Grabitësit me motorë të çantave, policia kap “bandën e Myslym Shyrit”
Artan CENA
TIRANË - Dy të rinj, njëri i arrestuar dhe tjetri nën hetim në gjendje të lirë, janë cilësuar nga policia si hajdutë të shumë vjedhjeve të çantave të kryera në kryeqytet, duke përdorur motorin. Një ditë më parë, burimet zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se efektivët e Komisariatit Nr. 3 kanë arrestuar dy grabitës të çantave me motorë. Elvis Demiraj, 22 vjeç, është arrestuar, ndërsa është shoqëruar dhe më pas vënë nën hetim në gjendje të lirë është 23-vjeçari Hysen Selita. Burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se dy të dyshuarit rrëmbenin çantat e femrave kalimtare duke i tërhequr me forcë nga motori. Ngjarjet më të shpeshta, siç mësohet nga burime të Policisë, ndodhin në orët e mëngjesit dhe pasdites, kur zakonisht viktimat e hajdutëve dilnin për të shkuar në punë apo për të bërë pazar. Shqetësimet e ngritura dhe denoncimet e shumta të bëra për vjedhjen e çantave nga djem që udhëtonin me motorë kanë vënë në lëvizje policinë. Pas disa ditë hetimesh, ata kanë bërë të mundur që të ndalojnë dy të rinj, por i arrestuar është vetëm njëri prej tyre.
Zonat e vjedhjeve
Burimet policore kanë bërë të ditur se dy të rinjtë akuzohen për ngjarje të ndodhura gjatë periudhës së verës në rrugët “Myslym Shyri”, “Jordan Misja”, pranë Stacionit të Trenit etj. Por deri tani janë vetëm dy raste konkrete për të cilat policia ka folur. Nga hetimet e kryera deri tani nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ka rezultuar dhe është bërë dokumentimi ligjor në implikimin e tyre në vjedhjet e mëposhtme, të ndodhura në datat 24 dhe 31 korrik të këtij viti. Kështu, më 24 korrik, dy të rinjtë dyshohen se në rrugën “Skënder Kosturi” kanë tentuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të vjedhin çantën në pronësi të një shtetaseje. Pak ditë më vonë, në datën 31 korrik, sërish ata të dy dyshohen se në rrugën “Shyqyri Bërxolli”, në Tiranë, kanë vjedhur çantën e dorës në pronësi të një tjetër gruaje. Por jo vetëm kaq. Burime nga Policia thanë se janë duke marrë dëshmitë e grave që janë grabitur në zonat e mësipërme me qëllim evidentimin e rasteve të tjera.
Skema
Është e thjeshtë, por traumatizuese për gratë që bien viktima të kësaj vjedhjeje. Dy të rinj në një motor, njëri duke e drejtuar dhe tjetri bëhet gati. Në momentin kur ata i afrohen “presë” së tyre, “pasagjeri” zgjat dorën dhe rrëmben çantën. Motori ikën me shpejtësi dhe viktima e grabitjes nuk e merr veten për pak çaste derisa e kupton që çanta që kishte në dorë nuk është më. Dhe thirrjet për ndihmë zakonisht janë të kota, pasi motori ka ikur me shpejtësi dhe të rinjtë janë futur nëpër lagje duke humbur gjurmët. Rastet më të shpeshta të vjedhjeve të tilla kanë ndodhur në orët e mbrëmjes, kur errësira lejon më shumë mundësi arratisjeje për autorët e vjedhjeve.
Akuza
Burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se dosja me materialet në ngarkim të dy të rinjve i ka kaluar Prokurorisë së rrethit të Tiranës për konsumim të veprës penale të “vjedhjes”. Ndërkohë është duke u punuar për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, për të cilat dyshohet se të lartpërmendurit janë autorë.
Statistikat
Këtë vit vjedhjet kanë qenë një problem i madh. Në 6 muaj e parë të 2010-s, vjedhjet vazhdojnë të jenë problematike për zona të caktuara, sidomos vjedhjet e banesave, të bankave dhe lokaleve. Veprat penale në fushën e krimeve ndaj pronës janë regjistruar gjithsej 812, ndërsa janë zbuluar 368 prej tyre dhe për ngjarjet e zbuluara janë identifikuar 533 autorë.
Vjedhin kabllon telefonike në Rinas,
në pranga elektricistët e Aeroportit
KRUJË - Vjedhja e 250 metrave kabllo telefoni në Aeroportin e Rinasit ka çuar në pranga tre persona, prej të cilëve dy elektricistë të Aeroportit dhe rojën e një kompanie private. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se mëngjesin e djeshëm, në orën 03:30, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Ilir Karaj, 20 vjeç, me punë elektricist në Aeroportin e Rinasit; Kastriot Doda, 28 vjeç, me punë elektricist në Aeroportin e Rinasit dhe Sami Kallari, 58 vjeç, me punë rojë pranë SHRSF “Nazëri 2000”. Burimet zyrtare të policisë thanë se arrestimi i Ilir Karajt dhe Kadri Dodës është bërë pasi tri ditë më parë, rreth orës 22:30, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 250 metra kabllo telefonik në Aeroportin e Rinasit, që më pas e kanë djegur e shitur për skrap në një pikë grumbullimi në qytetin e Kamzës. Ndërsa vënia në pranga e Sami Kallarit është bërë pasi ka lejuar shtetasit Ilir Karaj dhe Kastriot Doda të vjedhin kabllon, material që ai e kishte për detyrë ta ruante. Pas ndalimit të tyre, dosja me materialet procedurale në ngarkim të Ilir Karajt e Kastriot Dodas për veprën penale të “vjedhjes” dhe Sami Kallarit për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.
4 Gusht 2010