Moria e aksidenteve, rrugorët në “sulm frontal” ndaj shoferëve
TIRANË - Alkool në fundjavë? Nuk është aspak e ndaluar, por me kusht që të mos drejtosh makinën. Policia Rrugore, e mbështetur nga Task-Forca e ngritur enkas për sezonin veror, ka nisur kontrollet në të gjitha qytetet turistike. Përgjatë dy fundjavave, policia ka bllokuar rreth 256 patenta të drejtuesve të mjeteve, të cilët, sipas alkoolmetrit, kanë dalë se ishin në gjendje të dehur. Këtë të shtunë dhe të diel, 56 patenta janë pezulluar vetëm në qytetin e Vlorës, 110 të tjera në qytetin bregdetar të Durrësit, 30 të tjera në Velipojë dhe pjesa tjetër në Sarandë dhe Pogradec. Këto statistika zyrtare deklarohen nga burime, të cilat pohuan se kanë nisur kontrolle të rrepta në të gjitha akset kryesore. Por nuk mbeten pas edhe të dhënat për patenta të pezulluara për shkak të mbishpejtësisë. Të shtunën dhe të dielën, sipas Task-Forcës Rrugore, janë bllokuar 1000 patenta, pasi drejtuesit e mjeteve udhëtonin tej normave të lejuara të shpejtësisë. Këto kontrolle vijnë pas aksidenteve të shumta në rrugët e vendit, më së fundi më i rëndi, aksidenti tragjik i Fushë-Arrëzit. Burimet pohuan se është konstatuar se mjetet ecnin me mbishpejtësi në aksin nacional të Kukësit, në aksin e Fierit dhe në aksin Korçë-Kapshticë. Ndërkohë, operacioni i Policisë Rrugore ka gjobitur edhe 300 drejtues kamionësh, të cilët, pas kontrolleve rezultojnë se nuk e kishin të instaluar tahometrin ose kutinë e zezë, një aparaturë e domosdoshme në këto mjete, e cila tregon se me çfarë shpejtësie ka ecur edhe më parë dhe në çfarë gjendjeje është ai. Policia po zhvillon kontrolle edhe ndaj mjeteve të transportit publik për të verifikuar nëse shoferët e kanë vendosur tahometrin në automjet.
I vjedh gjyshit 550 mijë lekë, nën hetim nipi
TIRANË - I vjedh gjyshit 550 mijë lekë, vihet nën hetim një 20-vjeçar. Është Policia e Tiranës ajo që ka bërë të ditur ngjarjen dhe nisjen e hetimit ndaj të riut pas marrjes së një denoncimi. Sipas të dhënave zyrtare, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Spartak Snoli, 20 vjeç, banues në kryeqytet. Policia tha se procedimi penal në ngarkim të tij ka filluar pasi dyshohet se ka vjedhur në banesën e gjyshit të tij shumën e parave prej 550 mijë lekësh. Pas nisjes së hetimit ndaj të riut, policia tha se dosja me materialet hetimore të përpiluara nga ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vjedhjes”.
Në pranga 33-vjeçari, nën akuzë për përdhunim
DURRËS - Një i ri është vënë në pranga pasi është akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Durrësit. Sipas tyre, dy ditë më parë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Eduart Cami, 33 vjeç, lindur në Dibër e banues në Lagjen Nr. 17 Durrës, me arsim 8 klasë. Sipas policisë, arrestimi tij është bërë pasi shtetasja me inicialet B. P., 24 vjeçe, banuese në Durrës, ka bërë kallëzim ndaj këtij personi se pak ditë më parë, rreth orës 21:00, në Lagjen Nr. 13, Plazh Durrës, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Pas denoncimit policia ka bërë të mundur ndalimin e personit të akuzuar. Burimet zyrtare thanë se dosja me materialet i ka kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të “marrëdhënies seksuale me dhunë me të rritura”.
4 Gusht 2010