Ministrja Koçiu: Investimet në Urgjencën e Spitalit të Vlorës dyfishuan kapacitetet për qytetarët dhe turistët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë një inspektimi të hënën në spitalin Rajonal të Vlorës, për të parë nga afër investimin e qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Urgjencën e këtij spitali, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit.
Ministrja Koçiu, gjatë takimit me personelin e spitalit, vlerësoi se ky investim dyfishon kapacitetet jo vetëm për qytetarët e Vlorës, por edhe për mijëra turistë gjatë sezonit veror.
Sipas saj, “Urgjenca e Vlorës, e cila është pajisur gjithashtu me një flotë prej 11 autoambulancash të reja, gjatë këtij viti ka trajtuar rreth 15 mijë pacientë”.
Sipas të dhënave, përveç rikonstruksionit të ambienteve të urgjencës, garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar.
Sipas njoftimit për shtyp, me fuqizimin dhe modernizimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Vlorë, ka tashmë një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë, por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë dhe turistëve në sezonin veror.
/rtsh.al/