E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virozat stinore, Pavijoni i Infektivit mbipopullohet me pacientë



Në Spitalin Infektiv në QSUT fluksi i pacientëve ditët e fundit sa vjen e rritet. Shkak për këtë janë bërë virozat e stinës që duke pasur si avantazh dhe temperaturat e larta, po kthehen gati në epidemi. Kështu, një numër i madh pacientësh detyrohen t’i drejtohen spitalit me shqetësime, si: të vjella, dhimbje barku, dhimbje koke dhe temperaturë e lartë. Pjesa më e madhe e pacientëve tregojnë se vuajnë nga helmimi me orgjinë ushqimore, ndërkohë që të afërmit e tyre shprehen për një neglizhencë të theksuar nga ana e mjekëve. Ata thonë se mjekët kryejnë vizita jo të hollësishme, por sipërfaqësore, limitohen vetëm duke u dhënë receta dhe vetëm nëse gjendja e pacientit është vërtet e rëndë e shtrojnë në spital. Për papërgjegjshmëri nga ana e mjekëve u shpreh dhe nëna e një pacienti të shtruar aty, e cila tha se dy ditë më parë kishte sjellë djalin e saj në Spitalin Infektiv me simptomat e dhimbjes së barkut dhe të vjella, ndërkohë që dje e kishte operuar nga apandesiti. Pacientët po ashtu konfirmojnë një mungesë të theksuar të mjekëve në këtë pavijon. Gushti është dhe muaj pushimesh për stafin mjekësor, por ndërkohë është edhe sezoni kur fluksi i pacientëve që vuajnë nga virozat e stinës është më i larti. Shqetësues për pacientët është gjithashtu mungesa e medikamenteve. Ata shprehen se në spital falas marrin vetëm serumin dhe se të gjitha barnat e tjera janë të detyruar t’i blejnë në farmacitë aty afër. E njëjta situatë ishte dhe në disa qendra shëndetësore në Tiranë. Pacientë të shumtë paraqiteshin me simptomat e virozëve të stinës në poliklinikat e lagjes për të kryer vizitën tek mjeku i familjes. Pjesa më e madhe e tyre ishin të moshuarit dhe fëmijët nga 0-10 vjeç. Mjeku onkolog, pas një kontrolli rutinë u jepte recetën e ilaçeve dhe rekomandimet e rastit.

Nen i ri në Kodin e Punës për diskriminim gjinor

Në kontratat e punës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit do të shtohet një nen i ri për mosdiskriminim gjinor të femrave. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministrja e Punës Çështjeve dhe Shanseve të Barabarta gjatë raportimit në OKB, ku u bënë të njohura masat e marra për parandalimin e këtij fenomeni. “Shqipëria ka arritur progres në fushën e hartimit të legjislacionit për barazinë gjinore dhe dhunës në familje, ngritjen e strukturave përgjegjëse si dhe janë marrë masa pozitive për përparimin e grave në fushat e punësimit, arsimimit, shëndetësisë”, - u shpreh Kodra gjatë raportimit në Selinë e OKB-së. Ajo deklaroi se gjatë raportimit, delegacioni shqiptar i informoi ekspertët rreth progresit të bërë në këto vite (2003-2009) në hartimin e legjislacionit të ri dhe specifik për barazinë gjinore dhe marrjen e masave të posaçme për arritjen e barazisë gjinore në shoqëri, të tilla si: aplikimi i kuotës neutrale gjinore në masën 30 për qind gjatë zgjedhjeve për Kuvendin; në programet për nxitjen e punësimit të punëkërkueseve femra, aplikuar nga Ministria e Punës; në programet e formimit profesional falas për gratë në nevojë; udhëzimet e Ministrisë së Arsimit për rritjen e përfaqësimit të grave në sistemin e menaxhimit dhe drejtimit në shkolla. Duke u ndalur në pyetjet që bënë ekspertët e OKB rreth zbatimin e neneve 7-9 të Konventës, të cilat kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe publike, Kodra vuri në dukje se u vlerësua pozitiv miratimi i Ligjit për Barazi Gjinore dhe vendosja e kuotës 30 për qind si dhe miratimi i kësaj kuote në Kodin Zgjedhor. Po ashtu, zëvendësministrja e Punës bëri me dije edhe nismat që po ndërmerren për përmirësime ligjore të cilat parashikojnë që viktimat e dhunës në familje gjatë proceseve gjyqësore të trajtohen falas si dhe penalizmin e fenomenit të dhunës në familje.

4 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›