Nëntë të vdekur, të paktën 50 të plagosur nga dy shpërthime në Indonezi
Policia në Indonezi thotë se shpërthimet në dy hotele luksoze në Xhakarta kanë shkaktuar vdekjen e nëntë personave dhe plagosjen e të paktën 50 të tjerëve.
Sipas njoftimeve të medias, shumë nga viktimat në hotelet Ritz-Carlton dhe Marriott në kryeqytetin indonezian ishin të huaj por identitetet e viktimave nuk janë konfirmuar nga policia. Hotelet janë shumë të frekuentuara nga turistët dhe vizitorët perëndimorë.
Dy shpërthimet ndodhën vetëm disa minuta pas njëri-tjetrit.
Fasada e Ritz-Carltonit është dëmtuar rëndë. Rrënojat dhe xhamat e thyer mbuluan rrugën para hotelit.
Dëshmitarët thonë se shpërthimet ndodhën nga brenda hoteleve.
Hoteli Marriott i Xhakartës ishte bërë objekt i një sulmi me bombë edhe para gjashtë vjetësh. 12 persona vdiqën në shpërthimin e vitit 2003, për të cilin u konsiderua përgjegjës rrjeti terrorist aziatik Xhemah Islamija. //kk//