E Diel, 1 Nëntor 2026

Dogana e Kakavijës, për 6 muaj në pranga 40 persona



GJIROKASTËR - Pavarësisht fluksit të këtyre ditëve, në pikën kufitare të Kakavijës, Drejtoria e Kufirit, në bashkëpunim me Policinë e Gjirokastrës, kanë vijuar luftën kundër krimit të organizuar dhe ndalimin e shtetasve në kërkim. Në harkun e 6 muajve të fundit, në pikën kufitare të Kakavijës janë arrestuar mbi 40 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale. Ndalimi dhe arrestimi i tyre është bërë i mundur pas kontrolleve që në sistemin TIMS që bëhet për çdo shtetas. Të njëjta burime shtojnë se numri më i lartë i arrestimeve është bërë kryesisht gjatë ditëve me fluks, kohë kur këta persona në kërkim kanë tentuar të kalojnë traun e doganës. Mes të arrestuarve ka persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale, që nga ato të lehtat deri në vrasje apo krime të tjera të rënda. Pavarësisht situatës së ngarkuar me menaxhimin e fluksit, uniformat blu në Kakavijë janë impenjuar në luftën kundër trafikut dhe kalimit ilegal të kufirit.

Kërcënon kushëririn me armë, arrestohet 21-vjeçari
SHKODËR - Qëlloi me armë zjarri në ajër pranë banesës së kushëririt të tij, por prangoset nga policia 21-vjeçari. Burime nga policia e Shkodrës thanë se në orët e para të ditës së djeshme, rreth orës 01:30 pas mesnatës, uniformat blu të Komisariatit të Policisë së Shkodrës arrestuan në flagrancë 21-vjeçarin Renato Malocaj. Policia tha se 21-vjeçari, banues në lagjen “Malocaj” të fshatit Trush në komunën Bërdicë të Shkodrës, ka kanosur me armë duke qëlluar në ajër kushëririn e tij. Sipas policisë, Malocaj, rreth orës 1 pas mesnatës, u kap në flagrancë me një armë automatik, së bashku me dy krehra pa fishekë, të cilat i mbante pa leje. 21-vjeçari Renato Malocaj pas një konflikti të çastit më kushëririn e tij, A. Malocaj, banor edhe ky në fshatin Trush, i është afruar banesës së këtij të fundit duke qëlluar me armë zjarri në ajër. Mbi 21-vjeçarin Renato Malocaj rëndojnë akuzat për kanosje me armë zjarrin dhe armëmbajtje pa leje.

Aksidente në rrugë, 4 të plagosur brenda pak orësh
TIRANË - Dy aksidente me bilanc 4 persona të plagosur kanë ndodhur në dy akse të vendit, Ballsh-Tepelenë dhe Lezhë-Fushë Krujë. Në aksidentin e ndodhur në aksin Ballsh-Tepelenë kanë mbetur të plagosur Elis Mara dhe bashkëshortja e tij, E. Mara. Automjeti me të cilin ata udhëtonin rezulton të ketë dalë nga rruga pas humbjes së kontrollit. Dy të plagosurit janë dërguar për mjekim në spital. Ndërsa në aksin Lezhë-Fushë Krujë, një kamion me targa TR 3591 L, ka dalë nga rruga si pasojë e një parakalimi të gabuar, duke u përplasur më pas një autoveturë. Si rezultat i këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e automjeteve të cilët gjenden jashtë rrezikut për jetën në spital.

Vdes 62-vjeçari në spital prej shkaqeve natyrore
ELBASAN - Një 62-vjeçar ka ndërruar jetë në Gramsh. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se, gjatë ditës së djeshme, në Spitalin e Gramshit ka gjetur vdekjen shtetasi Hyqmet Dedja, 62 vjeç, lindur në fshatin Posnovisht, Gramsh dhe banues në Durrës. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se nga veprimet e para procedurale të kryera nga grupi hetimor rezulton se vdekja e 62-vjeçarit ka qenë për shkaqe natyrale.

Mbjellja e Cannabisit, dy të moshuar në hetim
KOLONJË - Dy të moshuar janë vënë nën hetim për mbjellje lëndësh narkotike. Policia tha se, Musa Hajdini, 78 vjeç dhe Mahmudi Lilo, 84 vjeç, nga fshati Kurtes i Kolonjës, janë në hetim. Burime të policisë thanë se gjatë aksionit janë gjetur mbi 100 rrënjë të mbjella të llojit Cannabis sativa. Uniformat blu eliminuan lëndën narkotike duke e djegur, ndërsa të moshuarit kultivues do të ndiqen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Korçës.

4 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›