E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinqeriteti i institucioneve të Kosovës

Ajo që më shtyu të shkruaj është deklarata që bëri shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Maqedonisë. Milloshoski deklaroj se “...së shpejti do të vendosen marrëdhëniet e plota diplomatike me Prishtinën...Demarkacioni është në fazën finale dhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2001 dhe planin Ahtisaari...”. Këtë deklaratë e transmetoj edhe RTK-ja, në lajmet qendrore me 21 dhjetor. Marrëveshja e demarkacionit e viti 2001, e bërë në mes të Maqedonisë dhe Serbisë, është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës. Është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës sepse 2800 hektarë tokë (Dobëllde), pronë e qytetarëve të Kosovës dhe pa i pyetur fare ata, i falen Maqedonisë. Kështu Kosova po humbë territor të vetin. Kjo marrëveshje përshkruhet kështu në pakon e Ahtisaari-t: Citat: 3.2. Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Federative  të Maqedonisë më 23 shkurt 2001. (Në deklaratën e tij të 7 marsit 2001, kryesuesi i Këshillit të Sigurimit, ndër të tjera përmendi: “Këshilli i Sigurimit bën thirrje për nevojën e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Në këtë kontekst thekson se marrëveshja mbi demarkacionin e kufirit, e nënshkruar në Shkup më 23 shkurt 2001… duhet të respektohet nga të gjithë”). Nëse përcaktimi i vijës kufitare po bëhet në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës, atëherë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës duhet ta kundërshtojnë hapur  deklaratën e ministrit të punëve të jashtme të Maqedonisë. Jo vetëm ta kundërshtojnë këtë deklaratë, por edhe ta thonë troç të vërtetën mbi  përcaktimin të vijës kufitare. Nëse përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk e bëjnë këtë, nëse nuk e thonë të vërtetën, atëherë duhet të konstatojmë me dhimbje se qytetari i Kosovës po e merr vesh të vërtetën mbi përcaktimin e vijës kufitare, jo nëpërmjet institucioneve të veta, por nëpërmjet përfaqësuesit të institucioneve të një shteti tjetër. Nuk është hera e parë që institucionet e Kosovës nuk janë të sinqerta ndaj qytetarëve të vet. Dhe kjo mungesë transparence është evidente në çdo fushë të jetës. Edhe plani gjashtë pikësh ndërmjet Ban Ki-Moon-it dhe Serbisë për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, e vërteton katërçipërisht këtë. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës ndryshe veprojnë e ndryshe deklarohen. Fjalët i kanë në kundërshtim të plotë me veprat e tyre. E para e mohon të dytën. E para, - fjalët e  bukura,- i kanë për t’u paraqitur para qytetarëve si mbrojtës të denjë të interesave të tyre. E dyta,- veprimet praktike,- i bëjnë për vënien në jetë të atyre marrëveshjeve që janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Një marrëveshje e tillë e dëmshme për interesat e qytetarëve dhe për Kosovën në përgjithësi, është përcaktimi i vijës kufitare Kosovë-Maqedoni, mbi bazën e marrëveshjes së vitit 2001 dhe planit Ahtisaari. Sa më shumë që të vetëdijesohen qytetarët për gjendjen në të cilën ndodhen, sa më shumë që ta kuptojnë të vërtetën për rreth tyre, aq më afër do të jetë dita kur këta përfaqësues nuk do të kenë mundësi të sillen kështu në mënyrë të papërgjegjshme ndaj tij. Vetëdijesimi i qytetarëve do të ndëshkojë çdo mos transparencë të institucioneve, do të ndëshkojë çdo marrëveshje që bëhet në kurriz të tij. Vetëdijesimi i qytetarit do ta bëjë vet qytetarin pjesë e çfarëdo marrëveshjeve që bëhen për të. Sa më shpejt që të vetëdijesohet qytetari, sa ma shpejtë që të zgjohet ai nga jeta e fjetur, aq ma mirë do të jetë për të,- për të tashmen dhe të ardhmen e tij,- aq ma të vështirë do ta kenë institucionet e Kosovën të sillen në mënyrë ta papërgjegjshme ndaj tij.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›