E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Shëndetësisë, anketë për trajnimin e personelit shëndetësor



Ministria e Shëndetësisë është duke kryer një anketë mbi nevojën për trajnime për personelin shëndetësor. Anketa përmban të dhëna personale dhe profilin profesional, si ndihmësmjek, mjek familjeje, mjek specialist, infermier, specializant, laborant dhe punonjës në administratë. Do të përfshihen në këtë anketim institucionet ku punon personeli mjekësor, si qendër spitalore universitare, maternitet, spital rajonal, spital rrethi apo bashkie, poliklinikë si dhe qendër shëndetësore. Po kështu, në anketë përfshihen të gjitha specialitetet dhe janë 28 të tilla.
Ministria bën të ditur se të dhënat e marra nga anketimi do të bëjnë të mundur njohjen me nivelin arsimor të personelit shëndetësor dhe nevojën që lind për trajnime. Personeli shëndetësor mund të njihet me pyetësorin edhe duke e shkarkuar atë nga faqja e internetit e Ministrisë së Shëndetësisë.
Arsimi
Një pjesë të veçantë në këtë anketë që do të realizojë Ministria e Shëndetësisë për personelin shëndetësor zë arsimimi. Kjo pjesë e anketës do të plotësohet vetëm nga infermierët, laborantët dhe punonjësit e administratës. Infermierët e laborantët do të plotësojnë alternativat e arsimimit përsa i përket atij 1-vjeçar, 2, 3 apo 3.5-vjeçar që ata kanë ndjekur. Po kështu, anketa përmban kualifikimet shtesë, si trajnime, specializime apo tituj të fituar nga punonjësit e personelit shëndetësor. Në anketim përfshihen edhe njohuritë plotësuese të punonjësve të sistemit shëndetësor si njohuri në kompjuter dhe gjuhët e huaja. Anketimi do të zhvillohet në kuadër të Sistemit të Zhvillimit Profesional të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, që përbëhet nga Qendra Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm (QKEV) për personelin shëndetësor, sistem akreditimi të programeve të trajnimit dhe sistem certifikimi për personelin shëndetësor. Këtu përfshihen sistemi i akreditimit të programeve të trajnimit si dhe sistemi i certifikimit për trajnimet profesionale. Është ngritur një sistem për akreditimin e programeve të trajnimit dhe kurseve në kuadrin e formimit të vazhduar për personelin shëndetësor. Procesi i akreditimit ka dy objektiva. Së pari, të krijojë një sistem kreditesh që do t’i jepen personelit për ndjekjen e çdo programi trajnimi ose kursi, dhe të sigurojë cilësinë e programeve të trajnimit, duke zhvilluar dhe monitoruar standardet e mësimdhënies, si dhe duke mbështetur përmirësimin e këtyre standardeve.
Sistemi
Funksioni i certifikimit është i lidhur me njohjen e aktiviteteve të trajnimeve profesionale nëpërmjet një sistemi kreditesh që mund të fitohet nga personeli shëndetësor për ndjekjen e aktiviteteve trajnuese ose për kompletimin e një numri te përcaktuar orësh të formimit të vazhdueshëm, me qëllim që të rikualifikohet për t’u rilicencuar, të avancojë në karrierë ose të marrë benefitet. Një sistem certifikimi për personelin shëndetësor është i rëndësishëm që të sigurojë që profesionistët e shëndetësisë mund të përmbushin kriteret e lidhura me zhvillim e tyre profesional nëpërmjet pjesëmarrjes në kurse të ndryshme ose didaktike.

4 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›