E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët fierakë mes Ramës dhe Blushit

14/09/2009  Përçahet PS-ja e Fierit

“Lëvizja për Mendimin Ndryshe” ka nisur edhe në bazën e PS-së dega Fier. Një fakt i tillë u konfirmua pak ditë më parë në mbledhjen e asamblesë së kësaj dege, ku u vunë re përplasjet mes radhëve, duke u ndarë në mbështetës dhe kundërshtues të dy grupimeve tashmë të qarta në PS. Në mbledhjen që zhvilloi një forum i tillë kanë marrë pjesë Gramoz Ruçi si kryetar i grupit të punës së kësaj partie për qarkun Fier si dhe deputetët e porsa zgjedhur Armando Subashi, Ervin Koci, Albert Çaçi etj. Ndërkohë që burime pranë takimit bënë të ditur fakti se në këtë takim të zhvilluar është thënë prej kryesisë që baza e PS-së Fier duhet të mbështesë fuqishëm kandidatin për kreun e ri të PS-së Edi Rama. Për më tepër, asnjë anëtar partie i PS-së si dhe militantë të tjerë nuk duhet që të takojnë Arben Malaj dhe Ben Blushin në qoftë se ata vijnë në Fier, nuk u duhet dhënë asnjë lloj mbështetje. Gjatë diskutimit të kësaj teme ka pasur edhe mendime ndryshe pasi disa pjesëtarë të asamblesë së PS-së që ishin në këtë mbledhje kanë kundërshtuar duke i thënë kryesisë që drejtonte mbledhjen se “ata janë të PS-së dhe ne duhet t’i takojmë kur të vijnë në Fier dhe t’i dëgjojmë, pasi kjo nuk do të thotë se ata do të gëzojnë mbështetjen tonë”. Kjo ide e tyre është “mbytur” nga anëtaret e tjerë që ishin pjesëmarrës në këtë mbledhje duke u thënë prerë se askush prej jush nuk duhet as t’i takojë dhe as t’i shoqërojë.

Aurora Damini

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›