E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja Bajokanis vlerëson progresin e reforma në Shqipëri

- Bakojanis: “Greqia do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”

Kryeministri Berisha priti sot në një takim  Ministren e Jashtme të Greqisë, zonjën Dora Bakojanis, në cilësinë e Kryetares së Presidencës së Radhës së OSBE-së.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se Presidenca greke e OSBE-së ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë në misionin e saj. Ministrja Bakojanis e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe theksoi se të gjithë vendet e Bashkimit Europian vlerësojnë maksimalisht atë çka qeveria shqiptare ka bërë dhe po bën për të reformuar dhe ndryshuar vendin, si dhe për integrimin e shpejtë në NATO dhe BE.

Kryeministri Berisha e garantoi zonjën Bakojanis për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe i kërkoi asaj të influencojë për të sjellë në Shqipëri sa më shumë vëzhgues. Zonja Bakojanis shprehu sigurinë e saj se qeveria shqiptare do të zhvillojë zgjedhje të mira e të ndershme.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për ligjin për lustracionin. Kryeministri Berisha e garantoi Ministren Bakojanis se ligji i lustracionit do të zbatohet në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor dhe standardet e Strasburgut dhe se qeveria shqiptare do ta vlerësonte maksimalisht në rast se ekspertë çekë të ligjit të lustracionit do të mund të vinin në Shqipëri për të ndihmuar për zbatimin e tij. Ministrja  Bakojanis theksoi se lustracioni, si një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me moralin e shoqërisë, gjen mirëkuptim nga të gjithë dhe se ajo është dakord të kërkohet ndihma e një grupi ekspertësh.

Më tej,  të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë si të shkëlqyera. Ministrja Bakojanis i garantoi Kryeministrit Berisha se Greqia do të ratifikojë gjatë javës që vjen Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Kryeministri Berisha garantoi zonjën Bakojanis se investimet greke kanë përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare. Nga ana e saj, zonja Bakojanis i bëri me dije Kryeministrit se qeveria greke është shumë e interesuar të nxisë investimet greke në Shqipëri dhe në këtë kontekst, ajo tha se programi i ndihmës ekonomike greke do të financojë, përmes një granti, të gjitha rrugët rurale që lidhin rrugën Konispol - Sarandë me komunat përreth.

Para takimit me ministren greke, Kryeministri Berisha pati një takim me Trojkën e BE-së, të kryesuar nga Ambasadorja e Republikës Çeke në Shqipëri si përfaqësuese e Presidencës së radhës së BE-së, për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me ligjin për lustracionin. Në këtë takim, palët ranë dakord që ekspertë çekë, të cilët kanë përvojë të rëndësishme me këtë ligj, të vijnë të ndihmojnë qeverinë shqiptare për zbatimin e tij.          


09/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›