Minxhozi: Spitalet pa barna, si në mesjetë
Tiranë- “Të fundit në botë për shërbimin shëndetësor dhe spitalet si në kohën e mesjetës”. Kështu e ka cilësuar shëndetësinë në vendin tonë deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, i cili duke folur në pjesën e debatit të lirë, jashtë rendit të ditës në seancën e sotme në Kuvend, ka renditur me fakte anomaninë e madhe që ekziston aktualisht në këtë shërbim. Spitale pa mjekë, pa barna, me korrupsion të madh dhe stragjegji që bëhen e mbeten në letër.
“Në spitalet tona mungojnë ilacet në masën 70%, në QSUT nuk ka gjak, nuk ka antibiotik, kurse urgjenca e Tiranës funksionon keq e më keq”- tha ai, duke shtuar se mund të krahasohemi fare mirë me vendet më të prapambetura në këtë drejtim.
Minxhozi ka theksuar gjendjen e mjerë në spitalet e veriut, ku përpos infrastrukturës dhe bazës materiale, mungojnë edhe mjekët specialistë. “Në Burrel duhet të sëmuresh vetëm ditën e shtunë se nuk ka kardiologë. Duhet të lindësh gjithashtu me plan, sepse nuk ka gjinekologë”- tha ai.
Pas fjalës së tij ka replikuar ministra e Shëndetësisë, Anila Godo, duke pranuar situatën në spitalet tona. Ajo ka pohuar se e ka parë nga afër gjendjen, mungesën e barnave dhe të mjekëve specialistë.
‘Situata nuk ndryshon për dy muaj, por kemi marrë disa masa që presim t’i bëjmë realitët”- ka thënë ajo. Duke folur për plotësimin me mjekë specialistë, Godo ka thënë se do të ndiqen dy rrugë.
Penalizim i rreptë monetar për ata që shkelin kontratat dhe nuk kthehen të punojnë në vendt e tyre, ose joshje përmes pagës. “Pagë dyfish për ata mjekë që do të kthehen të punojnë në rrethet e tyre, ku ka më shumë nevojë”- tha ajo.
Klosi: Dhuna në familje, shifra të frikshmeTiranë- Dhuna në familje ka shënuar shifra në rritje e bashkë me të, vrasjet dhe vetëvrasjet në vend janë shtuar frikshëm. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi në seancën e sotme të kuvendit, nisur pak më parë, ka evidentuar rastet e reja të krimit brenda familjes, duke e quajtur këtë fakt, një tjetër pasiguri të madhe për jetën në vendin tonë.
Si qytetar, në emër të PS-së, por edhe si nën kryetar i komisionit për barazinë gjinore, Klosi ka numëruar projektligje pa fund me të cilat mburret qeveria në angazhimin e saj për barazinë gjinore, por pa asnjë efekt. Ai ka kujtuar rastin më të fundit, në Lezhë, kur djali vrau prindërit, rast, sipas tij i përsëritur.
“Kemi raste pa fund kur bijtë vrasin nënat dhe baballarët, burrat vrasin gratë dhe dhuna në familje është bërë alarmante”- tha Klosi, duke theksuar se kjo dhunë përbën 10% të krimeve të raportuara.
“Kemi vetëm këtë gjashtëmujor 73 raste të vetëvrasjeve. Njërëzit po çmenden, ndërsa vendi është përfshirë nga pasiguria”- tha më tej ai, duke kujtuar protestën e opozitës në mbrojtje të drejtësisë dhe sigurisë në vend.
Përkundër deklaratave optimiste të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, Klosi ka nënvizuar raporte të Komisionit Evropian dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit, që sipas tij regjistrojnë fakte tronditëse për vendin tonë.
“Kryeministri është i papërgjegjshëm dhe qytetarët s’janë të qetë për jetën në përgjithësi dhe për jetën brenda familjes”- tha ai.