Ministria rrëzon propozimin e Gjuhëve të Huaja për konkursin
Ministria e Arsimit nuk merr parasysh kërkesën e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për zhvillimin e një testi special për maturantët që konkurrojnë këtë vit. Një ditë pas botimit në gazetën "Shqip" të shkrimit "Bie matura, konkurs në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja", ka reaguar drejtoresha e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Elida Hoxha. Ajo deklaroi se "MASH ka marrë disa propozime nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës për kritere të veçanta, por këto propozime janë të vonuara në bazë të ligjit, i cili kushtëzon përcaktimin dhe shpalljen e propozimeve një vit më parë. Kjo pasi maturantët duhet të informohen në kohë që të mund të përgatiten". Ndërkohë dekania e fakultetit, Klodeta Dibra, në një prononcim për "Shqip" tha se "ne propozuam në muajin prill të këtij viti që kandidatët për studentë te Gjuhët e Huaja të japin një provim ekstra, përpos atyre të maturës, ku të testohen për njohuritë e tyre mbi gjuhën që konkurrojnë". Shkak i kësaj kërkese është niveli i dobët i maturantëve që fitojnë këtë fakultet. Kjo sepse një i ri që jep lëndë me zgjedhje të ndryshme si Njohuri për Shoqërinë apo Ekonomi, fare mirë fiton te Gjuhët e Huaja edhe pse nuk ka asnjë njohuri mbi degët e saj. Dibra sqaron se ne kemi propozuar që kandidatët që konkurrojnë në programin e studimit Gjuhë Angleze dhe Gjuhë Frënge, duhet të japin si provim me zgjedhje këto lëndë. Ndërsa kandidatët për studentë të programeve të tjera të studimit duhet të testohen për njohuritë e tyre mbi gjuhën e huaj. Bëhet fjalë për kandidatët e degës së Gjermanishtes, Italishtes, Greqishtes, Rusishtes, Spanjishtes dhe Turqishtes, të cilat nuk janë lëndë të detyruara në të gjitha shkollat e vendit, ashtu si Anglishtja apo Frëngjishtja. Ndaj fakulteti propozoi që të pranohen vetëm ata të rinj që kapin nivelin B të gjuhës, sipas Kuadrit Evropian të Referencës.
Ministria e Arsimit e hodhi poshtë këtë kërkesë, me pretendimin se "kërkesa erdhi me vonesë", por harroi faktin se ligji i ri i arsimit të lartë nuk ka një vit që ka hyrë në fuqi. Ndaj edhe fakulteti nuk kishte se si të bënte këtë propozim një vit më parë, siç pretendon MASH-i.
Ministria e Arsimit e hodhi poshtë këtë kërkesë, me pretendimin se "kërkesa erdhi me vonesë", por harroi faktin se ligji i ri i arsimit të lartë nuk ka një vit që ka hyrë në fuqi. Ndaj edhe fakulteti nuk kishte se si të bënte këtë propozim një vit më parë, siç pretendon MASH-i.