Bilanci i një lëvizjeje sovraniste në Prishtinë
2008 erdhi dhe shkoi. Ishte ky një vit i ndodhive të shumta në skenën politike. Asnjë nga to nuk u shndërrua në ngjarje – shkëputje radikale nga e kaluara që ia hap rrugën një të vërtete të re drejt emërimit të gjërave të paemëruara deri në momentin e ngjarjes (pavarësia e Kosovës që do të rridhte nga vullneti politik i popullit e që do të nënkuptonte shkëputje nga Rezoluta 1244 dhe shndërrim të Kosovës në shtet sovran), dhe asnjëra nuk arriti të bëhet politike – ndryshim radikal në shpërndarjen e pushtetit (pra kalimi i pushtetit në tërësi nga UNMIK-u në institucionet sovrane të Kosovës). Viti 2008 na gjeti nën 1244 e UNMIK. Ai po na len po ashtu nën 1244 e UNMIK+EULEX. Ishte ky një vit që u cilësua historik nga politikanët e vendit. Këta politikanë, dhe zëdhënësit e tyre medial, e kategorizuan secilin muaj e thuajse secilën ditë të vitit si ndodhi në vete me rëndësi historike. Janë po këta njerëz të cilët e mohojnë historinë e popullit të Kosovës duke e shkurtuar atë dukshëm (Kosova na qenka shndërruar në çështje prej se erdhi Milosheviqi në pushtet) apo duke tentuar ta rilexojnë atë në retrospektivë (Serbia nuk e ka aneksuar Kosovën nga Shqipëria dhe ne kurrë nuk paskemi qenë pjesë e kombit shqiptar, madje asnjëra prej ngjarjeve politike të së kaluarës, përfshirë Lidhjen e Prizrenit, nuk kanë pasur karakter e as qëllim kombëtar, por tjetër). Natyrisht, për ta vlerësuar 2008-tën si vit historik, duhet ta mohosh tërë atë që historia jonë e ka kërkuar në të vërtetë – bashkimin kombëtar – për ta zëvendësuar me atë që historia e tyre e ofron – pavarësi formale pa substancë sovraniteti, me ndarje të thellë përbrenda, dhe misione sunduese ndërkombëtare përmbi. Viti 2008 vërtetë është Historia vetë, e këtillë çfarë politikanët e ofrojnë. Këtë e kundërshtuam vazhdimisht. Në fillim të vitit EULEX-i ishte duke u negociuar. Ai kishte marrë pëlqimin e Prishtinës, mirëpo jo edhe të Beogradit. Për të nuk e kishin përfunduar ujdinë madje as vendet e Bashkimit Evropian. Mirëpo një gjë dihej qartë qysh nga 2007-ta, në Kosovë do të ketë një mision policor e gjyqësor i cili do të kishte kompetenca ekzekutive përmbi institucionet e Kosovës, nuk do t’i jepte llogari popullit të Kosovës (madje as institucioneve të Kosovës të cilat do ta thërrisnin e mirëprisnin), dhe do ta ruante imunitetin unmikian nga ligjet e vendit. Më 22 janar aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! zgjodhën semaforët e Prishtinës për ta shprehur kundërshtimin ndaj këtij misioni dhe për t’i vetëdijesuar qytetarët në lidhje me të. Në dritën e kuqe i ngjitëm fletushkat ngjitëse në të cilat shkruante “JO EUNMIK”, ndërkaq në të gjelbrën “Vetëvendosje”. Atëbotë emrin EULEX-it nuk ia dinim, mirëpo zanatin kishim pasur rast t’ia shohim në UNMIK. Ky aksion u përsërit edhe disa herë gjatë vitit. Më pas u shpall emri – misioni policor dhe gjyqësor do të quhej EULEX. Më 4 shkurt ishte miratuar Plani për Veprim të Përbashkët të Këshillit të BE-së, dokument bazë për misionin në Kosovë. Ky dokument kishte referencë të vetme Rezolutën 1244. Kosova nuk do të lejohej të qeveriset nga populli i saj. Neve prapë do të na sundonte një mision i huaj, një UNMIK tjetër, fuqia politike e të cilit do të jetë cungim i drejtpërdrejtë i lirisë sonë. Më 6 shkurt, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! shkruan parullën kundërshtuese ndaj këtij misioni, në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës. Gjatë zhvillimit të aksionit në qytetet Besianë dhe Prizren, policia arrestoi dhunshëm aktivistët tanë si dhe konfiskoi shabllonët dhe sprejat me të cilët aktivistët e shkruanin parullën. Këtë parullë aktivistë e kanë përsëritur gjatë tërë muajit.
Procesi politik kundër aktivistit të Lëvizjes Albin Kurtit, që filloi më 10 Shkurt të vitit 2007 vazhdoi edhe në vitin 2008. Ai ishte mbajtur në paraburgim, dhe arrest shtëpiak deri më 19 dhjetor të vitit 2007, kur gjyqi i UNMIK-ut ia hoqi Albinit të gjitha kufizimet e lëvizjes. Albini u arrestua prapë më 30 janar të vitit 2008 me urdhër të gjyqit politik të UNMIK-ut pasi që nuk iu përgjigj ftesës së këtij gjyqi për pjesëmarrje në seancë. Albini kishte treguar publikisht se gjykimi kundër tij ishte i motivuar nga politika e jo nga drejtësia, dhe se nuk e pranonte as gjyqin e as trupin gjykues. Prandaj edhe nuk i përgjigjej atyre. Përbrenda javës prej 4 deri më 8 shkurt Albini i pati 3 seanca gjyqësore. Asnjë prej avokatëve nuk pranoi ta mbrojë Albinin pa pëlqimin e tij. Më 8 shkurt, gjyqi i padrejtë i UNMIK-ut u dorëzua para vetëdijes morale parimore të të gjithë avokatëve të Kosovës. Kryetari i Odës së Avokatëve, Ramë Gashi, refuzoi personalisht që të emërohet nga UNMIK-u si avokat mbrojtës dhe paralajmëroi që ky institucion nuk do të caktojë avokatë tjerë lidhur me këtë rast. Si rrjedhim, trupi gjykues i UNMIK-ut i udhëhequr nga Maurizio Salustro pezulloi rastin kundër Albinit dhe e liroi atë nga burgu deri në një kohë kur do ta gjente një mënyrë tjetër për vazhdimin e procesit. Pasi i vrau demonstruesit paqësor më 10 Shkurt 2007, UNMIK-u përfundimisht dështoi në shfajësimin e vetes duke e fajësuar e dënuar Albinin. Rasti kundër Albinit u pezullua dy ditë para se të mbushej një vit nga vrasja makabër që policët e UNMIK-ut i bënë Arben Xheladinit e Mon Balajt në qendër të Prishtinës. Për t’i kujtuar dy dëshmorët më të rinjë të Kosovës Lëvizja Vetëvedosje! organizoi homazhe te varreza e Monit në Besianë dhe te ajo e Arbenit në Prishtinë, pasi i kishte vendosur pllakat e mermerta në to një ditë më parë; organizuam akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ku përveç fjalimeve u shfaq edhe filmi dokumentar ’10 Shkurti’ i shpallur si filmi më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë; si dhe e vendosëm pllakën përkujtimore në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, vendin ku kishin rënë Moni dhe Arbeni. Ai dhe Moni kishin rënë duke kundërshtuar Planin e Ahtisaarit. Mirëpo ky Plan kishte mbetur agjenda e vetme politike e institucioneve të Kosovës dhe ndërkombëtarëve këtu. Për ta fshehur përmbajtjen e dëmshme të Planit të Ahtisaarit nga populli i Kosovës, UNMIK-u dhe disa përfaqësues ndërkombëtar në Kosovë kërkuan nga Kuvendi i Kosovës që t’i miratojnë ligjet që dilnin nga ai Plan brenda një kohe të shkurtër, duke e anashkaluar kështu jo vetëm demokracinë pjesëmarrëse (pa referendum për qytetarët e Kosovës) por edhe demokracinë përfaqësuese (deputetët në kuvend) në emër të së cilës vazhdimisht thirren. Më 15 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje deputetëve që ta mbrojnë vullnetin e qytetarëve duke mos i votuar ato ligje. Atë ditë, para hyrjes së parlamentit, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s iu shpërndan trakte deputetëve që hynin në seancë. Në to atyre u tërhiqej vëmendja kah dëmet e përgjithshme e të veçanta që po do t’ia shkaktojnë Kosovës me këto ligje, si dhe kah përgjegjësia historike të cilën po e merrnin me ngritjen e dorës për këto ligje. Dy ditë më pas, më 17 shkurt, këta deputet miratuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, tekstin e së cilës nuk kishin pasur rast ta shohin a dëgjojnë deri në momentin kur kishin hyrë në sallën e Kuvendit. Në këtë Deklaratë ata e shpallën Planin e Ahtisaarit, u zotuan se do ta zbatojnë atë në tërësi pavarësisht se çka ndodh, e thirrën vazdhimin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovës sipas Rezolutës 1244, e thirrën misionin policor e gjyqësor të BE-së t’i merr kompetencat në Kosovë (edhe ky mision i bazuar në Rezolutës 1244), e lejuan UNMIK-un të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë. Me këtë Kosova kishte bërë një hap para (njohja që Kosovës ia kishin bërë një numër i shteteve të fuqishme të botës), dhe tre hapa prapa (zotimi për zbatimin e Planit të Ahtisaarit që do të rezultojë me entitetin serb brenda Kosovës ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje; thirrja që i bëhej ICO-së dhe EULEX-it që cenojnë drejtpërdrejt vetëvendosjen e brendshme duke mos lejuar edhe më tutje që Kosova ta qeverisë veten; forcimi dhe zgjerimi i Serbisë brenda Kosovës gjatë javëve pasuese të shpalljes si dhe kontrabandimi i flamurit, stemës dhe ligjeve që dalin nga Plani i Ahtisaarit). Më 15 mars Shqipërinë e goditi Gërdeci. Nga shpërthimi i municionit në asgjësim humbën jetën 26 persona. Në shenjë bashkëndiesie e solidariteti kombëtar, Lëvizja Vetevendosje së bashku me disa organizata tjera organizoi dhënien e gjakut për viktimat, si dhe homazhe më 16 mars në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Më pas bashkë shkuam deri të zyra e Shqipërisë për t’i shprehur ngushëllimet tona.
Kosova ishte njohur ndërkombëtarisht nga disa shtete. Por ajo nuk ishte bërë. Ajo nuk u bë gjatë tërë vitit 2008. Më 23 mars ia dorëzuam institucioneve të Kosovës 10 hapat e pavarësimit – Doracak për atë se si të pavarësohemi, që paraqisnin 10 hapat fillestarë për ta marrë pushtetin në duart e veta, dhe për ta shndërruar veten nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Institucione sovrane të Kosovës. Institucionet më vonë e ndryshuan emrin, por jo edhe përmbajtjen e tyre (çimen e ndërruan por zanatin e lanë të paprekur). 10 hapat përfshinin krijimin e institucioneve mbrojtëse të Kosovës, duke e shndërruar TMK-në në Ushtri të Kosovës si dhe arritjen e marrëveshjeve të veçanta për mbrojtje me shtetet mike që na kishin njohur, pas një marrëveshjeje bashkëpunimi të ngushtë me Shqipërinë në të gjitha fushat. 10 hapat po ashtu kërkonin marrjen e kontrollit të plotë përmbi policinë, si dhe përjashtimin e UNMIK-ut nga Kosova, tërheqjen e zotimit për zbatim të Planit të Ahtisaarit, si dhe moslejim të asnjë misioni të huaj me pushtet ekzekutiv përmbi ne. Qeverisë së Kosovës ia dorëzuam një palë dhëmbë, për shkak se ajo nuk i kishte të sajat. Prandaj nuk kafshonte, dhe mungesa e dhëmbëve të Qeverisë së Kosovës ia hapte derën Serbisë ta kafshojë Kosovën. Strukturat ilegale, paralele e kriminale të Serbisë i dogjën dy pikat doganore në pjesën veriore të Kosovës, uzurpuan ndërtesën e gjykatës në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, vranë një polic ndërkombëtar atje, uzurpuan rrjetin hekurudhor të Kosovës në veri, të gjithë policët e punësuar në ShPK bojkotuan punën. Asnjë person i vetëm nuk u dënua. Ata që u arrestuan për hir të spektaklit medial u lëshuan pas një kohe të shkurtër. Më 20 prill aktivistët e qendrës së Prizrenit ekspozuan në qytet (pranë Urës së Gurit) fotografi nga aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje! SHPK-ja veproi duke cenuar drejtpërsëdrejti lirinë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës. Ajo arrestoi 7 aktivistë si dhe konfiskoi 165 fotografi të e ekspozitës. Zhvillimet në terren ia rritnin apetitin Serbisë. Pas kafshimit të parë, dhe lehtësisë me të cilin u zhvillua ai, erdhi kafshimi i dytë. Më 11 maj Serbia do t’i mbante zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale edhe brenda territorit të Kosovës. Këtu do të votohej përveç për deputetët nga Kosova në parlamentin e Serbisë, edhe për kryetarët e komunave të Kosovës. Këto zgjedhje UNMIK-u i lejoi. Politikanët e Kosovës i kundërshtuan. Nuk i përdorën dhëmbët që ua dorëzuam. Pa dhëmbë ata nuk kafshonin dot. Prandaj ‘kundërshtimi’ i tyre nuk ishte i tillë. Lëvizja VETËVENDOSJE!, më 9 maj organizoi demonstratë gjithëpopullore kundër këtyre zgjedhjeve. Mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë. Së pari ndaluam te UNMIK-u. Derisa bërlloku hidhej në kontejnerin më të ri, dhe më të madh në Kosovë, vetë kontejneri (ndërtesa e UNMIK-ut) spërkatej nga aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me ujëra të zeza. Aktivistët bartnin maska kundër kundërmimit me mbishkrimin “…sepse UNMIK-u dhe Qeveria po qelben…”. Të njëjtën gjë ia bëmë edhe kontejnerit tjetër (ndërtesa e Qeverisë së Kosovës). Krejt në fund të aksionit, si te UNMIK-u ashtu edhe te qeveria, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i varën në hyrjet e këtyre dy objekteve 5 arsyet e demonstrimit.
Pas shpalljes së pavarësisë, në vend të lirisë dhe përmbushjes së vullnetit, popullit i Kosovës iu nënshtrua një procesi të dhunshëm politik të shkombëtarizimit. Për herë të parë prej se ekzistojmë si komb politik, na u imponua një flamur tjetër prej atij që e kemi njohur për tonin, filloi të na thuhet se nuk qenkemi shqiptarët që e dijmë se jemi, por kosovarë që nuk dihet se ç‘janë. Na u tha që 28 Nëntori është festë e një populli tjetër, e që Lidhja e Prizrenit qenka bërë për dikë tjetër, edhe pse Prizreni ishte në territorin tonë. Më 2008 u bënë 130 vjet prej organizimit të parë mbarëkombëtar politik e ushtarak të shqiptarëve. Kjo Lidhje e vendosi themelin e çlirimit të Shqipërisë dhe krijimit të një shtetit për shqiptarët. Lëvizja Vetëvendosje , së bashku me organizatën 28 Nëntori nga Vitia, e shënuan përvjetorin e 130 të Lidhjes së Prizrenit nën moton Lidhja eshte gjallë. Më 10 qershor 2008 qytetin I Prizrenit mbush me flamuj kombëtar, qytetarëve iu shpërndanë fanela me mbishkrimin “Lidhja është gjallë”, nëpër kafiteri u shpërndan CD me këngë shqipe me qëllim që gjatë ditës së sotme të dëgjohet vetëm shqip. Në mbrëmje aktivistët e dy organizatave marshuan me flakadanët në dorë nga Kalaja e Prizrenit deri poshtë te shtëpia muze e Lidhjes së Prizrenit. Pushteti nuk e njihte këtë ditë si festë zyrtare. Megjithatë kishin vendosur flamuj të kaltër të kontrabanduar nëpër rrugët e qytetit. Pushteti nuk e festonte Lidhjen dot, por ama kishte vendosur që mos t’i lejojë qytetarët të festojnë siç dëshirojnë ata. Dy ditë më pas ishte një përvjetor tjetër – këtë radhë shumë më modest, dhe më i ri në kohë. Më 12 qershor 2008 Lëvizja Vetevendosje! I mbushi 3 vjet aktivizmi, ballafaqimi e kundërshtimi. Në të njëjtën ditë 3 vite më parë, dhjetëra djem e vajza aktivistë filluan aktivitetin “JO NEGOCIATA. Vetevendosje”. Ne kundërshtuam negociatat me Serbinë, duke e ditur ku çojnë ato. Falë punës së vazhdueshme dhe aktivitetit këmbëngulës të VETËVENDOSJE!-s, veprimtaria jonë progresive filloi me shkrimin e parullave dhe arriti në demonstrata masive të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje. Përgjatë tre vjetëve prej se ekzistojmë, ne kishim organizuar 250 tubime nëpër fshatrat e Kosovës, qindra aksione kundër UNMIK-ut e IPVQ-ve si dhe dhjetëra demonstrata kundër negociatave me Serbinë, Pakos së Ahtisaarit Grupit Negociator, të cilat janë zhvilluar jo vetëm në Kosovë, por edhe New York, Gjenevë, Stokholm etj. Në shënimin e 3 vjetorit të aktivizmit në oborrin ku gjendet zyra e Vetevendosje!-s u ekspozuan 100 fotografi nga veprimtaria e deriatëhershme, pamje këto që tregojnë punën tonë të përditshme, aksionet, tubimet dhe demonstratat. Në mbrëmje organizuam një aheng të vogël. Duke filluar nga 3 korriku e deri më 22 gusht, Lëvizja, së bashku me një numër organizatash tjera që veprojnë në Mitrovicë organizuan protesta të njëpasnjëshme kundër vendosjes së maunave me material helmues në Kompleksin Trepça në Mitrovicë. Qytetarët e Mitrovicës u përzunë nga pjesë veriore e qytetit në vitin 2000 nga strukturat paralele të Serbisë. Më 2008 ata po helmoheshin në pjesën jugore të qytetit nga Qeveria e Kosovës. Njësitet speciale të ShPK-së intervenuan në disa raste kundër këtyre protestave. Në njërin prej intervenimeve, kur i kishin arrestuar 17 protestues, i kishin rrahur 5 aktivistë të Lëvizjes! Në të njëjtën kohë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës strukturat paralele të Serbisë nuk lejonin ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat shqiptare atje. Askush nuk u arrestua. Njësitet speciale të ShPK-së asnjëherë nuk u dërguan në atë pjesë të qytetit. Protestat e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të qytetarëve bënë që maunet të largohen nga Mitrovica dhe që asgjësimi i tyre të bëhet nën kontroll të vazhdueshëm.
Qendra e gravitetit do të duhej që t’i tërhiqte pjesët e ndara në drejtim të saj. Ky ligj i fizikës, do të duhej që të shërbente edhe në rastin e shqiptarëve. Shqiptarët u ndanë padrejtësisht në shumë shtete në kongresin e Berlinit më 1878 e më pas edhe në konferencën e Londrës më 1913. Pjesa më e madhe e shqiptarëve mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Tirana do të duhej, pra, që të ishte qendra e shqiptarëve, qendra e organizimit të të gjithë shqiptarëve që ata të jenë një dhe të pandashëm. Sado që të organizohen shqiptarët në Kosovë, Shkup e Tetovë, Çamëri, Preshevë e Bujanoc, Plavë e Ulqin, asnjëherë nuk do të arrihet suksesi i dëshiruar nëse nuk ka organizim dhe burim të organizimit në Tiranë. Politikat zyrtare të shqiptarëve nuk po e bëjnë një gjë të tillë, por të kundërtën e saj. Nën organizimin e Klubit Kombëtar nga Tirana dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!, më 28 gusht në Tiranë u mblodhën 18 organizata shoqërore nga të gjitha trojet e banuara me shqiptarë. U mblodhën lëvizje, organizata, shoqata e shoqëri, rrjete studentore, klube etj. të cilat merren me probleme të veçanta që nga mbrojtja e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, mbrojtja e ambientit, arsimi, kultura e antikorrupsioni, e deri te ato që veprojnë për arritjen e lirisë kolektive të shqiptarëve. Aty u dakorduam që për fillim t’i bashkëorganizojmë dy aktivitete: shënimin e përbashkët e 28 Nëntorit dhe një turne ligjëratash e tubimesh nëpër universitetet shqiptare. Ky bashkëpunim i ri u pagëzua RrOSh (Rrjeti i Organizatave Shqiptare). Gjatë dy javëve të fundit të tetorit u mbajtën ligjëratat e para në 4 universitete të Shqipërisë. Turneu i RrOSh filloi në Universitetin Shtetëror të Tiranës, për të vazhduar më pas në Universitetin Europian të Tiranës, dhe për të përfunduar në Universitetin e Durrësit. Në vjeshtën e vitit 2008 filloi të merr dhe përmbajtje përfundimtare EULEX-i. Baza juridike e EULEX-it filloi të dal sheshazi, përderisa kësaj iu shtuan edhe 6 pika të dakorduara mes Serbisë dhe OKB-së për thellimin e ndarjes institucionale e territoriale të Kosovës na vija etnike. EULEX-i do të vendosej në Kosovë për zbatimin e kësaj ndarjeje. Përndryshe Serbia nuk e pranonte. E EULEX-i nuk vinte pa pranimin e Serbisë. Më 13 tetor aktivistë të Lëvizjes i ngjiten gjithsej 3.000 posterë gjithandej nëpër Kosovë. Në ta shihej Yves de Kermabon në fotografi me Dragan Paskashin, shef i Shtatmadhorisë së Armatës së Serbisë, dhe De Kermabon vetëm. Gjenerali francez, Yves de Kermabon, është emëruar si Kryesues i Misionit të EULEX-it, në bazë të VPKBE-së, me datë 4 shkurt 2008. Ai është ushtaraku që e ftoi dhe e priti në Prishtinë gjeneralin serb Dragan Paskash në vjeshtën e vitit 2005, dhe i cili tash u shndërrua në burokrat që do të sundojë me Kosovën në mënyrë jodemokratike duke mos i dhënë llogari as institucioneve e as popullit të Kosovës. Prandaj, Yves De Kermabon është i denjë për ta kundërshtuar me “J’accuse...!”. 6-pikëshi i kërkuar nga Serbia dhe i shndërruar në propozim të OKB-së qysh në qershor të vitit 2008 mori hov në nëntor të këtij viti. Në muajin organizmat OKB, BE u morrin vesh me Serbinë që EULEX dhe 6 pikëshi të jenë një dhe të vetme. Krerët politik të Kosovës kinse e kundërshtonin, mirëpo nuk ndërmerrnin asgjë kundër kësaj copëtimi diplomatik të territorit të Kosovës. Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu nuk kishin plan të vetin, por vetëm fraza boshe. Më 12 nëntor, Lëvizja VETËVENDOSJE!, në një konferencë për medie publikoi strategjinë që do të duhej të përdorej nga institucionet e Kosovës për ta marrë kontrollin në veri. Këto pika ishin të domosdoshme në luftimin e Serbisë që kishte hyrë brenda territorit të Kosovës: · Marrja e sovranitetit (shndërrimi i TMK-së në Ushtri, marrja nën kontroll të plotë të policisë); · Policia e Kosovës në veri (një kazermë me Njësitë Speciale të Policisë dhe përgjithësisht prani më e madhe e policisë atje); · Rivendosja e kontrollit në pikat kufitare; · Prerja e lidhjeve politike ndërmjet Serbisë dhe strukturave paralele: Sfidimi i strukturave paralele; · Inicimi i veprimeve legale kundër strukturave paralele; · Mospranimi i komunës së veriut të Mitrovicës; · Reciprociteti i të drejtave me Luginën e Preshëvës; · Prerja e varësisë së serbëve lokal nga Serbia dhe brishtësia e shqiptarëve: Garim me strukturat e Serbisë.
Më 19 nëntor, Lëvizja Vetevendosja! së bashku me 20 organizata tjera, organizoi demonstratë kundër 6 pikave të Ban Ki Moon-it. Trajektorja e cila u përshkua nga demonstruesit kishte formën e shkronjës S, që simbolizonte sovranitetin. Kundër 6 pikave dhe kundër EULEX-it u demonstrua edhe më 2 dhjetor ku vetëm sa vinte e rritej numri i demonstruesve. Demonstruesit e mbledhur,ia refuzuan vizën hyrëse EULEX-it në Kosovë dhe e shpallën PSSP-në Lamberto Zannier persona non grata. Ndërkohë që të gjithë së bashku brohoritën Jashtë, duke kërkuar përjashtimin e EULEX-it dhe UNMIK-ut. Njëkohësisht në mutin e UNMIK-ut kemi shkruar : UNMIKOLONIALIALIZËM dhe EULEX Made in Serbia. Ndërsa te ndërtesa e kuvendit demonstruesit, të drejtuar kah institucionet, brohorisnin PO RRENI!. 28 Nëntori i vitit 2008 u shënua bashkë nga Rrjeti i Organizatave Shqiptare. Në Prishtinë, Tiranë, Shkup e Preshevë, shënimi u shënua bashkë, kishte një frymë dhe një moto: JEMI NJË. Në Prishtinë u organizua panair i produkteve dhe traditës shqiptare. Sheshi Nënat Terezë ishte veshur i tëri në ngjyrat Kuq e Zi, përderisa nëpër rrugë dëgjoheshin këngët dhe shiheshin vallet tradicionale të shqiptarëve. Përveç prodhimeve të prodhuesve të ndryshëm nga trojet shqiptare u mbajt edhe ekspozita me fotografi me motive nga më të ndryshmet si p.sh. tradita, historia, personalitete të njohura të kombit, peisazhet nga natyra e bukur shqiptare etj. Po ashtu dhjetëra ansamble e grupe rapsodësh i kënduan e i vallëzuan Flamurit e Ditës së pavarësisë. Gjatë mbrëmjes filloi koncerti pranë Teatrit Kombëtar. Koncerte të tilla kishte edhe në Tiranë dhe Shkup. Të trija këto koncerte u organizuan nga kompania DigiAlb dhe u mbështetën nga RrOSh. Në Preshevë shënimi ishte më ndryshe – aty qytetarët u anketuan për të drejtat e tyre kombëtare (përdorimi i flamurit, Universitet në gjuhën shqipe, dhe demilitarizim të Luginës). Rezultatet e anketës u shpalosen në qendër të qytetit.
2008 ishte edhe një vit kur Lëvizja punoi në terren. Vizituam fshatra e qytete, shkolla e fakultete, fabrika e ndërmarrje për të biseduar me qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej, për t’ua shpjeguar konceptin tonë politik dhe për t’u informuar për gjendjen e përditshmërisë së tyre. Duke filluar me 11 janar, aktivistët e Lëvizjes u takuan me drejtuesit e Sindikatës së Pensionistëve të Kombinatit “Trepça” ku u diskutua për planet e AKM-ë për privatizimin e “Trepçës si dhe për format e bashkorganizimit për ndaljen e këtyre proceseve të dëmshme. Me 20 janar u takuam me fshatarët e Bishtazhinit të komunës së Gjakovës të cilët, sikurse tërë shqiptarët e Kosovës, ishin në gjendje të rëndë socio-ekonomike. Me iniciativën e vet fshatarëve, në Dumnicë, 500m. larg kufirit Kosovë-Serbi, me 12 mars, ishin ftuar aktivistët e Lëvizjes për të diskutuar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Meqenëse fshati Dumnicë është në kufi me Serbinë njëra ndër çështjet që më së shumti i brengoste fshatarët ishte siguria. Në vazhdën e punës kundër decentralizmit, aktivistët e Lëvizjes, me 20 mars, organizuan tubim ne fshatin Brus, vend ky i cili e pengon vazhdimësinë territoriale të Graçanicës dhe zgjerimit Artanës, të cilat parashihen në planin e Ahtisaarit. Me 22 mars aktivistët organizuan tubim në Rugovë të Hasit, ku me theks të veçantë u diskutua për decentralizmin, ‘eksterritoriajlitetin’ dhe misionin e ri në Kosovë ICO/EULEX. Me 2 prill aktivistët vizituan fshatin Debelldeh, në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë ku u njoftuan më për së afërmi me problemet dhe planet e fshatarëve të cilët e kundërshtonin fuqishëm marrëveshjen e vitit 2001, ku Serbia kishte bërë marrëveshje me Maqedoninë, e cila ia dhuronte Maqedonisë 2500 hektarë të Kosovës. Nga këto 2500 ha, 429 ha janë prona private e banorëve të fshatit Debelldeh. Debelldehasit u patën treguar të vendosur dhe të gatshëm për mbrojtjen e tokës së Kosovës edhe me luftë nëse e kërkon nevoja. Me 21 prill vizituam fshatin. Mogillë, i cili gjendët në komunën e Vitisë. Sipas planit të Ahtisaarit kjo komunë do t’i takoj komunës së re të Kllokot-Vërbocit. Qytetarët atje qysh në shator të vitit 2006 kishin filluar me kundërshtimin e decentralizimit me peticione dhe demonstrata. Duke e dituar rënësin strategjike që ka Mogilla u vërejt nevoja e organizmit edhe të mëtutjeshëm të fshatit. Fshatarëve të fshatit Suhadoll, të komunës së Lypjanit, procesi i decentralizmit iu kujtonte “ Reformën Agrare”, kohën e Rankoviqit, kolonizimin e Kosovës... Këto kujtime dhe brenga i shprehën përderisa aktivistët e Lëvizjes ishin për vizitë në atë fshat, (22 prill). Ndërsa në Gadime (Lypjan) Lëvizja Vetëvendosje! pati organizuar debat me fshatarë më 27 prill. Po të njëjtën ditë, vazhduam në fshatin Stanishor, ku kishim organizuam tubim, fshat i cili me planin e Ahtisaarit parashihet të jetë pjesë e komunës së trefishuar të Artanës. Në kuadër të mobilizimit të qytetarëve, kundër zgjedhjeve te Serbisë ne Kosove, Lëvizja Vetëvemdosje mbajti tubim; Vërban të Vitisë (2 maj), Mitrovicë (3maj), në Brus të Lypjanit (4maj), dhe në Samadraxhë të Therandës (5maj). Gjatë aktiviteteve dhe protestave për largimin e Maunave helmuese ne Mitrovicë, se bashku me disa organizata Lëvizja Vetëvendosje!, ka mbajtur me dhjetëra tubime në fshatrat e rrezikuar nga ky helm, gjatë muajve korrik-gusht. Vendosmëria e qytetarëve bëri që atyre tu dëgjohet zëri dhe tu plotësohet kërkesa. Korriku dhe gushti janë muajt kur bashkatdhetarët vijnë nga diaspora prandaj aktivistët e Lëvizjes, më 15 korrik organizuam tryezë ku biseduam gjerë e gjatë për aktualitet politike, dhe rëndësinë e diasporës në krejt procesin politik nëpër të cilin kemi kapërcyer si popull. Gjatë vitit 2008 kemi mbajtur dhjetëra tubime me studentët anembanë Kosovës. Kemi filluar me mjekët e ardhshëm, studentet e Fakultetit të Mjekësisë (8 janar), duke vazhduar me studentët e fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara dhe Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë, ku në veçanti ishte diskutuar për planet lidhur me shitjen me çmim sa më të ulët të Trepçës, KEK-ut dhe gjithë asaj që është pasuri e Kosovës, kjo me qëllim të shkatërrimit ekonomik të vendit dhe lodhjes së popullit nga varfëria, që pastaj të mos mund t’i rezistojë zgjidhjeve që do t’i imponohen nga lartë (10 janar). Me studentët e Fakultetit Filologjik në Prishtinë (27 shkurt), ishte diskutuar për procesin e kontrabandimit të Pakos së Ahtisaarit në emër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Me 6 maj kemi mbajtur tubim me studentët e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik, ne kohë kur Serbia kishte paralajmërua se do ti mbaj zgjedhjet se saj edhe ne Kosovë. Studentët e ekonomikut, e sidomos ata të juridikut, të cilët ishin edhe profesionalisht të familjarizuar me dukurinë politike të shkeljes së sovranitetit të Kosovës nga mbajtja e zgjedhjeve të një shteti tjetër (në këtë rast armik), u pajtuan që populli duhet ngritur zërin kundër këtyre zgjedhjeve me demonstrata. Kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë janë shprehur edhe studentët e Fakultetit Teknik (7maj). Gjatë këtij viti Lëvizja Vetëvendosje! I ka përpiluar dy analiza të gjëra për EULEX-in. Në të parën (23 qershor) është analizuar struktura e pushtetit, zinxhiri komandues dhe përgjegjësia të bazës juridike dhe politike të EULEX-it, përderisa në të dytën (7 dhjetor) baza juridike e EULEX-i, buxheti i tij dhe propozimi për përdorim më të dobishëm të këtyre parave në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, etj. Gjatë muajit prill është publikuar analiza e Kushtetutës së Kosovës në përgjithësi dhe neneve më problematike në të. Në maj kemi përpiluar dhe publikuar analizën e strukturës dhe qëllimeve të investimeve të Serbisë në pjesë të Kosovës dhe ndërlidhjen e tyre me rikolonizimin dhe copëtimin e Kosovës. Gjatë tërë vitit është publikuar gazeta e përjavshme Vetevendosje! Nga muaji qershor, Lëvizja Vetëvendosje! ka filluar edhe me emisionin “Zgjohu” i cili del çdo muaj në faqen tonë të internetit si dhe në youtube. Ky emision ka për qëllim që të tregoi të vërtetën për procesin politik në Kosovë përkundrejt realitetit virtual të krijuar nga mediat