Minstri Krasniqi ngushëlloi familjen Berisha

Me rastin e vdekjes së piktorit të shquar, Budim Berisha, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi i ka dërguar ngushëllime familjes Berisha.
“Ai ishte njëri prej mendjeve më kreative të artit shqiptar dhe një emër i njohur jo vetëm brenda kufijve tanë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gjithë skenën tonë kulturore, në veçanti për pikturën dhe artin pamor. Krijimtaria e tij shumë origjinale, me vite të tëra ka transmetuar emocion për publikun tonë por edhe për artdashësit e shumë vendeve të tjera ku janë ekspozuar veprat e tij.
Budim Berisha ka lënë një pasuri të tërë krijimesh, që janë një pjesë e vlefshme e trashëgimisë artistike dhe kulturore të vendit tonë. Ne do të jemi përherë krenarë për krijimtarinë e tij, por edhe për personalitetin e tij të veçantë. Budim Berisha do të mbetet përherë një emër inspirues për gjenerata të reja të piktorëve por edhe artistëve të të gjitha zhanreve”, thuhet pos tjerash në ngushëllimin e Krasniqit./Indeksonline/