E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca apo Ministria? Dinamo mbetet në ajër

Përplasjet e fundit kanë krijuar paqartësi për projektin e sezonit 2012-2013, ku skuadra blu do të mmarë pjesë për herë të parë në histori në Kategorinë e Parë

 

Nga Andi Matraxhiu

Problemet e fundit në lidhje me pronësinë e Dinamos e bëjnë mjaft të paqartë të ardhmen e kësaj skuadre. Nga njëra anë Ministria e Brendshme është shfaqur si pronare e logos së FK Dinamos, kurse në krahun tjetër, me anë të një deklarate për shtyp, presidenca dinamovite pretendon se është ajo pronare e Dinamos dhe askush smund ta marrë këtë të drejtë, sipas ligjeve. Por, duke u bazuar në realitetin shqiptar, dihet që organet qeveritare kanë forcën ligjore dhe jo vetëm, për të zotëruar gjithçka. Gjithsesi, këto përplasje, më mirë të zgjidhen midis dy palëve në konflikt, presidencës dhe ministrisë, sepse shtypi sportiv smund të bëj gjykatësin. E keqja është se kjo situatë e paralizon skuadrën dhe me plot gojë mund të thuhet se Dinamo ka mbetur në ajër, pasi një luftë e re ka nisur për 18 herë kampionët e Shqipërisë. Në fillim MTKRS-ja dhe kompleksi sportiv, më pas rrëmbimi i logos. Tashmë kjo skudër nuk e ka të qartë të ardhmen e tij. Shumicë së lojtarëve u kanë përfunduar kontratat dhe shprehen se mund të qëndrojnë vetëm për një projekt serioz. Ata lojtarë që janë nën kontratë, edhe pse të pakët në numër, kanë firmosur me presidencën blu dhe, nëse pronësinë e merr Ministria e Brendshme, kontratat e tyre dalin të pavlefshme. Kërkohet një riformatim i plotë i skuadrës, sigurimi i ambienteve, ku futbollistët të zhvishen, fushat e stërvitjes dhe të tjera si këto gjëra të domosdoshme për një skuadër futbolli. Tashmë e ardhmja e bluve mbetet e turbullt. Problemet janë të shumta, sa nuk të dalin as gishtat e të dyja duarve për ti numëruar. Tifozëria dinamovite dhe jo vetëm, pret me ankth zgjidhjen e çështjes për të parë një skuadër konkurruese, që të mos ketë probleme të tilla, pra mungesë të fushave të stërvitjes apo dhomave të zhveshjes. Por jo vetëm tifozët blu janë të shqetësuar për fatet e Dinamos, pasi kjo skuadër e qetë në natyrën e saj, gëzon respektin e shumë sportdashësve dhe të të gjithë komunitetit sportiv në Shqipëri. Të gjithë duan që problemet të zgjidhen sa më shpejt, si për Dinamon, ashtu edhe Partizanin, që janë dy nga skuadrat më me emër në vend. Futbolli shqiptar prej disa vitesh funksionon në bazë të donatorëve të ndryshëm, të cilët investojnë për skuadrën. Në asnjë rast asnjë ministri nuk ka sponsorizuar shifra të majme, siç kërkojnë lojtarët sot, ndaj dhe e ardhmja e Dinamos, Partizanit dhe ndonjë skuadre tjetër, që ka një histori të tillë, mbetet shumë misterioze.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›