E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Wanted", hakmarrja e Zholisë

Askush nuk e priste që Anzhelin
Zholi, aktorja dhe gruaja që
dukej se kërkonte të shpëtonte
botën, do të pranonte të luante
rolin e një vrasëseje të pamëshirshme
në filmin "Wanted". Filmi që drejtohet
nga regjisori rus, Timur Bekmambetov,
duket se do t‘i bëjë për vete të gjithë të
pasionuarit pas filmave të tillë. Aktorja
bukuroshe 32-vjeçare këtë herë do të
ketë pranë saj skocezin Xhejms Mekavoi,
të cilit Hollivudi po i ofron filma njëri pas
tjetrit, duke e konsideruar si një ndër
aktorët më të mirë. Anzhelina është në
rolin e Fox, një vrasëse që vret për t‘u hakmarrë.
Vërtet djallëzore, shfaqet kudo e
armatosur me sytë e kuq dhe tatuazhet
në krah e trup. Aktorja, që do të marrë
pjesë në Festivalin e Kanës me filmin
e fundit të Klint Istvud, "Changeling",
tregon: "E mbroj këtë zgjedhje që kam
bërë dhe pas ‘A mighty heart‘ për Marian
Perl dhe vdekjes së nënës sime, ndieja
nevojën për të bërë diçka spektakolare,
edhe fizikisht. Kemi bërë xhirime në
Pragë, përveçse në Çikago dhe mua
më pëlqen të udhëtoj me fëmijët dhe
Bredin e të qëndroj me ta në Evropë".
Filmi për Marian Perl nuk pati suksesin
që pritej dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që
Azhelin mendoi të bënte një zgjedhje të
tillë, shumë të diskutuar nga aktivistët
e paqes në botë, pjesë e së cilës është
edhe ajo vetë. "Mua më pëlqejnë filmat
me aksion, por skenari flet edhe për
përgjegjësitë dhe mospërgjegjësitë mbi
ata që do të vrasësh. Fox i tregon Ueslei
Gibsonit se ndihet e humbur për të ndryshuar
fatin e saj dhe kjo e shtyn drejt
vrasjeve e hakmarrjes". Më tej thekson:
"Ndonjëherë paguhemi për të thënë
gënjeshtra në filmat për dashurinë, në të
tjerë për të vrarë. Ajo çka bën në një film
nuk ka lidhje fare me angazhimet e tua
në jetë. Mua më interesonte të punoja
me ‘Spilbergun rus‘ dhe të isha çift me
të riun Xhejms Mekavoi, një aktor shumë
i talentuar. Nga ana tjetër, fëmijët
e mi, duke më parë që ngas makinat
me gjithë shpejtësinë e mundur dhe
guximtare për të bërë gjithçka, do të më
thonë se sa e zonja jam, edhe pse nuk
do të mund dot të shohin gjithë filmin".
Nga ana tjetër, Xhejms Mekavoi duket
më bindës në ato që thotë: "Çdo aktor
ëndërron që në verë apo për Krishtlindje
të luajë në një film me aksion, por
që njëkohësisht të jetë spektakolar. Më
duhet ta pranoj se ishte vërtet argëtues
çifti që formoja me Zholinë, apo skenat
ku për shkak të moshës së vogël, më
duhet të përballem me shumë zgjedhje
të rëndësishme. E pamëshirshmja Fox
nuk më jep vetëm leksione armësh,
lufte dhe fuqie, por mundohet të bëjë
të fortën edhe në shpirt". "Errësira në
shpirt" me hakmarrësen Xhudi Foster
gjeneroi polemika të mëdha, është e
sigurt se edhe për "Wanted" nuk do të
mungojnë. "Shpirti rus i regjisorit dhe
interesat e tij për botën e Evropës Lindore
e kanë bërë këtë film një kryqëzim
mes "Matrix"-it dhe kompleksitetit të
Dostojevskit. Në fillim unë jam djaloshi
që të gjithë e tallin sepse jam i turpshëm,
madje edhe e fejuara ime e bën diçka të
tillë. Por më vonë mendon Anzhelina që
më bën të zbuloj fuqitë dhe fatin tim",
tregon Xhejms.
Pasioni për funeralet
Shumë e kanë komentuar zgjedhjen
e saj për të pranuar një rol të tillë, pas
intervistës së dhënë, ku shprehej se
dëshira e saj më e madhe në jetë ishte që
të merrej me organizimin e funeraleve.
E në të vërtetë, kur jemi fëmijë të gjithë
ëndërrojmë të bëhemi balerina apo
princesha, ndërsa Anzhelin Zholi kishte
një ëndërr në sirtar: të organizonte funerale.
Ajo që e ka pranuar ka qenë vetë
aktorja: "Një herë shkova në një funeral
dhe ishte shumë e trishtueshme teksa
po mendoja se nuk ishte e drejtë që
fundi i jetës së një personi të mbyllej në
këtë mënyrë. Që nga ajo ditë ideja për ta
bërë këtë punë më është bërë fikse". Vogëlushja
Anzhelinë ka dashur të bëhet
një drejtuese e agjencive të funeraleve.
Por ndryshe nga ajo që mendonte, fati
i rezervoi një jetë plot ngjyra dhe të gëzueshme.
Një karrierë të shkëlqyer dhe
një bashkëshort si Bred Pit. Dy divat e
Hollivudit janë njohur mes vitit 2003
dhe 2004, ndërsa ishin duke xhiruar
filmin "Mr & Mrs Smith", që ia detyron
një pjesë të mirë të suksesit lidhjes së
tyre të lindur para kamerave. "Brenda
shumë pak kohe fillova të mendoja se
mezi po prisja që të shkoja në punë.
Silleshim si një çift. Falë filmit, përfunduam
duke jetuar së bashku pothuajse
për një periudhë shumë të gjatë kohore
dhe madje mjaft situata të ndryshme.
Kemi bërë edhe shumë çmenduri,
tregon Joli, dhe e kemi kuptuar që mes
nesh kishte lindur një miqësi shumë
e bukur, një lloj atmosfere shoqërore.
Në fund të xhirimeve ‘mbetëm miq të
mirë‘. Por, pas luftës me njëri-tjetrin, në
një farë pike jeta mori një rrugë, gjatë
së cilës u gjendëm bashkë dhe kuptuam
që ishin gjëra të cilat ne i kishim
dëshiruar t‘i bënim së bashku", tregon.
Por, pavarësisht këtij fati, fëmijët dhe
shtatzënisë, nga e cila do të sjellë në
jetë dy binjakë, Zholi mendon akoma
për ëndrrën e saj të fëmijërisë. Kush
e di nëse ai sirtar mund të hapet tani
dhe zonja Pit, përveç impenjimeve të
shumta, edhe humanitare do të hapë
edhe agjencinë e saj të funeraleve. Për
momentin ngelet vetëm një dëshirë,
përkundrazi një fiksim i lindur, siç e
pranon edhe ajo vetë nga pjesëmarrja
në një funeral. Dëshira për të bërë të
tilla gjëra i ka bërë njerëzit të ndezin
më shumë polemikat rreth personalitetit
të saj dhe dëshirës për të qenë një
organizatore funeralesh dhe vrasëse e
pamëshirshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›