E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja Godo, takim me OBSH për gripin e derrave

OBSH kërkon që qeveria të vendosë prioritete në vaksinimin kundër pandemisë së gripit të derrave. Ministrja e Shëndetësisë, deklaron se të parët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit e shëndetësisë dhe ata të shërbimeve bazë. 

TIRANE- Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon që çdo qeveri të vendosë prioritete në vaksinimin kundër pandemisë së gripit të derrave. Kjo pasi OBSH-ja nuk mund të sigurojë vaksina për çdo qytetar të globit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka zhvilluar një takim me nëndrejtoreshën e OBSH-së për Europën, ku është diskutuar pikërisht për masat që po merret për parandalimin e prekjes së Shqipërisë nga gripi i derrave dhe për grupet prioritare që duhet të vaksinohen të parët.

“Ne do ti identifikojmë ato grupe të cilët i konsiderojmë soi më të rëndësishmit për tu vaksinuar në fillim. Prioritete duhet të vendosen nga vetë qeveria, pasi në vende të ndryshme ka situata të ndryshme. Ajo që ka rëndësi është se ndërsa pandemia evolon shërbimet mjekësore vazhdojnë të ofrohen në çdo vend”- u shpreh Nada Bernabei, nëndrejtoreshe e OBSH-së për Europën.

Ndërsa ministria e Shëndetësisë Godo shtoi se, “do të ishte e rëndësishme vaksinimi i atyre punonjësve të institucioneve që janë të domosdoshme për jetën. Por ndërkohë është e rëndësishme të vaksinohen edhe fëmijët shumë të vegjël, personat të cilët janë me sëmundje kronike respiratore si dhe gratë shtatzëne. Do të dëshironim që këto kontingjente të rriteshin sa më shumë për të pasur vaksinën kundër gripit”- u shpreh Godo.

Shqipëria nuk është prekur deri tani nga pandemia e gripit të derrave dhe nuk ka asnjë rast të dyshuar. Gjithsesi, ministria e Shëndetësisë po qëndron në kontakt të përditshëm me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për shkëmbim informacioni dhe asistence.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›