Minxhozi: Rama e Meta, një fitore numrash, më shumë se sa një fitore e frymës
Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë për të përditshmen Dita thotë se Edi Rama dhe Ilir Meta nuk po e krijojnë dallgën elektorale. Sipas tij, kjo do jetë një fitore numrash më shumë se një fitore parimesh apo fryme.
Kujtoj zgjedhjet e shkuara, kur në fillim të vitit 2009 opozita ndodhej, sipas sondazheve të kohës, diku tek 6 pikët përpara. Ky avantazh erdhi duke u ngushtuar me kalimin e muajve, derisa thuajse u bë zero në qershor të atij viti. Kam përshtypjen se kësaj radhe është ndryshe. Qeveria e ka të vështirë të jetë bindëse, kryeministri duket i lodhur dhe pa argumenta, ai ofron edhe një herë atë që ka ofruar më 2005 dhe 2009, realizimet e qeverisjes nuk përkojnë me fjalimet e oratorëve të saj dhe zgjedhësi ndjehet i ftohtë përballë mundësisë së një mandati të tretë të së djathtës. Shihet hapur se në fushatë ka vetëm një njeri që dëshiron me mish e me shpirt fitoren. Ky është kryeministri Berisha dhe në krah i qëndrojnë një tufë ministrash dhe deputetësh që bëjnë gjoja.
Nga ana tjetër, opozita e bashkuar në një front, për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme, që nga koha kur LSI nuk qe formuar ende, nuk po e krijon sipas meje, frymën e pritshme, entuziazmin dhe dallgën elektorale të një rreshtimi që pret prej tetë vjetësh të marrë pushtetin. Ka gjasa të jetë një fitore numrash besoj, më shumë sesa një fitore e frymës dhe e parimeve, thotë Minxhozi.
Ai thotë se PD nuk është më një parti blu, që kur ajo hyri në koalicion me LSI-në në vitin 2009 dhe deri aktualisht kur në listat e saj janë emra si Kastriot Islami e Lufter Xhuveli.
Minxhozi thotë se deklaratat e Nasip Naços për çështjen e kryeministrit janë një tymuese lokale. Kam përshtypjen se Rama dhe Meta e kanë zgjidhur mes tyre çështjen e kryeministrit. Por natyrisht, një zgjerim i dukshëm i LSI do të krijonte premisat për një rritjes të peshës së saj në qeverisje pas zgjedhjeve, thekson Minxhozi./ep