Ministria i lë qytetarët pa patentë shofer

Asnjë qytetarë në Kosovë, nuk ka mundur të hyjë në test për patentë shofer, kategoria ”B” , që nga fundi i muajit dhjetor 2012 e deri më tani.
Kandidatët për këtë kategori të patentë shoferit, krejt çka po bëjnë është se veç po i dëgjojnë ligjëratat në Auto Shkolla, dhe po i mbajnë orët e praktikës.
E gjithë kjo, ngase Ministria e Infrastrukturës, që është përgjegjëse për të bërë furnizimin e me teste në Qendrat e Patentë Shoferit, ende nuk e ka bërë këtë që nga viti paraprakë.
Madje nuk dihet se sa do të zgjasë kjo gjendje pasi që Ministrisë së Infrastrukturës i kanë dështuar dy herë tenderët për furnizimin me teste.
Drejtuesit e Auto -shkollave thonë se më së shumti po e pësojnë kandidatët.
“Në fakt, mungesë të testeve kemi që nga fundit i dhjetorit. Nuk është humbje e madhe për ne. Më së shumti po humbin kandidatët. Ende nuk na ka thënë kush asgjë se kur do të vinë testet. Pa ato teste nuk mund t’i fusim kandidatët në provim”, tha për Indeksonline njëri nga drejtuesit e Auto Shkollës “ LINDA” në Prishtinë.
Indeksonline, ka tentuar të informohet nga Zyra për Informim e Ministrisë së Infrastrukturës lidhur më gjendjen e krijuar me teste, por nuk ka marrë përgjigje.
Se kandidatët do të mbesin pa hyrë edhe një kohë në test, tregon fakti se Ministria ende nuk ka bërë Njoftim për kontratë për shtypjen e testeve për patentë shoferë, kategoria “B”.
Dy herë është shpallur tenderi, dhe dy herë është anuluar nga Ministria.
Herën e fundit MI, ka shpall tender me 28 dhjetor 2012, por tenderi është anuluar me 29 Janar 2013, për të mos u shpallur më. Në arsyetimin e anulimit të njoftimit thuhet se, “një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit (sipas Nenit 32 të Ligjit nr. 04/L-042 të Ligjit për Prokurim Publik në Kosovë”.
Ndryshe, furnizimi me teste nëpër qendra është nën përgjegjësin e Departamentit të Automjeteve të Ministrisë së Infrastrukturës. Në Kosovë janë 7 qendra, ku kandidatët mund t’i nënshtrohen testit për patentë shofer. /M.B/Indeksonline/