Ministrja gjermane për Evropën Anna Luhrmann viziton sot Tiranën

Ministrja gjermane për Evropën, Anna Luhrmann do të vizitojë sot Shqipërinë. Ajo do të zhvillojë takime me Kryeministrin Edi Rama, zv.ministren e Jashtme, Megi Fino dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në qendër të bisedimeve do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE si edhe reformat e brendshme. Sipas një deklarate të ministrisë së jashtme gjermane, Lührmann u shpreh para nisjes për çeljen e negociatave: “Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë konferencat ndërqeveritare. Ne e mbajmë fjalën. Për vijimin e rrugës drejt BE-së mbetet vendimtare që të vijojnë reformat dhe mirëqeverisja”, thuhet në deklaratë.
Në Tiranë, ministrja gjermane do të bisedojë edhe për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.