E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Pusiç thirrje kroatëve: Mbështesni hyrjen në BE

ZAGREB - Ministrja e Jashtme kroate Vesna Pusiç u bëri thirrje sot zgjedhësve të mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian gjatë referendumit të thirrur për më 22 janar.

"Vendimi lidhur me çështjen nëse Kroacia i përket Evropës politikisht, ndërkohë që ajo i përket asaj gjeografikisht dhe nga pikëpamja kulturore, duhet të merret me referendum", deklaroi Pusiç për shtypin duke shënuar zyrtarisht fillimin e fushatës.

Pusiç i paraqiti shtypit videoklipet dhe materialet e printuara për këtë fushatë, duke u bërë thirrje qytetarëve "të mbështesin të ardhmen evropiane të Kroacisë".
"Qeveria kërkon përgjigje të qarta dhe të sakta ndaj të gjitha pyetjeve dhe dyshimeve të shprehura nga qytetarët lidhur me këtë çështje", theksoi ajo.

"Është jashtëzakonisht e rëndësishme të jepet mesazhi se anëtarësimi do të varet nga vendimi i qytetarëve. Nëse ata thonë 'po' Kroacia do të jetë anëtare e BE-së, nëse ata thonë 'jo', procesi do të ndërpritet", bëri të ditur ajo.
Sipas sondazheve të fundit, rreth 60 për qind e kroatëve e mbështesin anëtarësimin e vendit në BE ndërsa 33 për qind të të pyeturve janë shprehur kundër.
Kroacia pritet të bëhet anëtare e BE-së më 1 korrik 2013.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›