E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet false, zbulohen 418 raste të reja

Zbulohen persona të tjerë, të cilët përfitojnë pensione pleqërie në mënyrë të padrejtë. Dje, drejtori i Drejtorisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, Ilir Goci, ka deklaruar se janë gjetur raste të tjera qytetarësh, të cilët zbrazin arkën e shtetit në mënyrë të pamerituar. Problemi i evidentuar kanë qenë certifikatat e pavlefshme me të cilat janë lidhur pensionet.

Vetëm për një muaj janë verifikuar 418 qytetarë, të cilët merrnin pensione të pamerituara, ndërsa janë larguar nga puna 30 punonjës të përfshirë në falsifikimet e dokumenteve. Rastet janë dërguar për shqyrtim në prokurori, ndërsa përfituesit e paligjshëm duhet të rikthejnë shumat e parave pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve, në Tiranë. "Para tri javësh unë isha para jush për të bërë publike 218 dosjet e përfitimeve të veçanta nga ish- punonjësit e nëntokës me vlerë 136071947 lekë, si dhe të 109 rasteve të përfitimeve afatgjata me vlerë 47829696 lekë, të cilave u është bërë kallëzim penal", tha drejtori i ISSH-së, Ilir Goci. Sipas tij, janë edhe 418 raste të tjera me një dëm ekonomik që kap vlerën në total 314528280 lekë dhe me dëm mesatar mujor 2526618 lekë. Të gjitha këto raste rezultojnë si pensione të lidhura me certifikata false. Ndërsa ka bërë publike faktet, ka paraqitur edhe 8 raste të tjera flagrante, ku figurojnë persona të njëjtë, por me emra të ndryshëm. Qytetarë të cilët përfitojnë pensione në dy arka paguese të ndryshme. "Na rezulton e njëjta fotografi në dy certifikata, por me gjeneralitete të ndryshme. Sipas verifikimeve që specialistët tanë kanë bërë pranë zyrave të gjendjeve civile, ku rezulton e lëshuar ajo certifikatë, figuron se njëri emër, pra njeri person, është i rremë dhe pagesa merret në mënyrë abuzive", sqaroi Goci. Sipas tij, masa e parë ka qenë pezullimi i pensioneve. Masa e dytë ka qenë largimi nga puna i punonjësve të përfshirë në lidhjen dhe dhënien e këtyre pensioneve. Tashmë të gjitha këto të dhëna i kanë kaluar prokurorisë, e cila po vazhdon hetimet. "Dua t‘ju informoj se, në kuadër të pastrimit të skemës, kemi pushuar nga puna 30 punonjës, 14 prej tyre kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me pensionet, ndërsa 16 të tjerët janë larguar për lëshime vërtetimesh false si dhe për diploma false", deklaroi drejtori i ISSH-së. Pas zbulimit të rasteve Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka ftuar përfituesit e paligjshëm të paraqiten pranë Drejtorisë Rajonale të Tiranës për të rikthyer shumat e përfituara padrejtësisht. Të gjitha këto abuzime dëmtojnë "arkën" e ISSH-së, duke e varfëruar nga shumat "ekstra" për pagesat e pensioneve false. Verifikime të tilla mund të mos kapen në kohë, por pas verifikimeve të Drejtorisë të Institutit të Sigurimeve arrihet të konfirmohen përfituesit e paligjshëm. Vetëm një muaj më parë Sigurimet Shoqërore bëjnë publike rastet e pensioneve të minatorëve të përfituara pa të drejtë vetëm në saj të falsifikimeve të dokumenteve. Me të gjitha këto raste po merret prokuroria. Deri tani sipas ISSH-së një pjesë e abuzuesve po kthejnë mbrapsht paratë e përfituara nga pensionet e paligjshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›