Ministria nisë me fazën e rrënimeve në "Prevallë"

Ndërmarrja private "Is Company" nga Prizreni dhe pronarët e tjerë, urdhërohen të largojnë objektet ilegale në zonën e kampingut veror në Prevallë.
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor urdhëron që në afat prej 15 ditësh të bëhet largimi i të gjitha objekteve montazhë, të rrënohen të gjitha ndërtimet përcjellëse në kamp, të bëhet pastrimi i zonës së kampingut nga mbeturinat ndërtimore dhe të rehabilitohet sipërfaqja e degraduar natyrore konform peisazhit ekzistues në ngastrat 182, 2371, 2354, 2355, etj. të Zonës Kadastrale Gornjasellë.
"Në rast se "Is Company" nuk i largon objektet brenda afatit të caktuar, MMPH do t'i rrënoj të gjitha objektet dhe shpenzimet do ti bartin kompania dhe pronarët e objekteve", thuhet në njoftimin e MMPH-së.
Pas vendimit për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve në zonën e Prevallës, ministri I MMPH-së Dardan Gashi ka formuar dhe një task forcë e cila po merret vecmas me këtë cështje.
Aksionet në vazhdim do të fokusohen në dhjetra ndërtimet e tjera brenda dhe jashtë fshatit turistik në Prevallë që nuk posedojnë leje./Indeksonline/