E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Bregu: Impenjimi i Ramës, bllokimi i integrimit. Me 23 qershor do i 'bjerë kokës'

TIRANË- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi sot kryetarin e opozitës, Edi Rama, si shkaktarin kryesor të bllokimit të votimit të tre ligjeve, që do të çonin Shqipërinë drejt statusit të vendit kandidat për në BE, duke humbur kështu, veç të tjerash, mundësinë e përfitimit dhe marrjes së financimeve, në vlera të konsiderueshme monetare dhe të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Në një deklaratë për mediat, Bregu tha se "bashkë me statusin e vendit kandidat, Rama u mohoi shqiptarëve dhjetra miliona euro, fonde të BE, duke vazhduar t'u mohojë shqiptarëve të gjitha përfitimet që do të vijnë nga marrja e statusit të vendit kandidat, si vende pune apo bursa për studentët, në universitetet më të mira europiane".

“200 ditë më parë, Bashkimi Europian deklaroi se Shqipëria ishte një hap larg marrjes së statusit. Që të kapërcehej ky hap u vendos vetëm një kusht: votimi i 3 ligjeve. Në plot 200 ditë, vazhdimisht e vazhdimisht Rama pati vetëm një impenjim: bllokimin e këtyre 3 ligjeve, bllokimin e aspiratës europiane të të gjithë shqiptarëve. Në çdo seancë parlamentare, të zhvilluar në këto 200 ditë, Rama e ka refuzuar, i ka thënë me këmbëngulje “Jo” kërkesës së përhershme të maxhorancës, për t’i votuar 3 ligjet. Sot qytetarët shqiptarë kanë 200 arsye për të mos e votuar Edi Ramën. Çdo ditë e bllokimit të statusit kandidat është një arsye më shumë për të mos e votuar Edi Ramën. Çdo gënjeshtër, manovër politike gjasme evropiane, alibi pa sens e shpesh kontradiktore, është një arsye më shumë që shqiptarët të mos votojnë Edi Ramën. Për 200 ditë bashkë me statusin Edi Rama u ka mohuar qytetarëve dhjetëra milionë euro fonde të Bashkimit Europian. Vazhdon t’u mohojë shqiptarëve dhjetra-mijëra vende pune që lidhen me integrimin e vendit në BE. Vazhdon t’u mohojë të rinjve mundësi studimit, kualifikimit dhe karriere profesionale në vendet më të mira europiane", tha Bregu. 

Bregu akuzoi liderin e opozitës se bllokimi i tij nuk lidhet as me moralin dhe as me thelbin e tre ligjeve, ndërsa siguroi se "23 Qershori do të jetë dita e fundit e bllokimit që Rama i ngriti shqiptarëve".

"Sot është më e qartë se kurrë se bllokimi i Ramës nuk lidhet as me moralin e as me thelbin e këtyre tre ligjeve. Bllokimi është politika e vetme e tij, është qëllimi i tij i vetëm elektoral. Zvarriti e bllokoi në mënyrën më cinike tre ligjet, sepse kështu mendon se fiton vetë. Ai kujdeset vetëm për veten. Ai do vetëm pushtetin e tij. Asgjë dhe askush nuk vlen e nuk duhet, nëse s’i sjell atij fitoren. Ai nuk do t’ja dijë sa vende pune e sa para humbasin qytetarët e këtij vendi, sepse i vetmi shqetësim i tij është posti i tij. Shqiptaret duan të ecin përpara. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort për anëtarësimin e Shqipërisë, në BE, ashtu siç e meritojmë. Kemi ecur në rrugën e duhur, duke përmbushur çdo ditë detyrimet e reformat që kërkon ky proçes. Dhe nuk do të ndalemi. 23 qershori do të jetë dita e fundit e bllokimit. Blloku që Rama u ngriti shqiptarëve, do t’í bjerë kokës, atij vetë, më 23 qershor”, theksoi Bregu. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›