kërkesën në nivelin e dytë. Në rast se edhe përgjigja e këtij organi është negative, atëherë ai mund ta drejtojë ankimimin e vet në Këshillin e Lartë të Shtetit. Vetëm nëse nuk merr pëlqimin edhe në këtë instancë kërkesa për natyralizim e shtetasit të huaj, aplikanti humbet të drejtën e nënshtetësisë.

Kriza greke largon emigrantët, alarm për dëmet financiare

Kriza e vazhdueshme ekonomike në Greqi ka alarmuar autoritetet e Athinës për pasojat financiare që mund të sjellë një zhvendosje masive e emigrantëve në vendet e tyre të lindjes. Shumë prej të huajve që kanë punuar që nga fillimi i viteve “90 janë mirë-integruar edhe në jetën financiare të vendit. Ata kanë llogari bankare, kanë kontribute në skemat e sigurimeve shoqërore dhe kanë investuar. Një largim i mundshëm i tyre do të thotë një tërheqje e depozitave nga bankat, apo edhe tërheqjen e dosjeve të sigurimeve sociale. Për pasojë, kjo mund të shkaktojë gropë jo të vogël në institucionet financiare të Greqisë, të cilat ndodhen në vështirësi të madhe që prej vitit 2009. Në ndryshim nga rastet e tjera, Athina zyrtare ka kërkuar që të mos ketë largime masive të emigrantëve, madje ka liberalizuar procedurat e dhënies së lejeve të qëndrimit dhe të nënshtetësisë, ndonëse një gjë e tillë është kundërshtuar ashpër nga opozita greke.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›