E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mes urimeve dhe kundërshtive për zgjedhjet

14/09/2009  Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit drejtuesit e lartë të shumë shteteve përcollën mesazhe urimi për kreun e mazhorancës, Sali Berisha, ku natyrisht i uronin këtij të fundit fitoren e një mandati të dytë në qeverisjen e Shqipërisë. Publikimi i rezultateve paraprake krijuan deri diku panoramën e qartë të asaj çfarë shqiptarët kishin zgjedhur për të drejtuar vendin. Por nga ana tjetër, një zgjedhje e tillë u përgëzua dhe nga përfaqësuesit e lartë të shumë shteteve, të cilët vërshuan me urimet e tyre, duke i dhënë më tej peshë një fitoreje të tillë nga koalicioni i djathtë të drejtuar nga Partia Demokratike. E si për të shuar deri diku një entuziazëm të tillë, që sa vinte e shtohej në kampin e djathtë, partia më e madhe opozitare, ajo Socialiste, sa vinte e shtonte presionin e saj për mosnjohjen e zgjedhjeve, për rrjedhojë dhe institucionet e dala prej saj, qëndrim i cili momentalisht është kthyer në një vendim politik të kësaj force parlamentare.

Urimet

Kreu i mazhorancës Sali Berisha, njëkohësisht kryeministri i rimandatuar në zgjedhjet parlamentare të qershorit, nisi të merrte mesazhe urimi për një fitore të tillë jo shumë vonë përfundimit të votimeve. Të përcjella përmes letrash apo telefonatash, përfaqësuesit e lartë të një sërë shtetesh përshëndetën pa ekuivok fitoren e së djathtës në këto zgjedhje. Diplomacia e huaj në mesazhet e saj nuk kurseu dhe vlerësimet për atë çfarë përfaqësuan votimet e 28 qershorit. Njohja e një fitoreje të tillë nga qeveri të vendeve të Bashkimit Europian, nga organizmat ndërkombëtarë, por dhe vlerësimet për procesin zgjedhor, ishin një element mjaft i rëndësishëm për vendin, referuar pikërisht aspiratave të tij. E kjo u pasqyrua më së miri në këto mesazhe, ku jo pak personalitete nuk ngurruan të jepnin mbështetjen e tyre, sidomos në perspektivën evropiane. Në një kontekst të tillë ishte dhe mesazhi i ardhur vetëm pak ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Partive Popullore Europiane Wilfried Marten, i cili shprehej se “falë Sali Berishёs Shqipёria ka pёsuar njё transformim madhёshtor dhe unё jam i bindur se me kёtё mandat tё ri ai do tё vazhdojё tё shtrojё rrugёn e vendit tё tij drejt perspektivёs evropiane”. Edhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e cilësoi një fitore të merituar të kryeministrit Berisha. Për më tepër, sipas tij kjo fitore ishte me një rëndësi të madhe për vazhdimin e reformave të vendit dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Dhe së fundi një tjetër garanci për Shqipërinë në BE kryeministri Berisha mori dhe nga Franca, ku presidenti i saj, Nikola Sarkozi e siguroi se “Franca do të bëjë çmos që të transmetojë shpejt në Komisionin Europian kandidaturën e vendit tënd”.

Përplasja

Megjithëse kryeministri Berisha mori mesazhe të shumta për fitoren, si nga drejtues shtetesh, nga diplomacia ndërkombëtare, ashtu dhe nga shteti më ri, Kosova, një pjesë e politikës shqiptare nuk e njeh një fitore të tillë. Për të shkuar deri atje sa nuk njeh zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe institucionet e dala nga këto zgjedhje. Përballë urimeve dhe garancive që vijnë nga ndërkombëtarët, situata politike në vend shfaqet ndryshe. Partia më e madhe opozitare ka vendosur të kushtëzojë pjesëmarrjen e saj në kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit me një sërë kërkesash ndaj mazhorancës qeverisëse. Por ndaj këtyre kërkesave qëndrimi i shumicës në Parlament ka dhënë verdiktin e saj, pra një përgjigje negative sa i takon plotësimit të tyre. Tashmë i mbetet partisë më të madhe opozitare që të vijojë më tej veprimet e saj, ku ndër të tjera janë paralajmëruar dhe protestat. Ndërkohë nga faktori ndërkombëtar kanë ardhur disa sinjale të qarta kundër vendimit të PS-së për të bojkotuar Kuvendin, por që ende nuk ka një përgjigje zyrtare ndaj raportit që kjo parti u ka përcjellë përfaqësive diplomatike të akredituara në vend lidhur me shkeljet e vëna re gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit.

Mesazhet e urimit

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan

Kryeministri i Turqisë, zoti Recep Tayip Erdogan, i telefonoi Kryeministrit Berisha për ti përcjellë urimet më të ngrohta për fitoren e tij dhe të koalicionit që ai kryeson në zgjedhjet parlamentare. Kryeministri i Turqisë Erdogan e cilësoi këtë një fitore të merituar të Kryeministrit Berisha, me një rendësi të madhe për vazhdimin e reformave të vendit dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu Kryeministri turk e përgëzoi veçanërisht Kryeministrin Berisha për realizimin e koalicionit të ri qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u shprehur se ky koalicion është një koalicion premtues për vendin.

Kryeministri Erdogan e siguroi Kryeministrin Berisha se ai dhe qeveria që kryeson do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e re të kryesuar prej tij.

Kryeministri i Greqisë, zoti Kostas Karamanlis

Kryeministri i Greqisë, zoti Kostas Karamanlis, i ka telefonuar Kryeministrit Berisha për t’i dhënë urimin e tij më të përzemërt për fitoren e tij dhe të koalicionit që ai kryeson në zgjedhjet parlamentare. Kryeministri i Greqisë, zoti Karamanlis, e siguroi Kryeministrin Berisha se ai pret me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy partive, dy qeverive dhe 2 vendeve.

Kryeministri grek Karamanlis theksoi, gjatë telefonatës, se kjo është një fitore plotësisht e merituar që e kanë mirëpritur dhe festuar të gjithë miqtë e Partisë Demokratike. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen mikut të tij, z. Kostas Karamanlis, për të gjithë mbështetjen e gjithanshme për Partinë Demokratike, qeverinë shqiptare dhe vendin tonë. Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria që kryeson do të vazhdojnë me kënaqësi bashkëpunimin e ngushtë për intensifikimin e marrëdhënieve të shkëlqyera, të gjithanshme, miqësore mes dy partive, dy qeverive dhe mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu

Kryeministri Berisha ka marrë një telegram urimi nga Presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu, për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Në telegram Presidenti Sejdiu shprehet: “I dashur Kryeministër Berisha. Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ju përgëzoj për fitoren e 28 qershorit në të cilën ‘Koalicioni për Ndryshim’ mori përkrahjen e qytetarëve të Shqipërisë për të qeverisur vendin Tuaj në mandatin e ardhshëm.

Vlerësoj se procesi i zhvilluar zgjedhor u dha votuesve shqiptarë mundësinë që të përcaktohen të lirë për përfaqësuesit e tyre. Jam i bindur se Shqipëria e qeverisur nga koalicioni i ndërtuar mbi vlera të demokracisë dhe të zhvillimit do të vazhdojë me hapa të vendosur që kombi dhe shteti shqiptar të bëhet pjesë e familjes së gjerë evropiane duke marrë kështu detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Besoj se Shqipëria, pas anëtarësimit në NATO, në një kohë fare të shkurtër do të përmbushë kriteret për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian duke realizuar kështu një nga dëshirat dhe ëndrrat më të mëdha të kombit shqiptar. Ju siguroj me këtë rast se si President i Republikës së Kosovës do të punoj ngushtë së bashku me Ju për të thelluar bashkëpunimin në interes të dy vendeve tona si dhe gjithë rajonit. Duke Ju përgëzuar edhe njëherë, Ju dëshiroj fat dhe sukses në punën Tuaj për të mirën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens

Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens përshëndeti lajmin për krijimin e koalicionit të ri qeverisës, udhëhequr nga Kryeministri Sali Berisha, që pason fitoren e koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike "Aleanca e Ndryshimit", në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Presidenti Martens i dha mbështetje të plotë Kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në 48 orët e fundit të fushatës elektorale. Gjatë kësaj vizite, Presidenti Martens në takime të shumta me publikun dhe në media shprehu mbështetjen ndaj Partisë Demokratike. “Jam shumë i kënaqur që Kryeministri Berisha ka siguruar një shumicë kaq të fortë në Parlament. Kjo do ta lejojë atë të krijojë një qeveri pro-evropiane, që do të vazhdojë zbatimin e reformave të suksesshme të Shqipërisë”,- u shpreh Presidenti i Partive Popullore Evropiane, z Wilfried Martens. “Falë Sali Berishës, Shqipëria ka pësuar një transformim madhështor dhe unë jam i bindur se me këtë mandat të ri, ai do të vazhdojë të shtrojë rrugën e vendit të tij drejt perspektivës së Bashkimit Evropian”, shtoi Martens.

Ish-Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zotin Rene Van der Linden

Kryeministri Berisha pati zhvilluar një takim të përzemërt me ish-Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zotin Rene Van der Linden. Zoti Van der Linden falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen si dhe i shprehu urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, duke e cilësuar këtë fitore si shumë të rëndësishme dhe të dobishme për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshme të vendit si dhe si një fitore të rëndësishme për të djathtën evropiane dhe konsolidimin e saj. Zoti Linden nënvizoi në këtë aspekt suksesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, suksesi i të cilave solli anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi

“Në emrin tim personal dhe në emër të Francës ju dërgoj Ju urimet e përzemërta dhe të sinqerta me rastin e emërimit Tuaj në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Përparimet e konstatuara në zhvillimin e zgjedhjeve legjislative përfaqësojnë një fitore të demokracisë. Unë vlerësoj shumë madhësinë e përparimit të realizuar nga Shqipëria në rrugën e afrimit të saj evropian dhe ju inkurajoj Ju të vazhdoni me reformat e ndërmarra. Franca do ju japë Ju të gjithë mbështetjen e saj. Ajo thekson vullnetin për të vepruar në këtë drejtim dhe për të mbështetur transmetimin e shpejtë të kandidaturës së vendit tuaj në Komisionin Evropian. Isha shumë i lumtur që Ju takova Ju në 24 prillin që kaloi dhe për t’ju shprehur ju përkushtimin tim personal për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Unë dëshiroj që bashkërisht ne të punojmë për thellimin e tyre, në veçanti në fushën ekonomike. Ju lutem pranoni, Zoti Kryeministër, sigurimet e konsideratës time më të lartë”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partive Popullore Evropiane, Antonio López-Istúriz

“Është nder dhe kënaqësi t’ju përcjell ju dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë urimet e përzemërta me rastin e fitores së bindshme në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në vendin tuaj.

Suksesi juaj në zgjedhje është një sukses për të gjithë familjen e Partive Popullore Evropiane, e cila do të vazhdojë të jetë partneri juaj në familjen e madhe evropiane të familjeve politike të qendrës së djathtë. Ne jemi krenarë të ndajmë të njëjtat vlera dhe ideale për një Evropë të bashkuar, duke u bazuar në principet e solidaritetit dhe prosperitet. Populli shqiptar provoi t’ju japë ju besimin, duke ditur se falë jush, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, ka dorëzuar aplikimin për anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian dhe sot është anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Duke ju përgëzuar edhe një herë për suksesin tuaj në zgjedhje, ju lutem pranoni urimet e mia më të mira”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›