E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhën hekur në Hidrocentralin e Banjës, 2 në pranga

Elbasan- Vodhën hekur dhe llamarina në Hidrocentralin e Banjës, por bien në prangat e policisë, me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim duke shpërdoruar detyrën.

Sipas burimeve të policisë, në pranga janë vënë shtetasit Isuf Tahiri, 47 vjeç, me banim në Elbasan dhe Pëllumb Roci, 37 vjeç, banues në fshatin Gostimë, të rrethit të Elbasanit.

Arrestimi i tyre u bë, pasi janë kapur në flagrancë duke vjedhur hekur profil si dhe llamarina hekuri pranë Ndërmarrjes së Hidrocentralit të Banjës në Elbasan. Policia ka bërë të mundur arrestimin e shtetasve të sipërpërmendur, si dhe sekuestrimin e automjetit kamion i tipit “ Man” me targa EL 0759, që ishte ngarkuar me materialin e vjedhur.

Mësohet se automjeti është në pronësi të 37 vjeçarit Pëllumb Roci. Mbas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se shtetasi Isuf Tahiri ka qenë me detyrën e rojes së ruajtjes së objektit.

Nga ana e grupit hetimor po vazhdon puna për të zbardhur të plotë këtë ngjarje, si edhe për të llogaritur sasinë e hekurit profil dhe llamarinat hekur të vjedhur nga dy autorët.

Mësohet se të arrestuarit ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit,në pritje të hetimit për veprën penale “ vjedhje e kryer në bashkëpunim duke shpërdoruar detyrën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›