Ministria nxjerr në shitje Partizanin, amerikanët hidhen në sulm
Pritet që brenda kësaj jave Ministria e Mbrojtjes të nxjerrë në shitje klubin e futbollit, ku mendohet se në ankand do të përfshihet edhe shtëpia e re e të kuqve
Nga ILIR CARA
Që nga 17 maji i 2008-ës , kur të kuqtë ishin pranë titullit kampion, e deri më sot, Partizani ka kaluar shumë peripeci, duke provuar edhe dështimin më të madh në histori, zbritjen në Kategorinë e Dytë. Ky degradim sensibilizoi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila në cilësinë e nënës biologjike, e mori sërish në familjen e saj të birësuarin Partizan. Qëllimi i ministrisë ishte që si fillim tu jepet një dorë demave të kuq dhe më pas të gjente një shtëpi dhe zot shtëpie të ri për Partizanin. Përpos problematikës së hasur prej më shumë se 18 muajsh, me sa duket, ka ardhur momenti i shumëpritur. Mësohet se brenda kësaj jave Ministria e Mbrojtjes do të nxjerrë në shitje Partizanin, ku pa dyshim prej muajsh këtë veprim thuhet se po e presin disa biznesmenë amerikanë, të cilët në Shqipëri përfaqësohen nga deputeti Andis Harasani. Çështja e transformimit të Partizanit ka kaluar një kalvar të gjatë, ku më e rëndësishmja ka qenë mbajtja sekret e lëvizjeve, që bëheshin për të mbërritur deri te momenti i nxjerrjes në ankand. Madje, në disa raste janë shpikur edhe shkaqe dhe fajtorë, që pengonin transformimin e të kuqve, pra janë munduar të humbasin gjurmët, në mënyrë që të evitoheshin pengesat për të mbërritur deri te shitja. Gjithsesi, për tifozët e Partizanit kjo gjë ka pak rëndësi, pasi ata duan vetëm që të nisë rikthimi i vërtet i të kuqve të kryeqytetit. Pa dyshim që dalja në ankand do të nxisë garën e të interesuarve për të blerë Partizanin, ku të parët që do të hidhen në sulm janë amerikanët. Para disa ditësh deputeti Andis Harasani, si përfaqësues i palës amerikane në Tiranë, vinte edhe një afat pritjeje, 15 qershorin, dhe pas kësaj date u tha se amerikanët nuk do të kishin më interes për Partizanin. Mbase edhe ky ultimatum ka dhënë efekt, sepse është thënë se pala amerikane ia ka paraqitur prej kohësh Ministrisë së Mbrojtjes planin për rikthimin e Partizanit në elitën e futbollit shqiptar, duke ndërtuar nga e para një klub modern.
Logoja Që nga dhjetori i 2010-ës, Ministria e Mbrojtjes ka hapur një proces gjyqësor, ku kërkon rikthimin e logos nga shoqëria aksionare Partizani sh.a, si të drejtë të sajën intelektuale. Pas 11 seancave të zhvilluara në Gjykatën e Tiranës, u vendos që logoja ti mbetej shoqërisë të administruar nga Albert Xhani. Procesi është dërguar në Gjykatën e Apelit, ku seanca e parë ka prodhuar shtyrje dhe mendohet se më 27 qershor do të merret një vendim. Por është thënë prej kohësh se për Ministrinë e Mbrojtjes ky proces nuk var fatet e Partizanit, sepse nuk ka kthim prapa. Mësohet se ministria u ka paraprirë ngjarjeve, për vetë faktin se nga federata kishte ultimatum për regjistrimin në sezonin e ri. Prandaj, dikasteri i mbrojtjes e ka regjistruar Partizanin në QKR si shoqëri aksionare, shoqëri që ka edhe logon e saj. Logoja e re nuk ka shumë dallim nga e vjetra, ku ndryshimi i vetëm vjen vetëm te ngjyra e pjesës së brendshme të stemës, që është e verdhë. Para disa ditësh Sporti shqiptar, nga burime pranë ministrisë, paralajmëroi se ankandi për shitjen e Partizanit nis nga një shifër prej 500 mijë $, ku mendohet se rreth 130 mijë dollarë vlen vetëm stema.
Kashari, shtëpia e re e demave të kuq?
Në mesin e muajt maj, në Sportin shqiptar u botua një lajm që kishte të bënte me vlerën nga do të niste ankandi i shitjes së Partizanit, ku u fol për një shifër 500 mijë $, si dhe për shtëpinë e re të kuqve. Këto lajme bëheshin të ditura nga burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Madje thuhej, se ky dikaster, duke dituar se Partizani mbeti pa strehë, pas marrjes së kompleksit në rrugënFrosina Plaku, kishte vendosur që të kuqve tu jepte një repart ushtarak. Mësohet se shtëpia e re e Partizanit ndodhet në Kashar, ku bëhet fjalë për një repart ushtarak, në të cilin para disa vitesh ka qenë e akomoduar edhe komanda e ushtrisë greke, si pjesë e misionit të NATO-s në Shqipëri. Nëse kjo gjë bëhet realitet, atëherë bëhet fjalë për një shtëpi të bollshme, ku ambientet sportive janë gati. Madje, thuhet se në këtë repart ushtarak ndodhet edhe një ndërtesë katërkatëshe, e rikonstruktuar, funksionale, që mund të adaptohet si hotel për ekipin. Nëse Partizani do të vendoset përfundimisht në Kashar, atëherë mund të nisë edhe ndërtimi i akademisë së kuqe, pasi bëhet fjalë për një ambient me sipërfaqe prej gati 3 hektarësh.
