BE kërkon zbatimin e marrëveshjes

(E plotësuar) Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar se Prishtina dhe Beogradi nuk janë pajtuar për planin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve të 19 prillit, derisa kanë theksuar se një gjë e tillë është e domosdoshme.
“Ekipet e zbatimit janë takuar në këto dy ditët e fundit. Ata po punojnë në zbatimin e marrëveshjes së arritur mes dy kyeministrave. Deri më tash nuk u arrit ndonjë marrëveshje. E dini se zbatimi i asaj marrëveshjeje është thelbësor, prandaj përpjekjet tona vazhdojnë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Ajo nuk ka dhënë ndonjë datë për takimin e ardhshëm në mes të dy kryeministrave, për të cilin, zëvendëskryeministri i Kosovës hajredin Kuçi ka thënë se do të mbahet më 21 maj.
“Dialogu për normalizimin e raporteve vazhdon në disa nivele dhe presim që të ketë takime në nivele të larta. Do të prisja në muajin maj, por nuk kam data për të konfirmuar”, u shpreh Kocijançiq.
---------
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun beson se është e mundur një marrëvshje me serbët e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Drecun mendon se kjo mund të arrihet gjatë vizitës së zv/kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Kosovë.
Ai iu ka thënë gazetarëve në Kuvendin e Serbis se pret që Vuçiq t’ua shpjegojë serbëve situatën në të cilën gjendet Serbia dhe domosdoshmërinë e respektimit të marrëveshjes, transmetojnë mediat serbe, transmeton Rel.
Serbët e Kosovës kundërshtojnë marrëveshjen e 19 prillit arritur në Bruksel në mes të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
Serbia e ka të domosdoshme respektimin e saj, për shkak të proceseve të saj integruese në BE./Indeksonline/