E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të, ndihmë 75 milionë USD Shqipërisë për sektorët jetikë



Ervin KOÇI

Plot 75 milionë dollarë është ndihma që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të japin për Shqipërinë për 5 vitet e ardhshme. Por edhe pse marrëveshja parashikon periudhën tetor 2010-shtator 2015, ajo vetëm dje ka kaluar për miratim në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ndërkohë që duhet të miratohet nga Parlamenti brenda fundit të muajit janar. Për vonesën gati dy mujore, deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë, ndërsa e kanë përkrahur marrëveshjen. Përfaqësuesja e kryeministrisë Valbona Kuko e pranishme në mbledhjen e djeshme të Komisionit, deklaroi se gjatë muajit dhjetor 2010 marrëveshja nuk ishte futur në Parlament për miratim, në një kohë që ky i fundit vuri si afat të domosdoshëm miratimin e saj gjatë muajit janar. Ndërsa deputeti i PS-së në Komisionin e Ekonomisë, Arben Malaj, u shpreh se miratimi i kësaj marrëveshjeje varet nga vullneti politik. “Maxhoranca argumenton dhe kërkon futjen në rendin e ditës, qoftë për t’u diskutuar në komisione, qoftë për ti miratuar në seancë. Ky dështim i 60 ditëve të para nuk ka të bëjë fare me opozitën, dhe aq më tepër, kur jemi në një situatë, që duket si kritike sepse edhe miratimi tjetër duhet të bëhet sa më parë të jetë e mundur brenda datës 30 janar”- deklaroi deputeti socialist Arben Malaj.

Ndihma financiare
Ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të përqendrohet në përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian, duke mbështetur forcimin e institucioneve të saj demokratike, duke nxitur rritjen ekonomike dhe kryerjen e reformave të tjera në sistemin e drejtësisë, uljen e nivelit të korrupsionit dhe forcimin e shoqërisë civile. Marrëveshja parashikon ndihmë financiare për sektorin e shëndetësisë, drejtësisë, forcimin e qeverisjes dhe nxitjen e biznesit. Zbatimi marrëveshjes dhe projekteve që ajo parashikon do të mbikëqyret nga USAID-i. Fondi prej 75 milionë dollarësh parashikohet të lëvrohet deri në shtator 2015.
Objektivat e kësaj marrëveshjeje do të realizohen përmes zbatimit të veprimtarive të përzgjedhura në katër fushat e programit si: shëndetësi, shteti ligjor, qeverisje e mirë dhe rritje e sektorit privat. Harku kohor i realizimit të këtij projekti, llogaritet nga tetori i vitit 2010, deri në shtator të vitit 2015.

Hida: Legalizimi i kapitaleve, nuk është amnisti

Biznesit i jepet një mundësi më shumë për të rritur kapitalet e tij, por kjo nuk mund të quhet Amnisti Fiskale. Kështu e ka komentuar deputeti Subi Hida, për udhëzimin e nxjerrë nga Ministria e Financave për ligjërimin e kapitaleve të padeklaruara, kundrejt tatimit në masën 10%. Pagesa e tatimit mbi të ardhurën për kontributin në kapitalin e shoqërisë, duhet të derdhet nga individi kontribues, në llogarinë bankare të Drejtorisë Rajonale Tatimore, ku shoqëria është e regjistruar. Në fakt, këto ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, nisën që një vit më parë, si një përpjekje nga MF-ja për të çliruar kapitale të reja në ekonomi, e cila vuante nga likuiditeti.

Skaduan preferencat tregtare të Kosovës në BE

Kosova deri në fund të vitit 2010 ka pasur preferencat autonome tregtare, të cilat i ka vendosur BE-ja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe një rekomandim që këto preferenca të vazhdojnë edhe në pesë vjetët e ardhshëm. Së paku, zyrtarë të qeverisë në largim, presin që këto masa të vazhdojnë deri në vitin 2015, përderisa njohësit e çështjeve ekonomike shprehen skeptikë. Komisioni Europian në shkurtin e kaluar ka propozuar zgjatjen e këtij regjimi deri në vitin 2015. Nëse do të vazhdojnë masat autonome tregtare edhe për 5 vjetët vijues, kjo gjë do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian, që do të mbahet më 18 janar. Nëse ky vendim sërish fuqizohet në mbledhjen e Këshillit Europian, atëherë produktet e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kosovën, do të vazhdojnë të kalojnë në tregun evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore. Një nen në këtë vendim sqaron se nëse gjatë kësaj periudhe, bizneset kanë paguar doganat për produktet e tyre, ajo shumë duhet t’iu kthehet kompanive në mënyrë retroaktive.

Nga mosdoganimi në veri, humben mbi 30 milionë euro

Brenda një viti Kosova humb mbi 30 milionë euro nga moskontrollimi i kufirit në veri. Kjo pjesë e Kosovës po kontrollohet me vështirësi nga doganierët. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica ka thënë se vështirësia kryesore mbetet veriu i Kosovës, gjegjësisht moskontrollimi i dy vendkalimeve kufitare, “Porta 1” dhe “31”, në të cilat janë bërë pothuajse tre vjet që doganierët e Kosovës nuk janë të pranishëm fizikisht. “Përmes këtyre dy pikave, sipas informacioneve që kemi, vazhdojnë të vijnë sasi të konsiderueshme të mallrave, ku vozitësit apo kompani të caktuara që i udhëzojnë ata, nuk vijnë në terminalin doganor në Mitrovicë për zhdoganim përfundimtar. Terminali në Mitrovicë është pika më e afërt e Doganës së Kosovës”,- ka thënë Huruglica. I pyetur nëse ka ndonjë nismë të re për të ushtruar funksionin e doganës në veriun e vendit, kreu i Doganës ka thënë se angazhimi ka shkuar së paku në tre drejtime.

Prodhimi i armëve, Serbia rimëkëmb industrinë e shkatërruar

BEOGRAD- Industria serbe e armatimit ka filluar të rimëkëmbet. Në 2008-ën, eksportet ushtarake të Serbisë arritën vlerën prej 200 milionë dollarësh. Në vitin 2010 kjo vlerë u dyfishua, duke mos llogaritur kontratën prej 400 milionë dollarësh, të nënshkruar në nëntor, për të ndërtuar tri fabrika armësh në Algjeri. Kompania që tregton me gjashtë prodhuesit kryesorë të Serbisë, “Yugoimport-SDPR”, pohon se shitjet po ngrihen me 30% në vit që prej vitit 2002. Dragan Shutanovac, ministër i Mbrojtjes, pohon se Afrika e Veriut është synimi kryesor. Ky vit i ri mund të ofrojë më shumë fitime të majme për Serbinë. Shutanovac thotë se, Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje 500 milionë dollarëshe për të ndërtuar një spital ushtarak në një vend arab. Ai gjithashtu shpreson të fitojë një kontratë 400 milionë USD për të modernizuar tanket “M-84”, të cilat ish-Jugosllavia i ka transportuar në Kuvajt më 1991-n. Nëse Serbia fiton kontratën në Kuvajt, Shutanovac ka thënë se, një pjesë e punës do të ndahet midis kompanive në Bosnjë, Kroaci dhe Slloveni.

Qytetarët e Maqedonisë fitojnë të drejtë pune në SHBA

Pesë vende ish-komuniste të Europës janë futur për herë të parë në listën e shteteve, qytetarët e të cilave mund të punojnë përkohësisht në SHBA me viza speciale pune. Shtetasit e Maqedonisë, Sllovenisë, Estonisë, Hungarisë dhe Letonisë, kanë të drejtë të marrin pjesë në programet që lejojnë punëdhënësit amerikanë të sjellin shtetas të huaj në sektorin agrar dhe jo-agrar, ka bërë të ditur Shërbimi për Shtetësi dhe Emigracion i Shteteve të Bashkuara.

Bankat në SHBA për shkak të kredive, konfiskojnë shtëpi

Bankat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë vitit që lamë pas, kanë konfiskuar mijëra shtëpi, pasi pronarët nuk kanë paguar kreditë e marra, por sipas shënimeve zyrtare ky numër mund të jetë edhe më i madh gjatë këtij viti. Rreth 5000 pronarë të patundshmërive në SHBA vonohen në pagimin e hipotekave, së paku për dy muaj. Humbja e pasurisë në dobi të bankave sigurisht se do të jetë një dukuri e shpeshtë, pasi që shkalla e papunësisë mbetet shumë e lartë, njofton agjencia për hulumtimin e trendëve financiare, Reality Track. Gjendja më e rëndë është në shtetet Nevada, Arizona, Florida dhe Kaliforni, e cila dikur ka parapri në zhvillimin e tregtisë me patundshmëri. Vitin e kaluar rreth 2.9 mijë pronarë amerikanë kanë marr vërejtje me shkrim për mospagimin me kohë të kësteve për kredi.

18 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›