VV:Shtetndërtimi po i nënshtrohet dialogut me Beogradin

Drejtori Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Jan Kickert dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger vizituan Vetëvendosjen. Ata u pritën nga Albin Kurti, nëryetar, dhe Aida Dërguti, nënkryetare, thuhet në kumtesën për media nga Vetëvendosje.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi ngjarjet e fundit politike dhe ekonomike, si në Kosovë, po ashtu edhe në rajon. Një theks iu dha edhe situatës së brendshme politike dhe socio-ekonomike.
Drejtuesit e Vetëvendosjes e cekën kundërshtimin ndaj negociatave që po mbahen ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, e që tash së fundi u pasua edhe nga takimi ndërmjet presidentëve të këtyre dy shteteve. Këto takime e negociata në vazhdimësi po e rehabilitojnë Serbinë, si dhe po bëjnë që shtetndërtimi dhe zhvillimi në Kosovë t’i nënshtrohen dialogut me Beogradin.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë e shprehën përkrahjen e tyre për Kosovën. Të dy palët shprehën gatishmërinë dhe interesimin për komunikim të vazhdueshëm dhe për takime të tjera në të ardhmen./Indeksonline/