FSHF largon aludimet, licencohet Partizani i ministrisë
Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduart Prodani, pohon se për Partizanin ka një vendim të vitit të kaluar të KE-së, që lejon në aktivitet skuadrën e administruar nga Ministria e Mbrojtjes
Në përfundim të sezonit të fundit, kur të kuqtë ishin në Kategorinë e Dytë, u tha se Partizani duhet të përshpejtojë procedurat, pasi mund të humbasë licencimin për pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë. Por fillimi i qershorit ka sjellë ndryshime të mëdha te të kuqtë e kryeqytetit.
Ndonëse Gjykata e Apelit nuk ka dalë me vendim rreth çështjes së stemës, Ministria e Mbrojtjes e ka regjistruar shoqërinë e re aksionare në QKR, si dhe është thënë se këto ditë do të dalë edhe në ankand.
Përpos këtyre zhvillimeve, ka pasur edhe aludime të shumta se kujt i takon e drejta për të vijuar aktivitetin në sezonin 2012-2013, Partizanit të administruar nga Ministria e Mbrojtjes, apo atij që administrohet nga Albert Xhani. Dje, në FSHF është mbledhur Komisioni i Licencimeve të Klubeve, që ka vendosur për pjesëmarrjen e skuadrave në aktivitetet e organizuara nga FSHF.
Nga ky vendim mësohet se është licencuar Partizani për të marrë pjesë në sezonin e ri në Kategorinë e Parë, por, duke dituar se ka dualizëm Partizanësh, lind pyetja: cili Partizan do të zbresë në fushë? Por kësaj pyetjeje i vjen një përgjigje zyrtare nga ana e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Eduart Prodani, i cili pohon se për Partizanin ka një vendim të vitit të kaluar të KE-së (Komiteti Ekzekutiv), që lejon në aktivitet skuadrën e administruar nga Ministria e Mbrojtjes.
Duke qenë se ky vendim nuk ka ndryshuar, i bie që edhe në sezonin e ri të vijojnë të kuqtë e ministrisë. Për Partizanin ka një vendim të shtatorit të 2011-ës, që lejon Ministrinë e Mbrojtjes si përfaqësuese të vetme të klubit të futbollit, kështu që ky vendim është funksional edhe për këtë sezon.
Pra, federata njeh dhe licencon vetëm Partizanin e administruar nga Ministria e Mbrojtjes, kështu që ky ekip do të vijojë paraqitjen e tij në sezonin e ri në Kategorinë e Parë, – u shpreh dje për Sportin shqiptar sekretari i federatës, Prodani. Ky vendim i marrë dje nga Komisioni i Licencimeve të Klubeve u hap rrugë drejtuesve të kuq, që sa më parë të vijojnë punën për krijimin e skuadrës së edicionit të ri.
